Dënimi i ulët për dhunën seksuale ndaj të miturës, reagon Jeta Statovci

Aktuale

Dënimi i ulët për dhunën seksuale ndaj të miturës, reagon Jeta Statovci

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 08:29
Jeta Statovci

Deputetja Jeta Statovci ka reaguar për dënimin me tetë muaj burgim ndaj të akuzuarit P.K., për dhunimin e një vajze 15-vjeçare në Gjakovë.

Ajo tha se ky rast dhe rastet tjera janë prova më bindëse për vetting në sistemin e drejtësisë.

Sipas saj, të korruptuarit, të ndikuarit, joprofesionistët nuk kanë vend në sistem të drejtësisë.

Njoftimi i plotë:

Trishtuese të dëgjosh se si sistemi ynë i drejtësisë shqipton kufirin më të ulët të ndëshkimit penal për raste flagrante të dhunës seksuale mbi një të mitur. Pa kaluar as një ditë e vetme, menjëherë shohim dhunë mbi një grua në një nga qendrat e biznesit të kryeqytetit.

Skena dhune mbi gra, që trishtojnë. E megjithatë drejtësia kosovare ende ndihet komode sa të mos e konsideroj dhunën ndaj grave si një fenomen që po degradon gjithnjë e më shumë, por e trajton atë si një vepër afër të rëndomtës. Është më shumë se e qartë se politika penale e ndëshkimore e ndërtuar mbi joprofesionalizëm, nepotizëm, ndikim politik dhe ekonomik ka krijuar ndjenjën e pandëshkueshmërisë për disa kategori të kryerjes së krimeve, e një nga këto, është trajtimi i rasteve të dhunës ndaj grave që po merr përmasa gjithnjë e më të frikshme.

Rasti i djeshëm me dënimin me 8 muaj burg për dhunë seksuale dhe rasti i sotëm i dhunës në qendrën e biznesit në Prishtinë, janë prova më bindëse për vetting në sistemin e drejtësisë. Të korruptuarit, të ndikuarit, joprofesionistët nuk kanë vend në sistem të drejtësisë. Ata nuk mund të japin drejtësi andaj edhe reforma do t’u gjejë vend ku mund të shërbejnë. Në sistem të drejtësisë, sigurisht se jo!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat