Anton Quni: Baza e përhershme ushtarake amerikane do t’i jepte fund përpjekjeve serbe për t’i rrezikuar kufijtë e Kosovës

Aktuale

Anton Quni: Baza e përhershme ushtarake amerikane do t’i jepte fund përpjekjeve serbe për t’i rrezikuar kufijtë e Kosovës

Nga: I. Morina Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 17:28
Anton Quni me targat e automjetit serb pas një operacioni të suksesshëm lufte

Vendosja e një pranie të përhershme amerikane ushtarake në Kosovë, sipas ekspertëve ushtarak do t’i jepte fund pretendimeve serbe, qoftë për cenim kufijsh, qoftë atyre për territor.

Ministri i Mbrojtjes Armend Meha, në dy raste të ndryshme e ka bërë të ditur kërkesën e Qeverisë së Kosovës, që SHBA-të ta vendosin një bazë të përhershme ushtarake.

Sipas ish-ministrit të Mbrojtjes kolonelit Anton Quni, ish epror ushtarak në Koshare, komandant i njësisë “Delta”, ideja për vendosjen e një baze të përhershme amerikane në Kosovë, është diskutuar me autoritetet amerikane edhe në të kaluarën, në nivel ekspertësh dhe në nivel politik, por që këto biseda nuk janë bërë publike asnjëherë.

“Baza e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë dhe bazat e përbashkëta janë tema që edhe më herët janë shtruar në nivelet profesionale dhe politike nga autoritetet e Kosovës, por që nuk janë bërë publike”, thotë Quni për gazetën “Bota sot”.

I pyetur se si e vlerëson kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për një prani të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, Quni thotë se ‘SHBA-të e kanë përkrahur Kosovën në të gjitha proceset e shtetformimit dhe shtetndërtimit’. “Prandaj, të arriturat e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës janë rezultat i punës dhe partneritetit të përbashkët”.

I pyetur se sa është e realizueshme kjo ide, Quni vlerëson se kjo është si një proces i partneritetit, dhe “është veçanërisht i theksuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes apo më saktë në ndihmën e ushtrisë amerikane për ngritjen e kapaciteteve të plota të FSK-së”.

I pyetur se nëse është domosdoshmëri, për shkak të situatës së brishtë në veri, Quni është kategorik për rolin e një pranie të atillë amerikane: “Sidoqoftë, e vlerësoj se materializimi i kësaj ideje përfundimisht do t’i shuante të gjitha orvatjet për t’u rrezikuar kufijtë dhe territori i Kosovës”.

Po ashtu, eprori i suksesshëm në luftën e Koshares, Quni, vlerëson se ajo bazë ushtarake do të krijonte stabilitet rajonal. “Një bazë e tillë jo vetëm që do ta garantonte sigurinë e Kosovës, por do të ndikonte në stabilizimin më të fuqishëm në nivel rajonal. Një rajon i shtensionuar nga pretendimet territoriale do të krijonte parakushte për stabilitet politik dhe ekonomik për të gjitha shtetet e Ballkanit, veç e veç”, thotë Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat