Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka vlerësuar intervistën e këtij të fundit, dhënë për emisionin HARDtalk të BBC-së, me gazetarin Stephen Sackur.
Gashi e ka quajtur “fantastike” këtë intervistë, duke veçuar pjesën ku Kurti ka deklaruar se "...Serbia dëshiron ta përsëris Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, qofsha në pozitë, qofsha në opozitë", përcjell Bota sot.
“Intervistë fantastike e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për emisionin HARDtalk të BBC-së, me gazetarin Stephen Sackur. Sidomos kjo pjesa "...Serbia dëshiron ta përsëris Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, qofsha në pozitë, qofsha në opozitë". P.S. 'Mediat' në Kosovë nuk paskan thënë asgjë për këtë intervistë. Ky fakt e bën këtë intervistë edhe më fantastike”, ka shkruar Gashi, në një postim në Facebook.
Kryeministri Kurti, në këtë intervistë ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku ka thënë se “vende të caktuara anëtare të BE-së” po pengojnë këtë proces, që do të mundësonte udhëtimin pa viza në zonën Shengen.
Kurti i tha BBC-së se megjithëse ishte kritik ndaj BE-së, ai nuk është i hidhëruar për këtë.
“BE-ja e ndihmoi shumë Kosovën dhe vendi mezi pret që një ditë t'i bashkohet vendeve të tjera anëtare”, ka thënë ai.
Gazetari Stephen Sackur përmend që Kurti kishte një “karrierë të turbullt”. “Ai ka qenë i burgosur politik, ka kryer pesë sulme me gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës dhe ka vizionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”, ka thënë Sackur./BS