Ajazi dridhë Drenasin, Lladrovcin e quan hajn me letra

Aktuale

Ajazi dridhë Drenasin, Lladrovcin e quan hajn me letra

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 00:34
Driton Ajazi

Kandidati i pavararur për kryetar të Drenasit, Driton Ajazi, sot ka mbajtur një takim madhështor në këtë qytet, gjersa ka shpalosur programin e tij për qytetarët e kësaj komune.

Ajazi në një postim në Facebook ka thënë se se është në këtë garë për t’i krijuar kushtet bazë në Drenas.

Ai gjithashtu e ka quajtur hajn kandidatin e PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

“Ai është hajn me letra. Sepse, ka vendim gjykate që e prezanton si hajn zhavorri. Dhe, qytetarët e Drenasit nuk ia besojnë më taksat një hajni. Është shantazhues dhe denoncues i luftëtarëve të lirisë. I dini letrat shantazhuese të publikuara kundër presidentit Hashim Thaçi. I dini akuzat publike për vrasje kundër Rexhep Selimit. I dini akuzat kundër Jakup Krasniqit. Dhe, ku jemi sot: ai është dëshmitar në Hagë, ndërsa të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Kjo është biografia e tij. Kjo është fytyra e vërtetë e tij”, shkroi ai.

Shkrimi i plotë:

FALEMINDERIT DRENAS

• Të dashur bashkëqytetarë,

• Shumë të respektuar njerëz të pushkës e pendës,

• Bashkëvendës që dhatë më të shtrenjtët për lirinë tonë,

• Ju aktivistë të palodhshëm,

• Bashkëpunëtorë që në këta muaj punuat ditë e natë,

• Ju të gjithë qytetarë që na i hapet dyert e zemrat këto ditë,

• Mirë se keni ardhur në Shtëpinë e madhe të Demokratëve.

Sot, po takohemi sërish, në rrugën tonë të pathyeshme për ta bërë ndryshimin që, më shumë se kurrë, i duhet Drenasit. Ndryshimin që me votën tuaj masive do t’i jepni vulë më 14 nëntor.

Drenasi e ka dhënë verdiktin...

Sepse, sot shumicë jemi ne që e dojmë ndryshimin.

Shumë jemi brenda kësaj salle e shumë më shumë janë jashtë, që na janë bashkuar dhe na e kanë ofruar mbështetjen e pashembullt gjatë këtyre ditëve. Ky entuziazëm, ky mobilizim që po e shoh këtu, është kudo në qytet, është në çdo fshat, është në çdo lagje e në çdo familje.

Sepse, ky është momenti për t’i dhënë mësim kryetarit në ikje e secilit pas tij se mund të abuzosh me besimin qytetar, por të pret ndëshkimi meritor i këtij populli të mrekullueshëm.

Një milionë herë faleminderit për besimin.

Një milionë herë faleminderit për angazhimin e mobilizimin që po e tregoni.

Të dashur qytetarë,

Punën e madhe e keni kryer më 17 tetor. Sepse, pushteti veçse është i rrëzuar.

Ju u përcaktuat që në balotazh të jem unë. E unë përball njeriut:

• Që për 5 vjet degradoi gjithçka:

• Lëndoi demokracinë;

• Mbolli ambient frike;

• Rriti pabarazinë e varfërinë;

• Ngulfati bizneset;

• Stagnoi çdo fushë dhe Shkatërroi gjithçka.

Sot jemi më të bashkuar se kurrë, sepse dallimet politike i kemi lënë anash për qëllimin e përbashkët madhor: çlirimin e Drenasit tonë nga kthetrat e këtij pushteti, si garancë për t'i hapur perspektivë komunës sonë e qytetarëve tanë. Nga këtu, e falënderoj Fejzinë, Xhavitin, Artën e Anduenën që dhanë kontribut për të ardhur tek rezultati i ndryshimit.

Të nderuar të pranishëm,

Unë jam i bekuar që në këtë rrugë jam bashkë me ju:

• jam me demokratët më të devotshëm,

• me personalitetet më të spikatura të luftës e lirisë;

• me gratë e burrat më të ndershëm;

• me të rejat e të rinjtë që kanë vullnet e dëshirë të zjarrtë për ta ndërtuar e zhvilluar komunën tonë.

Sa do të donim që këtu, sikur dikur, t’i kishim etërit e shtetit tonë: presidentin Hashim Thaçi e kryetarin Kadri Veseli. Ata na mungojnë shumë sot. Por, ne besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre, e të bashkëluftetarëve të tyre – bacës Jakup e Rexhës. Ne besojmë se shpejt do ta kremtojnë festën për lirimin e tyre.

Të respektuar bashkëvendës,

Ju e dini se Drenasi është komunë e sakrificës.

Gjaku i heronjve, gjaku dëshmorëve, gjaku i martirëve na e rritë barrën e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë për të punuar sot fort dhe drejt. Për t’i garantuar ato liri për të cilat dhanë jetën. Për t’i ofruar ato të mira për vendin, të cilat i ëndërronin. Unë ofroj garancë se sakrifica e tyre në luftë do të jetë udhërrëfyes i punës sonë në paqe.

Sonte unë rrethohem nga fëmijë e familjarë dëshmorësh dhe martirësh, nga çlirimtarë që lanë gjymtyrët në fronte, nga luftëtarë të paepur.

Për mua ky është nderi më i madh që më bëhet në këtë rrugëtim të përbashkët, në shërbim të komunës sonë.

Ju u braktisët në këto 5 vite. Një pjesë edhe u luftuat nga ky pushtet.

Pati fëmijë dëshmorësh që u nxorën dhunshëm nga banesa në pronësi të komunës dhe u lanë në qiell të hapur. As mendjet me të krisura s’do ta prisnin këtë çmenduri të pushtetit që do t’ia tregojmë vendin. Zotohem para jush për vëmendjen dhe kujdesin maksimal që do ta keni nga unë. Sepse, unë e di se çka do që do të bëj për ju, kurrë borxhin nuk do të mund ta shlyejmë.

Të dashur qytetarë,

Jemi këtu, që ta ringjallim shpresën për perspektivë e zhvillim. Për jetë më të mirë e më të dinjitetshme. Për secilin, pa dallim:

• Për fëmijën e dëshmorit që mbeti pa strehë, e për invalidin e luftës pa mbështetje;

• Për nxënësin që ia mbylli shkollën e për pensionistin që nuk ka një hapësirë qëndrimi ditor në qytet;

• për afaristin që i është mbytur mundësia për ta zhvilluar biznesin dhe për bujkun që nuk e ndjen dorën e mbështetjes nga pushteti lokal;

• për të riun që nuk sheh mundësi punësimi, e për ata 2,000 të punësuarit që ua mbylli dyert fabrika, nga e cila marrin kontrata milionëshe fëmijët e kryetarit në ikje;

• për asistencën që i duhet të papunit, e për kulmin që i duhet të pastrehut; për sportistin që i shkatërrohet klubi kampion, e për artistin që s’ka ku ta shpreh talentin.

Pesë muaj stagnim janë shumë për një komunë të pazhvilluar. Por, ne patëm pesë vite degradim, me të cilin ky pushtet bëri atentat mbi komunën dhe qytetarët e saj. Por, bashkë, i kemi dalë në betejë atentatorit.

Sepse, duam dhe do ta bëjmë:

• Drenasin të zhvilluar.

• Të jetueshëm.

• Madje, atraktiv për të jetuar.

Sepse, Projekti ynë çliron të gjitha potencialet zhvillimore.

Jemi këtu për t’i krijuar me urgjencë kushtet bazë:

Për t’i dhënë secilës shtëpi e familje qasje në ujë të pijes, qasje në rrjetin e kanalizimit, qasje në rrugë të asfaltuar e me trotuar dhe ndriçim publik, e për t’ia ofruar shërbimin efikas për grumbullimin e mbeturinave.

Për t’i dhënë secilit fshat shërbime cilësore në arsim e shëndetësi, për t’i krijuar hapësira të gjelbra, terrene sportive e rekreacioni.

Jemi këtu për ta ngjallur qytetin: Për rrugët që i duhen e për parkingjet; për shtigjet e biçikletave dhe hapësirat e gjelbra; për shkollat e ambulantat; për zonat e biznesit e hapësirat për ndërtime të larta; për ambientet sportive e objektet kulturore.

Jemi këtu për ta bërë Drenasin komunë referente: për parqe; për liqene; për monumentet antike; për ngjarjet e mëdha kulturore e sportive. Jemi këtu për ta transformuar komunën.

Para së gjithash, jemi këtu për t’ia rikthyer lirinë qytetarit dhe për t’i ofruar atij shanse të barabarta.

Plani im,

Plani i ekipit tim,

Plani i të gjithë neve që jemi këtu,

Plani i të gjithë qytetarëve të Drenasit është që ta bëjmë komunën tonë sa më të mirë. Komunë që u shërben të gjithëve, pa dallim dhe e cila nuk është vetëm në shërbim të familjes së kryetarit dhe rrethit të tij.

Prandaj, sot, forcës së ndryshimit i janë bashkëngjitur të gjithë: gra e burra, të rinj e pleq, të djathtë e të majtë, të papunë e biznesmenë. Sepse, urgjenca për ndryshim i ka shembur të gjitha dallimet mes nesh.

Të çmuar demokratë të vërtetë,

Ju më njihni.

Më njihni mirë mua dhe familjen time.

E njihni të kaluarën time.

Unë jam Driton IZET Ajazi, krenar me prindërit e mi dhe familjen time.

Kundërkandidati që po rrënohet politikisht, nuk ma gjen asnjë njollë në biografinë time e as të familjes sime.

Dhe, ai ka zgjedhur të shpif e të më linçojë, pa fije turpi.

Me këto shpifje e linçime të ulta, akoma më mirë po e njohim edhe formën se si funksionon e vepron një kryetar, të cilin gjatë gjithë pasluftës e njohim për veprimtari të errët:

Kush është ai?

Ai është hajn me letra. Sepse, ka vendim gjykate që e prezanton si hajn zhavorri. Dhe, qytetarët e Drenasit nuk ia besojnë më taksat një hajni. Është shantazhues dhe denoncues i luftëtarëve të lirisë. I dini letrat shantazhuese të publikuara kundër presidentit Hashim Thaçi. I dini akuzat publike për vrasje kundër Rexhep Selimit. I dini akuzat kundër Jakup Krasniqit. Dhe, ku jemi sot: ai është dëshmitar në Hagë, ndërsa të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Kjo është biografia e tij. Kjo është fytyra e vërtetë e tij.

Sot, ne që po e luftojmë të keqen, po quhemi keqbërës.

Ne e mbajmë me nder këtë epitet, kur ai na vije nga njeriu që nuk la të keqe pa bërë në Drenasin tonë, e me të cilin po tallet një Kosovë.

A mund ta paramendoni Ramiz Lladrovcin në rolin e mirëbërësit?

Pra, dikë që është hajn me letra.

Dikë që është uzurpator prone.

Dikë që pushtetin e përdor për qëllime të veta biznesore.

Dikë që pronën publike e çon tek njerëzit që e rrethojnë.

Dikë që punësimet i shfrytëzon për pazare me asambleistë të opozitës së dikurshme;

Dikë që shpif, manipulon e shantazhon. Dikë që, për një grusht vota, është në gjendje t’i dëmtojë edhe etërit e shtetit tonë.

A mund ta mendoni mirëbërës dikë që po bën karrierë politike duke përfituar nga fatkeqësia e të tjerëve, sepse e dini se shkoi ambasador në Tiranë pasi Sylejman Selimi u desh të përballej me gjyqin për luftën çlirimtare, e erdhi kryetar në Drenas, pasi Nexhat Demaku u dorëhoq po për të njëjtën arsye. Prandaj, ju falënderoj shumë që ju sot ia keni ndalur yryshin dhe po ia shembni karrierën politike një njeriu që pushtetin e ka fituar në fatkeqësi të tjerëve dhe e ka shfrytëzuar ekskluzivisht për familje, rrethin e tij të ngushtë e për grupe interesi.

Të nderuar të pranishëm,

Jam i vetëdijshëm që ardhja jonë po i tmerron hajdutët, keqpërdoruesit, të korruptuarit, uzurpatorët, profiterët. Hakmarrje nuk do të ketë, por llogaridhënie gjithsesi.

Unë do të jem shërbëtor e jo sundues.

Prandaj, milionat nuk më blejnë dot.

Unë garantoj qeverisje me duar të pastra, e përkushtim për ta luftuar korrupsionin dhe nepotizmin e instaluar në komunë. Do ta bëj me profesionistët më të mirë, njerëz të ndershëm e të përkushtuar, që janë pjesë e ekipit tim.

Demokratët e përfaqësuar në Asamble do jenë pararojë e demokracisë e jo diktatit. Prandaj, qeverisja ime do të jetë e përbashkët me qytetarët – problemeve që do të na i prezantoni, do t’u japim zgjidhje e kritikat do të na shërbejnë për t’u bërë sa më të përgjegjshëm e më të mirë në punë.

Të dashur demokrate e demokratë,

Ju po i bëni një shërbim të madh komunës sonë. Ju po e çlironi Drenasin nga sundimi 5-vjeçar dhe po ia ktheni atë popullit.

Unë jam vetëm njeri prej jush që nuk iu nënshtruam presionit, sulmit, kërcënimit dhe shantazhit.

Ju jeni ndryshimi i madh që po ndodh në Drenas.

Ju dhe shumë të tjerë që nuk patën mundësi të jenë në këtë salë, prisni që më 14 nëntor Drenasi të frymojë lirshëm. Prisni që t’i hapet perspektiva qytetit që ne e duam.

Punoni edhe këto katër ditë për këtë ndryshim dhe na jepni mundësinë që ne të punojmë për ju katër vite, me nder dhe transparencë, e jo si të tjerët për interesa familjare dhe grupore, dhe që po duanë të kenë kontroll mbi çdo pore të jetës në Drenas.

Dita e zgjedhjeve e bën qytetarin zot. Aty ai mund t’i ndëshkojë ata që pushtetin e përdorën për interesa të veta, e kundër interesit qytetar.

Qytetarët dinë të ndëshkojnë dhe duhet të ndëshkojnë.

Prandaj, dallimet partiake i kemi lënë anash. Jemi bashkë për t'ia dhënë goditjen e fundit të keqes dhe do të jemi bashkë për t'ia sjellë të mirat Drenasit në 4 vitet e ardhshme.

Këtë ia kemi borxh para së gjithash fëmijëve tanë, të cilëve duhet t’ua bëjmë Drenasin të jetueshëm.

Sot, ju ftoj që mesazhin e fitores ta përhapni fort e fort.

• Folni me bashkëshortë,

• me fëmijë,

• me motra e vëllezër,

• me prindër e gjyshër,

• me njerëz të lagjes e të afërm

• që më 14 nëntor të dalin e të votojnë numrin 182.

Vetëm ky numër ofron garancë për ndryshim e zhvillim dhe krijon perspektivë për secilin.

Bëjeni për të mirën e fëmijëve tuaj, të prindërve tuaj, të vetes suaj.

Unë do të jem kryetar i të gjithëve dhe ua shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithëve.

Ju falënderoj pa masë dhe shihemi në festën e fitores, të dielën mbrëma.

Urime e na priftë e mbara!

FAAAALEMINDERIT DRENAS!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat