Kryetari “i përjetshëm” i Fushë Kosovës që fitoi pesë mandate!

Aktuale

Kryetari “i përjetshëm” i Fushë Kosovës që fitoi pesë mandate!

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 13:24
Burim Berisha

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, ka qëndruar stoikisht në krye të kësaj komune për katër mandate. Ndërsa, ka në zgjedhjet e 14 nëntorit ai ka marrë edhe mandatin e pestë për udhëheqjen e kësaj komune.

Por, kush është kryetari i përjetshëm i Fushë Kosovës?

Burim Berisha ka lindur në Sllatinë Madhe të Fushë Kosovës. Shkollimin fillor e ka përfunduar në po këtë komunë, kurse shkollimin e mesëm e ka përfunduar në shkollën ekonomike në Prishtinë. Rrugëtimin e tij intelektual Berisha më pas e ka vazhduar në fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Burim Berisha aktualisht është i martuar edhe ka dy fëmijë.

Karriera e tij politike është e gjatë, ai që nga viti 1989 ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më konkretisht sekretar i degës së kësaj partie në Fushë Kosovë. Kurse, gjatë viteve 1990-1998 ai ka qenë kryetari i parë i Qeverisë Lokale në Fushë Kosovë.

Rrugëtimi i Berishës në dhe për Fushë Kosovën nuk u ndal këtu, kjo sepse ai gjatë periudhës 2001 – 2007 ka qenë kryeshefi ekzekutiv i Fushë Kosovës.

Berisha ishte zgjedhur kryetar i komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet e vitit 2007, ku në raundin e parë LDK kishte arritur të fitoj vetëm 35.02 për qind, kurse në raundin e dytë në balotazh Berisha kishte fituar me 55.77 për qind të votave duke lënë pas kandidatin e PDK-së Ahmet Krasniqi me 44.23 për qind.

Pa balotazh Berisha kishte fituar në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2009 me 56.99 për qind të votave. Një triumf të tillë Berisha e kishte pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2013, ku ai ka fituar që në raundin e parë me 64.33 për qind të votave.

Burim Berisha kishte fituar edhe në zgjedhjet e kaluara komunale të mbajtura në vitin 2017. Ai kishte zënë postin e të parit të Fushë Kosovës që në raundin e parë, me 63.84 për qind të votave.

Kurse, në raundin e parë të zgjedhjeve të këtij viti të mbajtura më 17 tetor, Burim Berisha dhe LDK-ja morën vetëm 49.72 për qind të votave, jo të mjaftueshme për të marrë edhe një mandat në Fushë Kosovë. Kësisoj Berisha u përball në balotazh me kundërkandidatin e tij Enver Bajqinca nga Lëvizja Vettëvendosje.

Kurse, në raundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën këtë të diele (14 nëntor) Burim Berisha, u zgjodh kryetar i komunës së Fushë Kosovë me 66.04 për qind të votave dhe do të jetë në krye të kësaj komune edhe për katër vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat