​Komisioni për Legjislacion pa përgjigje për kërkesën e Kushtetueses për shkarkimet në ARrH

Aktuale

​Komisioni për Legjislacion pa përgjigje për kërkesën e Kushtetueses për shkarkimet në ARrH

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 15:46
Pamje nga takimi

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk ka arritur t’i jap përgjigje kërkesës së Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shkarkimin e bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARrH). Kushtetuesja kishte kërkuar nga ky Komision sqarime të statusit juridik të ARrH-së, nëse i njëjti është institucion i themeluar dhe funksionon si Agjenci e pavarur apo ka ndonjë status tjetër.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi tha se pyetja e Gjykatës Kushtetuese nuk bie në fushëveprimtarinë e këtij Komisioni pasi aspekti i hekurudhave në Kosovë rregullohet me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës që është nën kompetencë të Komisionit për Bujqësi.

Rrustemi: Konsideroj se nuk bie në fushëveprimtarinë e Komisionit për Legjislacioni

“Konsideroj se nuk bie në fushëveprimtarinë e Komisionit për Legjislacioni si çështje sektori i hekurudhave në këtë rast dhe çështja që rregullon ligji për Hekurudhat në Kosovë. Statusi juridik i Autoritetit Rregullativ është i rregulluar me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës që bie mbi autoritetin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis. Ne mund t’i kemi pikëpamjet të ndryshme por unë mendoj se si Komision për Legjislacion duhet të kufizohemi në fushëveprimtarinë tonë“, tha ai.

Ndërsa, anëtari i LDK-së në këtë Komision, Driton Selmanaj mendon që një përgjigje për statusin juridik të Autoritetit Rregullative të Hekurudhave duhet ta jap Komisioni për Legjislacion.

Selmanaj: Mendoj se një përgjigje e një paragraf nuk do të ishte keq

“Në fakt pyetja e Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë fortë me fushëveprimtarinë e atij Agjencioni pyetja që na është drejtuar neve fletë vetëm për statusin juridik me sqaruar ne statusin juridik të saj prandaj meqenëse jemi Komision për Legjislacion dhe që ne trajtojmë edhe raporte me amandamente të komisione të tjera në aspektin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe amendamenteve të propozuara mendoj se nuk prish punë nëse shkruajmë një paragrafë dhe japim një vlerësim tonin si Komision për statusin juridik, jo për fushëveprimtarinë e këtij agjencioni sepse pyetja nuk ka të bëjë fare mendoj se një përgjigje e një paragraf nuk do të ishte keq”, theksoi ai.

Edhe Hajdar Beqa nga PDK beson që duhet t’i kthehet përgjigje për këtë çështje Gjykatës Kushtetuese.

Madje, ai shtoi se Kuvendi i Kosovës ka interferuar në pavarësinë me shkarkimin kolektiv që ka bërë dhe ka pamundësuar funksionimin e ARrh.

Beqa: Jemi kompetent për të dhënë përgjigje

“Si Komision jemi kompetent sepse ne të gjitha ligjet që vijnë i shikojmë se a janë në harmonizim me Kushtetutën. Shkelja e pavarësisë kushtetuese të ARrH që buron nga neni 142 nga neni i Kushtetutës të Kosovës ARH sipas Ligjit të Hekurudhave të Kosovës është një organ i pavarur që është themeluar nga kuvendi i Kosovës dhe kjo e nënkupton që ARrH si organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi hynë në grupin e institucioneve të pavarura kushtetuese nga kapitulli shtatë dhe bie në fushëveprimtarinë e nenit 142 të Kushtetutës së Kosovës..10-06Unë mendoj se është kompetencë e jona dhe duhet me dhënë një përgjigje dhe mendoj që Kuvendi i Kosovës ka interferuar në pavarësinë me shkarkimin kolektiv që ka bërë dhe ka pamundësuar funksionimin e ARrh[...]Pajtohem me Besnikun mundemi me marr një mendim të zyrës ligjore”, theksoi ai.

Besnik Tahiri nga AAK-së për kërkesën e Gjykatës Kushtetuese tha se do ishte e rrugës të merrej një sqarim edhe nga Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri: Kërkoj të marrim ndihmë juridike nga Zyra Ligjore

“Komisioni për Legjislacion unë propozoj që ne jo vetëm me këtë rast por edhe për rastet tjera të mos merremi të mos merremi sepse nuk na e jep as ligji as Kushtetuta dhe as nuk na jep rregullorja e punës dhe në këtë kuptim unë propozoj në këtë takim që ne si Komision t’i drejtohemi zyrës ligjore për këtë temë për shkak se ne kemi pasur në secilën situatë e në secili shkarkim e që besa shkarkime po kemi goxha fort kemi me pas kërkesa si Komision me bë interpretime të tilla”, tha Tahiri.

Pas këtij debati u ofruan dy propozime nga ky Komision, me ç’rast asnjëri nuk kaloi. Propozim i parë ishte se kjo pyetje nuk është në fushëveprimin e këtij Komisioni, ndërsa propozimi i dytë ishte kërkesë për ndihmë juridike nga Zyra Ligjore e Kuvendit.

Më 29 korrik të këtij viti, 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dërguan në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në mbledhjen e sotme me 7 vota për ka miratuar raportin me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 08/L-029 për punimet nga metalet e çmua.

Po ashtu, ky Komision sot ka shqyrtuar dhe raportin për përzgjedhjen e anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ata të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Bazuar në këtë raport për anëtarin e KGJK-së nga komuniteti shqiptar duhet të hapet prapë konkursi pasi nuk ka pas kandidat të mjaftueshëm meqenëse ka aplikuar vetëm një kandidat gjyqtar.

Ndërsa, për anëtarin e KGJK-së nga komuniteti serb kanë aplikuar Dargica Jakoblevic, Milena Gjeriq dhe Ivicia Ivanoviq dhe që dy të parët i kanë plotësuar kushtet për tu ftuar në intervistim. Anëtari i KGJK-së nga komuniteti tjera kanë aplikuar Fahred Velia, Osman Cuceviq, dhe Ahmet Imami dhe kushtet për intervisitim i kanë plotësuar që të tre kandidatët.

Edhe për anëtarin e KPK-së përfaqësues nga shoqëria civile duhet të rishpallen konkursi, ndonëse kishin aplikuar dy kandidat por që sipas raportit të grupit punues nuk i kanë plotësuar kushtet për intervistim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat