Pacolli: Nuk i kemi humbur fondet, nuk i kemi prishur marrëdhëniet me Amerikën

Aktuale

Pacolli: Nuk i kemi humbur fondet, nuk i kemi prishur marrëdhëniet me Amerikën

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 19:31
Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se ata janë duke e bërë studimin e fizibilitetit për projektin amerikan të gazsjellësit.

Ajo ka deklaruar se nuk mund të pranojnë menjëherë një projekt për të cilin sipas saj duhet të shikohet nëse është i rëndësishëm dhe i përshtatshëm për ta marrë.

“Nuk është projekt strategjik dhe amerikan siç po i referohet opozita, është projekt për të cilin MCC-ja ka ndarë fonde për projekt energjetik. Mirëpo,  nuk e ka caktuar nëse do të jetë me gaz apo ndonjë alternativë tjetër, pra ne kemi parë që nuk ka studim të thellë të fizibilitetit dhe studim konkret, duke marrë parasysh edhe ndikimin ekonomik dhe ndikimet mjedisore”.

“Prandaj qeveria ka thënë se fondet prej MCC, në bashkëpunim me MCC i kanë riorientuar në projekte energjetike të ripërtritshme. Çështja e gazit do të studiohet dhe do te shikohet nëse është e rëndësishme dhe e përshtatshme që ne ta marrim”, ka thënë Pacolli.

“Po shohim që Amerika dhe Bashkimi Evropian po lëvizin duke hequr dorë nga gazi, po shkojnë drejt investimeve të ripërtritshme. Kemi deklarimin e Joe Biden, presidentit të ShBA-së dhe 20 shteteve anëtare ku bëjnë pjesë edhe shtetet kryesore të BE-së që janë dakorduar në Samitin e Klimës që nuk do të financojnë projekte fosile. Kjo i bie që ne mund të fillojmë një projekt që mund të mbetet në gjysmë sepse nuk ka fonde për gazin dhe për këtë arsye na duhet ta analizojmë dhe të shohim se cilat janë alternativat më të përshtatshme për ne”.

Pacolli ka kritikuar opozitën e vendit se nuk janë të informuar për zhvillimet në botë sa i përket energjisë, si dhe ka thënë se nuk i kanë prishur marrëdhëniet me Amerikën.

“Nuk i kemi humbur fondet, nuk i kemi prishur marrëdhëniet me Amerikën, Samiti për Demokracinë nuk lidhet me gazin, çështja e gazit duhet të lidhet me Samitin e Klimës në Glasglow. Po habitem që opozita nuk është e informuar për strategjitë e reja që po zhvillohen në Evropë dhe në botë, është e vërtet ne po punojmë në një strategji të re për shtetin e Kosovës”.

“Jemi për tranzicion, nuk kemi mundësi duhet të kalojmë drejt energjisë së ripërtërishme. Mirëpo, në vend së të marrim një gaz tjetër fosil po e studiojmë paraprakisht, Qeveria akoma nuk i ka thënë jo çështjes së gazit është duke e studiuar çështjen e gazit”, ka thënë Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat