Të shtunën dhe të dielën qytetarët mund të vaksinohen edhe në aeroport

Aktuale

Të shtunën dhe të dielën qytetarët mund të vaksinohen edhe në aeroport

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka njoftuar qytetarët se gjatë fundjavës një ekip mobil i vaksinimit do të jetë i vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, për t’u ofruar vaksinim qytetarëve të interesuar.

MSH bën të ditur se vaksinimi do të bëhet nga ora 08:00 deri në ora 16:00.

“Me qëllim të zgjerimit të mundësive për vaksinim kundër COVID-19 në sa më shumë qendra dhe përmes ekipeve mobile, Ministria e Shëndetësisë i njofton qytetarët se gjatë kësaj fundjave (e shtunë dhe e diel, 20 dhe 21 nëntor), një ekip mobil i vaksinimit do të jetë i vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, për t’u ofruar vaksinim qytetarëve të interesuar. Ekipi mobil i vaksinimit që do të jetë nga QKMF-ja e Komunës së Obiliqit, do të vaksinojë për dy ditë radhazi në aeroport nga ora 08:00-16:00”, njofton MSH.

Gjithashtu, MSH thekson se gjatë ditës së sotme ndërkaq, krahas qendrave statike të vaksinimit, përmes ekipeve mobile mundësi vaksinimi është ofruar edhe në disa këshilla të Bashkësisë Islame të Kosovës në kohën e faljes së xhumasë.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilët nuk janë vaksinuar ende apo nuk e kanë kompletuar vaksinimin me të dy dozat që ta bëjnë sa më parë këtë, ndërkohë që po bëhen përgatitjet që brenda disa ditësh të fillohet edhe me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat