KPK dhe KGJK bojkotojnë vettingun, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se do të vazhdojnë me reformën

Aktuale

KPK dhe KGJK bojkotojnë vettingun, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se do të vazhdojnë me reformën

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 09:54
Ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor po e bojkotojnë punën e grupit punues që po bëhet për hartimin e legjislacionit për procesin e vettingut, përkundër kësaj në Ministrin e Drejtësisë thonë se kjo nuk do t’i pengojë ata që të vazhdojnë me reformën të cilët e konsiderojnë substanciale për sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, opozita e konsideron të palogjikshme hartimin e vettingut pa përfshirjen e këtyre dy institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, ndërsa shoqëria civile këshillon KPK dhe KGJK që të mos e ndjek politikën e inateve por t’i bashkohet punës për vettingun.

Këshilltari në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni u shpreh se përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor kanë marrë pjesë në hartimin e koncept-dokumentit për vettingun, por tashmë që të dy sistemet nuk po pajtohen me këtë proces, ndonëse më herët ishin pajtuar që vettingu të zhvillohet me ndryshime ligjore.

Nimoni thotë se kjo nismë për reformën në sistemin e drejtësisë nuk do të ndalet edhe përkundër këtyre kundërshtimeve, pasi siç u shpreh ai për kp, me vetting do të rritet llogaridhënia dhe besimin i qytetarëve në drejtësinë kosovare.

Nimoni: Ne do vazhdojmë për t’i ftuar por reforma nuk do ndalet

“Tash së fundmi janë barrikaduar ashtu me e quajtu dhe kanë tërhequr përfaqësuesit e tyre apo më mirë ta quaj që KGJK ka vendosur në një mbledhje të këshillit të mos të dërgojë fare përfaqësues në grupin punues për vetting, ndërsa Këshilli Prokurorial, gjegjësisht sistemi prokororial, pasi e ka dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre, pas 14 ditësh ka lëshuar një deklaratë me anë të të cilës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë[...]Ata nuk pajtohen me vettingun edhe pse ishin pajtuar në fazat e mëhershme, madje ishin deklaruar se ishin pajtuar me opsionin e ndryshimeve ligjore. Ne kemi marrë edhe rekomandimet e tyre në koncept-dokument, në opsionin 3[...]Ne do të vazhdojmë t’i ftojmë tutje, mirëpo reforma nuk do të ndalet sepse është një reformë shumë substanciale sepse ne konsiderojmë që do ta rris llogaridhënien në sistemin e drejtësisë dhe do t’i rris rezultatet, e po ashtu, do ta kthej besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, ne kemi filluar këtë dhe do vazhdojmë tutje”, theksoi ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa e sheh të palogjikshëm procesin e vettingut pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndonëse e pranon se është e domosdoshme kjo reformë për sistemin e drejtësisë, deputeti i PDK-së thotë se procesi i vettingut kërkon konsensus politik.

Beqa: I palogjikshëm vettingu pa Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial

“Mendoj se është e palogjikshme të mendohet që të bëhet vettingut pa përfshirjen e sistemit të drejtësisë, respektivisht të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial. Unë mendoj se ata duhet ta bartin barrën kryesore dhe duhet të ketë një konsensus politike për vettingun. Mendoj që vettingu është më shumë se i domosdoshëm por jo një vetting i menduar nga një byro politike por të jetë një vetting që i bie tamam reformim i thellë i sistemit të drejtësisë në Kosovës dhe ai normal që nuk ka asnjë logjikë në botë të mendohet një vetting pa përfshirjen e KGJK-së dhe KPK-së“, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Instituti të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj tha se në çdo iniciativë ku diskutohet për përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin e drejtësisë, të pranishëm do të duhej të jenë edhe sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor.

Sipas tij, Këshillit Prokurorial i Kosovës por edhe ai Gjyqësor nuk duhet të ndjekin politikat e inateve, por duhet të marrin pjesë në takimet e grupit punues për vettingun dhe të japin mendimin e tyre për çdo proces.

Miftaraj: KPK dhe KGJK mos të ndjekin politika të inateve, të marrin pjesë në procesin e vettingut

“Besoj se si KGJK dhe KPK, nuk do të duhej të ndjekin politika të inateve por do të duhej që të merrnin pjesë aktive t’i shprehin mendimet e tyre, t’i shprehnin sqarimet e tyre lidhur me çdo iniciativë përfshirë edhe procesin e vettingut[...]KPK dhe KGJK kanë pasur në dispozicion së paku 10 vitet e fundit që të shfrytëzojnë mekanizmat e tyre të brendshëm, kanë pasur mundësi 10 vitet e fundit për të përmirësuar integritetin, performancën efikasitetin, llogaridhënien e vetë sistemit. Në bazë të Kushtetutës, KGJK, KPK janë shtet brenda shtetit, janë institucione vetërregulluese dhe varet nga vetvetja se sa duan të jenë të pavarur dhe transparent dhe sa duan t’i përmbushin obligimet e tyre dhe ne e kemi parë që në 10 vitet e fundit këta këshilla, këta mekanizma kanë dështuar dhe po vazhdojnë të dështojnë sot”, theksoi ai.

Lidhur me mospjesëmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje nga të dy këshillat, por përgjigjet ka kthyer vetëm ai Prokurorial.

Në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, thuhet se janë transparent me çdo proces që po ndodh dhe i cili prek sistemin prokurorial, përfshirë edhe reformën në drejtësi për vettingut.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës është mjaftë transparent lidhur me proceset që janë duke u zhvilluar dhe ku preket edhe sistemi prokurorial në përgjithësi. Lidhur me qëndrimet tona, në vazhdimësi e kemi njoftuar opinionin publik përmes njoftimeve dhe komunikatave për media. Për çdo qëndrim tonin që lidhet edhe me procesin e vetingut, ne do jemi transparent dhe do t’i njoftojmë mediat dhe përmes tyre edhe qytetarët”, thuhej në shkresën e KPK-së.

Në fillim të këtij muaji është mbajtur takimi i parë i grupit punuespër hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa, në fillim të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për procesin e vettingut dhe përgatitjet për këtë proces i cili do zgjas 5 vite, pritet të nisin në tre mujorin e parë të vitit 2022. Në bazë të këtij koncept-dokumenti është paraparë që vettingu në Kosovë të zhvillohet me opsionin e ndryshimeve kushtetuese.

Procesi i vettingut ishte kritikuar në Raportin e Progresit të vitit 2021 për Kosovën, ku ishte thënë se Qeveria ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë, derisa prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat