Eksperti i komunikacionit: Karakteristikë e aksidenteve me zjarr është që autobusi përfshihet shumë shpejt

Aktuale

Eksperti i komunikacionit: Karakteristikë e aksidenteve me zjarr është që autobusi përfshihet shumë shpejt

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 22:19
Visar Baxhuku

Eksperti i komunikacionit Visar Baxhuku ka thënë se është akoma shumë herët të dilet me konstatime se si ka ndodhur aksidenti tragjik në Bullgari ku vdiqën 45 persona.

“Rastet e tilla janë të rralla si ngjarje, por si ashpërsi kanë pasojat shumë më të mëdha për shkak të numrit të pasagjerëve dhe përmasave që bartin në vete mjetet e tilla. Fati i keq është edhe periudha e ngjarjes, sepse shumica e udhëtarëve në atë periudhë flenë. Sot kam përcjellë deklarimet, supozimet dhe hipotezat dhe konstatoj se është shumë herët që të bimë në një konstatim të saktë. Prej ekstremit të majtë ku thuhet materie të rrezikshme deri në ekstremin e djathtë ku një eksperte bullgare u deklarua duke thënë se shkak i aksidentit është sinjalistika e gabuar për shkak se shumë vonë është vendosur informacioni për ishullin ku zakonisht pushojnë mjetet e transportit ndërkombëtar”.

Ai, në Rubikon tha se nëse analizohet sasia e barrierave që ka marrë përpara autobusi rezulton se ai nuk është rrokullisur, derisa thotë se pëlcitja e gomës është krejt normale në raste të goditjeve.

“Mënyra se si u përshkrua ngjarja nga dëshmitari ka një rrjedhë logjike dhe një argumentim teknik, sepse nëse shihet sasisa e barrierave që i ka përmbledhur autobusi nuk është shumë e madhe. Autobusi nuk është i rrokullisur. Pjesa e asaj se çka ka ndodhur me gomën në këto rrethana është e pamundur të konstatohet, sepse është djegur dhe nuk ka asnjë gjurmë. Tani bazohemi në deklarata dhe ndonjë detaj që nuk vërehet në këtë fazën e makro të dhënave. Pas goditjes do të ishte shumë normale që goma të pëlcasë”.

Baxhuku tha se është shumë vështirë të ndizet nafta, derisa thotë se zjarrin mund ta shkaktojnë edhe shkëndijat e dëmtimit të baterisë nëse bien në kontakt me parfum që mund të jetë në bagazhe.

“Shumë vështirë ndizet nafta, duhet të ketë kompresion shumë të madh. Shkaqet e zjarreve në aksidente është elektriciteti që krijohet me avuj, por jo direkt me materien. Nuk përjashtohet mundësia që zjarrin ta shkaktojë edhe dëmtimi i baterisë në kontakt me mallrat dhe bagazhet që kanë qenë – p.sh një lloj parfumi me të cilin krijon kontakt dhe mjafton. Është karakteristikë e aksidenteve ku janë të përfshirë autobusët ku ka shkëndija zjarri në mënyrë shumë të shpejtë përfshihet i gjithë autobusi. Në shumicën e rasteve edhe kur është zjarri është i dukshëm dhe me tym udhëtarët nuk arrijnë që as bagazhet t’i marrin. Në rastin më të mirë dalin jashtë, por bagazhet nuk mund t’i marrin për shkak të shpejtësisë që përhapet zjarri te autobusët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat