Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Aktuale

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 08:21
Qeveria Kurti

(E plotësuar 14:14) - ​Qeveria miraton një sërë projektligjesh dhe ndan 1.7 milionë euro për kompensim të dëmeve në bujqës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar një varg projektligjesh. Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër, projektligjeve që prekin dikasterin e bujqësisë dhe Ministrinë e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Krahas kësaj, qeveria ndau 1.7 milionë euro si kompensim i dëmeve nga fatkeqësitë natyrorë në bujqësi, derisa miratoi edhe nismat për negocimin e marrëveshjeve për përfshirje të Kosovës në programe multilaterale. Në mbledhjen e qeverisë, po ashtu u bë e ditur se ekzekutivi ka përmbushur 43.75% të planit kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) për periudhën korrik-shtator 2021.

Në arsyetimin e vendimit për ndarje 1.7 milionë euro ndaj fermerëve si kompensim i dëmeve të shkaktuara në bujqësi, ministri, Faton Peci tha se kjo do t’i mbulojë mbi 36 përqind të dëmeve.

Peci: 1.7 milionë euro do t’i ndahet fermerëve për mbulimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi

“Për mbështetje financiare në vlerë 1.7 milionë euro ndaj fermerëve për mbulimin e dëmeve të shkaktuara në fushën e bujqësisë për periudhën janar-nëntor 2021. Evidentimi i këtyre dëmeve është bërë nga komunat përmes komisioneve komunale, rastet të caktuara kemi pasur edhe komisione të përbashkëta...Prej 1.7 milionë euro do t’iu kompensohen dëmet në vlerë prej 36.7 përqind e vlerës së dëmeve, për dallim nga vitet paraprake ku kjo vlerë ka qenë 25 për qind”, tha ai.

Miratimin e Projektligjit për turizëm, kreu qeveritar e konsideroi si rrugë përpara për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Kosovë.

Kurti: Ky projektligj i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Kosovë

“Ky projektligj i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Kosovë, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e institucioneve publike dhe subjekteve që ofrojnë shërbime turistike. Po ashtu do të mbrojë turistët dhe do të përsos imazhin turistik të vendit tonë”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se miratimi i projektligjit për markat tregtare dhe projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare e përmbushin agjendën e reformave të BE-së.

Hajdari: Ky projektligj bën pjesë në pakon e harmonizimit të ligjeve me BE-në

“Projektligji për sekrete tregtare është në njërën nga pesë projektligjet e reformës në këtë fushë që do të harmonizojë ligjet vendore me ato të BE-së”, tha ajo.

Ministrja Hajdari dha edhe arsyet e shfuqizimit të vendimit për vazhdimin e mandatit të kryeinspektorit, Lulzim Syla.

Hajdari: Kryeinspektorit Syla i është vazhduar mandati në kundërshtim me ligjin

“Zotëri Syla nuk mund të quhet i emëruar si për herë të parë sipas Ligjit të shërbimit civil sepse ai është emëruar dy herë në bazë të atij ligji. Në vitin 2014 dhe 2018. Nga kjo rrjedh se vendimi i datës 26 shkurt të vitit 2021 i ka vazhduar mandatin zotëri Sylës në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 në Ligjit për zyrtarët publik dhe nenin 26 të rregullores”, shtoi ajo.

Në mbledhjen e sotme, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi informoi edhe kabinetin qeveritar për zbatimin e planit kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) për periudhën korrik-shtator 2021.

Bislimi: Në tremujorin e tretë plani për MSA-në është zbatuar 43.75 përqind

“Sa i përket tremujorit të tretë shkalla e zbatueshmërisë është 43.75 përqind, nga 64 masa sa kanë qenë të planifikuara për këtë periudhë janë zbatuar 28 sosh, ndërsa 36 janë në zbatim e sipër, disa me vonesa”, deklaroi Bislimi.

Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi edhe projektligjin për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë garanti për kontroll të shitjeve te armëve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Po ashtu edhe plotësim-ndryshimin e 18 ligjeve që prekin dikasterin e Bujqësisë për t’i përshtatur me Ligjin për kundërvajtje.

Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe një marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 25.5 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të transmisionit të energjisë. 

***

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, me ç ‘rast janë miratuar 34 pika të rendit të ditës.

Qeveria ka marrë vendim për të miratuar këto pika të rendit të ditës: Aprovimi i Ekstraktit të Procesverbalit dhe Transkriptit nga mbledhja e 41 elektronike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

1. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021.

2. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me Asistencën e ofruar në formë Granti, sipas aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

3. Shqyrtimi i Projektligjit për Mbrojtje të Sekreteve Tregtare.

4. Shqyrtimi i Projektligjit për Markat Tregtare.

5. Shqyrtimi i Projektligjit për Turizmin.

6. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Bimëve.

7. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për Prodhimin, Grumbullimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Duhanit.

8. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Farëzat.

9. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plot3ësimin e Ligjit për Peshkatari dhe Akuakulturë.

10. Shqyrtimi i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë.

11. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Verërat.

12. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bletari.

13. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjuetinë.

14. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Materialin Fidanor.

15. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kooperativat e Bujqve.

16. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pasurimin e Miellit.

17. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve.

18. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Plehrat Artificiale.

19. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rregullimin e Tokës.

20. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ujitjen e Tokave Bujqësore.

21. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veterinarinë.

22. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspekcionin Bujqësor.

23. Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Produktet për mbrojtjen e Bimëve.

24. Shqyrtimi i Draftit të Koncept-dokumentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

25. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, në disa komuna.

26. Shqyrtimi i Nismës për negocimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Fiscalis”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së.

27. Shqyrtimi i Nismës për negocimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Doganor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së.

28. Shqyrtimi i Nismës për negocimin e Amendamentit për vazhdimin e Marrëveshjes së Grantit “Projekti i Rrugëve Rajonale- Mbështetje për Njësinë Zbatuese të Projektit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

29. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për shfuqizimin e  Vendimit të Qeverisë Nr.07/67 të datës 26.02.2021.

30. Informimi i Kabinetit Qeveritar për Raportin mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë periudhës korrik-shtator 2021.

31. Informimi i Kabinetit Qeveritar për Raportin mbi zbatimin e Planit të Veprimit ERA II gjatë periudhës korrik-shtator 2021.

32. Të ndryshme.  

Kujtojmë që mbledhja e Qeverisë ka filluar me një minutë heshtje në nderim të viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi dje në Bullgari ku 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut humbën jetën.

Kryeministri Kurti para fillimit të mbledhjes u shprehi ngushëllime viktimave dhe ftoi kabinetin qeveritar për një minutë heshtje.

Kurti në fund të mbledhjes i ka njoftuar ministrat se nesër në Kuvendin e Kosovës do të ketë seancë plenare për buxhetin, teksa për të premten i njoftoi se do të kenë takim të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë. 

Mbledhja e Qeverisë nis me një minutë heshtje në nderim të viktimave të aksidentit në Bullgari, flet kryeministri 

Me një minutë heshtje për viktimat në aksidentin tragjik që ndodhi në Bullgari ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova bashkëndjenë me Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët tronditur nga kjo tragjedi kombëtare.

I pari i Qeverisë së Kosovës, në adresimin e tij tha se një udhëtim që do të duhet të përmbyllej me gëzimin e kthimit në shtëpi u ndërpre tragjikisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën e Strumës në Bullgari.

Kurti: Një udhëtim që u desh të përmbyllej me gëzim u ndërpre tragjikisht

Një udhëtim që do të duhet të përmbyllet me gëzimin e kthimit në shtëpi u ndërpre tragjikisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën e Strumës në Bullgari. 46 qytetarë prej tyre 12 fëmijë nuk kanë arritur t’i mbijetojnë flakëve të zjarrit që kaploi autobusin që po kthehej nga Turqia për në Maqedoninë e Veriut. Republika e Kosovës bashkëndjenë me Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga kjo tragjedi kombëtare. Ne emër tim dhe Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që i humbën të dashurit në këtë fatkeqësi. Të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe urojmë që tragjeditë e tilla të mos na përsëriten. Në shenjë solidarizimi dhe nderimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dita e sotme është ditë zie shtetërore”, tha Kurti.

Në nderim të viktimave Kosova ka shpall sot ditë zie shtetërore.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e hershëm të së martës, viktima të secilës ishin kryesisht qytetarë nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa shtatë të lënduarit sipas mjekëve janë në gjendje stabile.

Mjekja e kirurgjisë plastike, Maja Argirova tregoi sot se të lënduarit pritet të lirohen deri në fund të javës. 

Mbledhja e Qeverisë nis me një minutë heshtje në nderim të viktimave të aksidentit në Bullgari

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve të të gjithë personave që vdiqën nga aksidenti që ka ndodhur dje në Bullgari.

Ai në mbledhjen e radhës të Qeverisë ka thënë se Kosova bashkëndjen më Maqedoninë e Veriut dhe më të gjithë shqiptarët të cilët janë prekur nga kjo ” tragjedi ndërkombëtare.

Kabineti i Qeverisë ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave nga ky aksident.

***

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhje, me fillim nga ora 10:00, raporton Express.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Ngjarja që zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë, mund të përcillet vetëm nga gazetarët, kameramanët dhe fotografët që janë të akredituar dhe kanë me vete kartelat e akreditimit.

Po ashtu, për ngjarjet që zhvillohen në ndërtesë të Qeverisë luten gazetarët, kameramanët dhe fotografët që të jenë të pajisur me maska mbrojtëse dhe t’i vendosin ato”, thuhet në njoftim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat