Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin, tregon çka po kërkon nga ai dhe Vuçiqi

Aktuale

Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin, tregon çka po kërkon nga ai dhe Vuçiqi

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 17:38
Miroslav Lajçak në Kosovë

(E plotësuar 21:51) - ​Kurti dhe Lajçak flasin për mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti dhe Lajçak diskutuan për dialogun dhe bisedimet e deritanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Image
Lajçak dhe Kurti

“Folën po ashtu për kohën, mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel. U zotuan për komunikim dhe kontakte të rregullta, si dhe koordinim të vazhdueshëm. Paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale e kanë shumë të rëndësishme raportin dhe marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti rikonfirmoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, Lajçak shprehu mbështetjen e tij për agjendën evropiane të Kosovës.

***

Emisari special i BE-së Miroslav Lajçak ka takuar sonte kryeministrin Albin Kurti me të cilin ka biseduar mbi vazhdimin e dialogut në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.

Diplomati sllovak në një prononcim për media tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.

Lajçak: Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak tha se nuk dëshiron të spekulojë.

Lajçak: Takimi do të prodhojë rezultate të mira

“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, tha Lajçak.

Ai tha se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Lajçak sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila përçoi mesazhin te diplomati sllovak se dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke Kosovës-Serbi.

Lajçak: Çështja kryesore s’është takimi Kurti – Vuçiq, por rezultati i tij

Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Lajçak pas takimit tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit por se dëshiron rezultat nga ky takim.

“Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq. Arsyeja nuk është veç takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit, ne jemi duke punuar në këtë drejtim por arsyeja është rezultati i këtij takimi. Ne duam të kemi rezultate pozitive”.

“Të dy liderët më parë kanë zhvilluar dy takime, por pa ndonjë rezultat pozitiv nga këto takime”.

“Tani ambiciet tona janë të tjera këtë herë. Jo vetëm organizimi i takimit, por të kemi edhe pajtim mes palëve”.

Osmani, Lajçakut: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Presidentja Vjosa Osmani dhe i Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë – Serbi dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin.

Image
Miroslav Lajçak dhe Vjosa Osmani

E para e shtetit konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, derisa ka theksuar nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Osmani ka theksuar po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor por si një kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj vlerave të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.

Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në.

***

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron sot për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Kësisoj, takimi i radhës i Lajçakut ishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas atij me presidenten, Vjosa Osmani.

Mediet janë lejuar vetëm të marrin pamje.

Lajçka takohet me Osmanin

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar sot me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Vizita e diplomatit sllovak në Prishtinë vjen pas qëndrimit të tij në Beograd ku ishte takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimet po mbahen me qëllim të përgatitjeve për dialogun e radhës në Bruksel. Në këtë takim, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

Në orën 18:00, Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat