Reagon kryetarja e Preshevës pas refuzimit të vizitës nga Serbia për katër ministrat e Kurtit

Aktuale

Reagon kryetarja e Preshevës pas refuzimit të vizitës nga Serbia për katër ministrat e Kurtit

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 11:59
Ardita Sinani

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas refuzimit të vizitës nga ana e Serbisë të katër ministrave të qeverisë Kurti në Luginën e Preshevës.

Sinani ka shkruar se refuzimi i vizitës së katër ministrave dëshmon se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.

“Përderisa po bënim përgatitjet e fundit organizative për mirëpritjen e vizitës së Ministrave të Republikës së Kosovës: – z.Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës;  – znj.Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;- z.Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve – z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Morëm njoftimin se kjo vizitë u refuzua nga autoritetet e Republikës së Serbisë, edhe pse kërkesa nga ana e tyre ishte bërë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel. Ky refuzim dëshmon se Lugina e Preshevës është pjesë e kontestit Kosovë-Serbi dhe se duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel”, ka shkruar Sinani.

Ajo tutje ka thënë se Beogradi po pengon çfarëdo komunikimi të shqiptarëve të Luginës me qeverinë e Kosovës.

“Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës. Shpreh falenderimin tim të përzemër për ministrat Aliu, Nagavci, Murati e Çeku që zgjodhën Festën e Flamurit për të qenë pranë Luginës së Preshevës. Rasti i sotëm duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës”, ka shkruar ajo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat