Vrasësi e ka kaluar kufirin në Shqipëri, natën e vrasjes makabre në Gllogjan!

Aktuale

Vrasësi e ka kaluar kufirin në Shqipëri, natën e vrasjes makabre në Gllogjan!

Nga: Idriz Morina Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

A i humbën gjurmët policisë së Kosovës për krimin makabër në Gllogjan, ku u vranë dy fëmijë të pafajshëm dhe një burrë, ndërsa mbeti i plagosur një fëmijë tjetër.

Mënyra kaq e shpejtë e largimit të vrasësit, nga vendi i krimit, e bën të qartë se ai e njihte shumë mirë zonën. Ky nuk është indikacion i panevojshëm për hetuesit.

Mungesa e ndjekjes me dronë dhe helikopterë

Por, policia e Kosovës e papërvojë si duket në raste të tilla krimi, përfshirë prokurorët që mund ta kenë pasur rastin, janë vonuar në bllokimin e zonës, dhe madje të kufirit, siç ka kërkuar edhe një avokat.

Madje, edhe nëse do ta kishte bërë rrethimin e zonës, pa kërkime nga ajri me dron dhe helikopterë, mund të ketë qenë shumë e vështirë kapja, e një vrasësi të tillë, kaq gjakftohtë, dhe të rrezikshëm.

Meqë disa ambasada në Kosovë alarmuan se në prag të festave mund të kishte sulme terroriste, edhe policia e Kosovës duhej të zotëronte informacione të tilla, dhe të ishte më e shpejtë në reagim.

Ndoshta, edhe vetë ky informacion mund të ketë ardhur edhe nga informacionet e Policisë së Kosovës, kjo duhet të sqarojë opinionin nëse kishte sinjale për sulme që mund të kualifikohen si terroriste.

Image
Ceremonia e varrimit të dy nxënësve të vrarë Gentiana Mustafaj dhe Ledion Hamzës

Bazuar në afërsinë e vendit tragjik dhe të një aureole që e ka Gllogjani, me një lloj ‘tempulli’ të haradinajve, loti i Ramushit në ceremoninë e varrimit, nuk duket aksidental.

Meqë vrasja ka ndodhur në Gllogjanë, përveçse në vendlindje dhe në territorin ku hija e rëndë e haradinajve funksionon, a mund dhe a duhet t’i intervistojë policia vëllezërit, nëse ata kanë pasur telashe?!

Ramushi që si rrallëherë është parë duke qarë në varrimin e dy fëmijëve, çfarë i ka kujtuar kjo vrasje?

Ju takon haradinajve të flasin, nëse mund të thonë qoftë edhe publikisht, se çfarë mesazhi bart sipas tyre, kjo vrasje makabre.

Ndoshta, duhet të kërkohet edhe ndihma e Edi Ramës, se mos ndoshta vrasësi mund të ishte i afërt në rrethet e tij, dikush që mund të kryejë krime kaq gjakftohta.

Sulmuesi e ka kaluar kufirin nga Gllogjani në drejtim të Tropojës!

Ngjashmëri apo rastësi, me vrasjen në Ibër!

Kjo ngjarje të kujton një skenar tjetër, mjaft të rëndë, i cili jo vetëm patë një fund tragjik për tre fëmijë, por edhe për shqiptarët, pasi i futi në një cikël të paparë të ndëshkimit politik, ku fitues dolën dhe vazhdojnë të dalin serbët nëpërmjet bisedimeve, rrjetit të komplikuar të marrëveshjes.

Në vitin 2004 me 16 mars, para se të fillonin trazirat, tre fëmijë u mbytën në ujërat e lumit Ibër në Mitrovicë. Për këtë u fajësuan serbët. Pas pak filluan protestat, nga paqësore ato shpërthyen në dhunë të paparë. Protestuesit shkuan aq larg sa filluan të thërrisnin kundër KFOR-it, NATO-s, e madje edhe kundër Amerikës.

Grupe të tjera, filluan të sulmonin serbët, përfshirë ca kisha, ndërsa nga veriu u dëbuan mijëra shqiptarë, të cilët nuk u kthyen më kurrë.

Më vonë u kuptuat se në këto skenarë ishte përfshirë SHIK-u. Dhuna ishte aq e frikshme, sa pasi dështuan në marrjen e pushtetit apo provokimin e zgjedhjeve, vazhduan me atentat ndaj presidentit Rugova. Fatmirësisht ky dështoi, por skenari tjetër sapo kishte filluar të rridhte.

Por, djegia e disa kishave, edhe pse shqiptarët dolën humbës në këto ngjarje, pasi më shumë u vranë shqiptarë se sa serb, (që krahasuar me raportin e popullsisë humbjet ishin shumëfish më të mëdha), u bë armë për propagandën serbe dhe shtetet e saj miqësore.

Si pasojë e saj u krijua pakoja e Ahtisarit me shumë lëshime për serbët, si në decentralizim, trashëgimi kishtare, votë e dyfishtë në Kuvend dhe përplot favore tjera për serbët, që po vazhdojnë edhe në bisedimet në Bruksel, për më shumë se një dekadë.

Rolin kyç në ato rrëmuja besohet se e kishte dega agresive e SHIK-ut e drejtuar nga grupi i Qerim Kelmendit e Agron Sylejmanit, i cili gjatë sulmit ndaj policisë, në shkëmbim zjarri mbeti i plagosur rëndë vetë, dhe vdiq pastaj në shtëpinë e Florim Ejupit, të cilin e kishte edhe mik shtëpie.

Pra, frika është se nëse po provokojnë të fillojnë skenarët e destabilizimit të vendit, sulmet ndaj drejtuesve të shtetit, veçse tash janë përmbysur stinët!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat