Avokati i Hashim Thaçit i reagon Vjosa Osmanit për emërimin e Bashkim Jasharit: Kjo nuk i bën nder askujt

Aktuale

Avokati i Hashim Thaçit i reagon Vjosa Osmanit për emërimin e Bashkim Jasharit: Kjo nuk i bën nder askujt

Nga: P.R Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 22:07
Hashim Thaçi

Gjatë ditës së sotme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar Bashkim Jasharin si komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Bashkim Jashari i shërbeu atdheut atëherë kur populli ynë rrezikohej të shuhej nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Edhe tash e tutje do t'i shërbej shtetit të tij duke e udhëhequr ushtrinë e ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë të brezave të tërë. Prandaj ishte nder i veçantë që sot ta emëroj në detyrën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen time të plotë si Komandante Supreme në ngritjen e FSK-së në piedestale edhe më të larta. Në këtë detyrë të shenjtë gjeneralmajor Jasharit i uroj suksese, ndërkaq gjenerallejtënant Ramën e falënderoj për shërbimin e deritashëm!”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në njoftimin për emërimin e Bashkim Jasharit.

E kritika ndaj Osmanit ka drejtuar avokati i Hashim Thaçit, Dastid Pallaska.

“Zëvendësimi i Komandantit të FSK-së duhet të bëhet me ceremoni solemne ushtarake, siç ndodhi më 15 mars 2015 kur Gjeneral-lejtant Rrahman Rama pranoi detyrën nga Gjeneral-lejtant Kadri Kastrati. Atë ditë në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore ishin të pranishëm jo vetëm krerët e shtetit por edhe përfaqësuesit e aleatëve kryesor të vendit, duke përfshirë edhe Ambasadoren e ShBA-ve. Komunikatën për shtyp nga kjo ceremoni mund ta gjeni në koment”, ka shkruar ndër tjerash Pallaska.

“Në atë ngjarje ish Komandanti Kadri Kastrati u dekorua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Iowa-së në ShBA. Kjo është përcjellja e dinjitetshme që meritojnë shërbyesit më të vyer të vendit. Po që se fotografia e sotme nga Presidenca dhe postimi në Facebook i Kryeministrit paraqesin tërë “ceremoninë” e zëvendësimit të Komandantit të FSK-së, kjo nuk i bënë nder askujt. As ish Komandantit, as Komandantit të ri, e as FSK-së”, shkruan në reagimin e tij, avokati i Hashim Thaçit, Dastid Pallaska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat