Kryeministri Kurti: Po përgatitemi për vendime tjera të mira

Aktuale

Kryeministri Kurti: Po përgatitemi për vendime tjera të mira

Nga: M.L. Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 09:33
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook tha se mbrëmë në mbledhjen e 46 të Qeverisë së Kosovës, u morën disa vendime mjaft të rëndësishme.

Ai me këtë rast përmendi masat e reja kundër COVID-19, promovim dhe respektim i diversitetit e barazisë, katër projektligje të miratuara dhe dy vendime të mëhershme të shfuqizuara.

“Mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë, të 46-tën, e zhvilluam në mënyrë elektronike. Si vendim të parë, miratuam masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Ato i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë”, u shpreh kryeministri.

Ai tregoi se viti 2022 u shpall, vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

“Së bashku do të punojmë për një shoqëri me gjithë-përfshirje e mundësi për të gjithë. Ndër 14 vendimet e kësaj mbledhje nga 408 sa kemi marrë gjithsej që nga fillimi i qeverisjes sonë, katër ishin për miratimin e projektligjeve nga fushëveprimi i Ministrisë së Mbrojtjes, tek ai i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e deri te i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, potencoi kryeministri.

Po ashtu, ai njoftoi edhe për shfuqizimin e dy vendimeve të qeverive të mëhershme.

Shtuam ligjshmëri duke shfuqizuar edhe dy vendime të qeverive të mëparshme. Njëri i qershorit të vitit 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Tjetri i qershorit të vitit 2019 për rekomandimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes në lidhje me ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.

Vazhdojmë punën si dhe përgatitjet për vendime tjera të mira…”, përfundoi kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat