Familja e të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt, padit trupin gjykues

Aktuale

Familja e të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt, padit trupin gjykues

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 12:43
Foto

Avokati Besnik Berisha ka bërë të ditur se familja e të akuzuarit Shaban Gogajt, i akuzuar vrasjen e Agonis Tetaj ka paditur trupin gjykues, me në krye kryetaren e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.

Padinë ndaj trupit gjykues, Berisha e arsyeton me pretendimet se kryetarja dhe anëtarët e trupit gjykues rihapen kundërligjshëm shqyrtimin gjyqësor, me ç’rast dëme të pariparueshme i shkaktuan dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë Gogajt dhe familjes së tij.

“Të bindur se vendimet dhe veprimet e trupit gjykues në çështjen penale kundër z.Shaban Gogaj, që nga rihapja e shqyrtimit gjyqësor e deri më datën 25 nëntor 2021 ishin jo vetëm arbitrare, të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese, por edhe skajshmërisht të rrezikshme për sigurinë juridike, e për të cilat gjyqtarët nuk mbrohen nga imuniteti funksional, në cilësi të përfaqësuesit të z. Gogaj dhe prindit të tij, më datën 26 nëntor 2021, pranë Gjykatës Themelore në Pejë kemi deponuar padi për kompensimin e dëmit jo material”, ka thënë avokati Berisha, përmes një postimi në Faceboo.

Ai thotë se “të paditur janë kryetarja dhe anëtarët e trupit gjykues, të cilët si asnjëherë më parë, duke përfillur një kërkesë të kundërligjshme të Kryeprokurorit të Shtetit dhe vartësve të tij, në shkelje të detyrimit të tyre ligjor e kushtetues, rihapen kundërligjshëm shqyrtimin gjyqësor, me ç’rast dëme të pariparueshme i shkaktuan dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë z.Gogaj dhe familjes së tij”.

“Kjo padi mbështetet në parimin e barazisë së qytetarëve para ligjit dhe normat tjera ligjore e kushtetuese që mbrojnë personat e dëmtuar nga veprimet abuzive dhe arbitrare te zyrtareve që paguhen të ndajnë drejtësi”, ka thënë Berisha.

Image

 

Ndryshe, Gjykata e Pejës përmes një vendimi në qershor të këtij viti ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Vendimin për përjashtimin e tij e mori gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, pasi avokati Berisha i është drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, ka deklaruar gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Paraprakisht avokati Berisha u dënua me gjobë 500 euro, sepse sipas gjykatës i njëjti është duke i përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht është duke deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat