Zemaj ngushëllon familjen për vdekjen e gjeneralit të KFOR-it, kërkon që të dekorohet për kontributin e dhënë në Kosovë

Aktuale

Zemaj ngushëllon familjen për vdekjen e gjeneralit të KFOR-it, kërkon që të dekorohet për kontributin e dhënë në Kosovë

Nga: A.ZH Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 22:03
Klaus Reinhardt dhe Astrit Zemaj

Ambasadori Astrit Zemaj, shef i Sektorit për Institucionet e Bashkimit Evropian dhe i Ngarkuar me Punë i Ambasadës në Bruksel, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së gjeneralit Klaus Reinhardt, Komandantit të forcave të KFOR-it në Kosovë, për vdekjen e tij.

Zemaj ka thënë se e kishte takuar disa herë gjeneralin Reinhardt, duke thënë se do t’i jetë përjetësisht mirënjohës për mbështetjen e tij, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se treguar se në vitet 2012 dhe 2014, zyrtarisht kishte rekomanduar dekorimin e tij për kontributin e dhënë për Kosovë, duke shpresuar që kjo të bëhet edhe pas vdekjes së tij.

Reagimi i Zemaj në Facebook:

Pusho në paqe Gjeneral

Lajmi i ndarjes nga jeta të Gjeneralit Klaus Reinhardt, Komandantit të forcave të KFOR-it në Kosovë (KOM-KFOR, Tetor 1999 -Prill 2000), për vendin dhe popullin tonë nënkupton humbjen e mikut të madh, i cili përveç punës në ditë të vështira në fushën ushtarake, ai u angazhua përtej kësaj duke qenë pranë nesh edhe në ndërtimin e shpresës për rilindje pas viteve të rënda të okupimit klasik, e cila rezultoi me një lufte të tmerrshme kundër popullit tonë në vitin 1998-99.

Gjatë punës time me shërbim në Gjermani, disa herë e kam takuar Gjeneralin Reinhardt, shpesh kam biseduar edhe me të në telefon, kam marrë pjesë në një ligjëratë të përbashkët për Kosovën në Frankfurt, dhe në prag të botimit të librit tim rreth "Intervenimit Humanitar Ushtarak në Kosovë" dhe "Evropa në Udhëkryq" edhe jam konsultuar me të(Gjenerali ka qenë Doktor i shkencave ushtarake).

Do ti jem përjetësisht mirënjohës për mbështetjen sa isha me shërbim në Gjermani, veçanërisht për kohën e ndarë dhe vlerësimin për punën time.

Në vitin 2012 dhe 2014, zyrtarisht e kam rekomanduar dekorimin e tij për kontributin e dhënë për Kosovë, shpresoj që kjo të bëhet edhe post mortem.

Me një përshëndetje ushtarake: "Ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë" i shpreh ngushëllime më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtoreve në kuadër të forcave ushtarake gjermane.

Astrit Zemaj

Ambasador

Bruksel 02.12.2021

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat