Përfundon seanca ndaj Gucatit e Haradinajt, mbrojtja shpreh shqetësimet ndaj ZPS-së

Aktuale

Përfundon seanca ndaj Gucatit e Haradinajt, mbrojtja shpreh shqetësimet ndaj ZPS-së

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 09:43

(E plotësuar 11:45) - Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt kanë paraqitur çështjen para trupit gjykues, për veprën për të cilën akuzohen – pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, frikësim të dëshmitarëve e shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees, ka nisur mbrojtjen me prezantimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, e që si i tillë duhet të veprojë dhe të respektohet e drejta e shprehjes së lirë.

Ai ka thënë se drejtësia duhet të ofrohet për të gjithë dhe jo vetëm për disa, teksa foli për punën e Gjykatës Speciale dhe kundërshtimin që ish-krerët e OVL të UÇK-së patën bërë ndaj saj.

Sipas ligjit ky institucion është një institucion i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës, është e drejtë që populli i Kosovës të veprojë si i tillë. Republika moderne e Kosovës i cakton vlerën më të lartë lirisë së shprehjes dhe opinionit. Këto liri janë fituar nga brezi i Hysni Gucatit duke sakrifikuar jetën dhe gjakun e tyre”, u shpreh ai.

Ai shtoi se “krah njohjes së kësaj sakrifice, Republika e Kosovës kërkon që institucionet e veta të jenë të hapura dhe transparente, që rrezja e dritës të ndriçojë të gjitha cepat e organeve administrative dhe gjyqësore”.

Ligji për klasifikimin e informacioneve është i qartë, klasifikimi i informacionit si i kufizuar nuk duhet të përdoret si instrument për të fshehur shkeljet e ligjit, abuzimin me detyrën, mungesën e efikasitetit ose gabimin. Nuk duhet të përdoret për të parandaluar cenimin e një personi apo organizate. Ne po kërkojmë që të kontrollojmë se çfarë bëhet nga puna e personave të dyshuar duke dhënë vetëm versione te censuruara për publikun. E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës duhet të jetë realitet ku drejtësia ofrohet për të gjithë dhe jo vetëm për disa”, ka thënë ai.

Rees ka thënë se Gucati është shprehur sa i përket shqetësimeve lidhur me Gjykatën Speciale, porse sipas tij, fjalën e tij i janë kthyer kundër nga prokurori i specializuar i cili e ka etiketuar Gucatin si oponent të shprehjes ashpër kundër institucionit.

Një shprehje që Gucati ka përdorur është që ZPS nuk ndjekë drejtësinë për të gjithë por vetëm për ca. Pretendimi i prokurorit të specializuar në deklaratën hapëse se kjo gjykatë duhet të jetë një që shtytet nga viktimat, cenohet nga veprimet e zyrës së vet e cila ndjek jo rrugën e dyerve të çdokujt që mund të kenë prova për kriminelë, por mandatin e vet. Është arrogante dhe e pasaktë në masa të barabarta për ZPS që të prezumojë që drejtimi që ka marrë për të ndjekur këtë agjendë është e njëjtë në të gjitha aspektet e mundshme”, përfundoi ai.

Pas kësaj, ka përfunduar për sot seanca gjyqësore.

***

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, sot pritet  të fillojë paraqitja e çështjes së mbrojtjes para trupit gjykues.

Kështu është bërë e ditur të enjten, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të DhSK.

“Në përfundim të konferencës përgatitore të mbrojtjes në rastin Gucati dhe Haradinaj sot, trupi gjykues II nxori një sërë urdhrash gojore duke vendosur, ndër të tjera, se çështja e mbrojtjes do të fillojë nesër (3 dhjetor) me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Gucatit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, paraqitja e provave pritet të fillojë më 6 dhjetor.

Tutje, thuhet se mbrojtja e Haradinajt do të fillojë pas përfundimit të rastit të mbrojtjes së Gucatit.

“Paneli caktoi 17 janar 2022 si datë të synuar për mbylljen e rasteve të mbrojtjes dhe 1 mars 2022 për përfundimin e pjesës provuese të gjithë rastit”, thuhet në fund të njoftimit.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar në muajin tetor të këtij viti, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar  e ka mbyllur çështjen e saj në nëntor.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat