Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria deklarohet lidhur me procesin hetimor

Aktuale

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria deklarohet lidhur me procesin hetimor

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 10:44
Gllogjan

Sot bëhen 12 ditë që nga vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit që ndodhi më 26 nëntor të këtij viti.

Shoferi i autobusit që ishte në lëvizje dhe dy prej nxënësve që ishin pasagjerë mbetën të vdekur si pasojë e një sulmi me armë zjarri ndaj autobusit.

Në anën tjetër, familjet e viktimave deri më tani vazhdojnë të rrijnë me shpresën se organet e rendit do të zbardhin rastin.

Fillimisht, ishte raportuar se sulmi mund të kishte ndodhur shkaku i ndonjë mosmarrëveshje të shoferit të autobusit me pronarët e linjave të tjera të autobusëve, por një gjë e tillë ishte mohuar nga vetë familja e shoferit të ndjerë, të cilët kishin thënë se ai nuk kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje me ndonjë person më herët.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se rasti është ende duke u hetuar.

“Rasti është duke u hetuar, nuk mund të jap ndonjë detaj sepse mund të dëmtojë procesin hetimor”, ka thënë Nikçi.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, dje ka deklaruar se në vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan, cak i sulmit ishte shoferi, kurse sipas tij, dy nxënësit ishin qëlluar aksidentalisht.

Ai ka thënë se në bazë të dëshmive, vrasësi ka pikasur shoferin e autobusit.

“Pa marrë parasysh asnjë krim nuk mund të jetë i përkryer dhe i planifikuar në mënyrë të përkryer. Mendoj që në bazë të asaj që kemi parë nga mediat në vend të ngjarjes ose në ballinën e autobusit ku është xhami më i madh, vrasësi ka pikasur shoferin e autobusit, por i kanë ikur edhe dy plumba anash. Me ata dy plumba që është gjuajtur shoferi janë vrarë edhe dy të rinjtë tragjikisht. Në fotografi mund të shihni që rreth shoferit është një rreth koncentrik prej pesë plumbave dhe targeti primar i vrasësit ka qenë shoferi. Ne mund të flasim edhe për motivin e tij dhe të paragjykojmë, por derisa të gjindet vrasësi dhe të përcaktohet motivi, nuk mund të dimë pse janë vrarë këta njerëz në një vend të banuar”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati Besnik Berisha ka treguar dje informacione të padëgjuara deri më tani rreth ngjarjes.

Ai ka thënë se prokuroria është duke hetuar edhe një pistë tjetër të dyshuar si “hakmarrje si rezultat i humbjes së jetës së një të reje”.

Por, ai ka thënë se aktualisht në këtë pistë nuk ka diçka konkrete dhe se paralelisht me të po hetohet edhe një pistë tjetër.

“Pretendohet se ka pas një vetëvrasje të një të reje që fajësohej shoferi, dmth nga dikush është fajësuar…pastaj pse ia ka nxanë rrugën ky. Unë nuk po them që organet e kanë fajësu, por nga dikush fajësohej, tash edhe emnin s’muj me ia ngjit këtu. Fajësohej për atë akt, për atë humbje jete dhe thuhet se, së paku pista që hetohet, se dyshohet se ka pas një periudhe “grace period”, që pas një viti e tutje nga momenti tragjik t’i mbushë një vjet, unë do të merrem vesh me atë person ndryshe. Dhe kjo është një nga pistat e cila po hetohet, pra hakmarrje si rezultat i humbjes së një jete të një të reje. Por, që ta analizoj këtu, edhe në këtë pistë që po punohet paralelisht me një version tjetër, nuk ka diçka konkrete, ka akoma thashetheme”, ka deklaruar avokati Berisha.

Kujtojmë se 12 ditë nga sulmi me armë automatike ndaj autobusit në Gllogjan, ende nuk ka ndonjë të dyshuar rreth ngjarjes, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ofruar edhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që ofron informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e autorit/ve të këtij akti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat