Si ndodhën tensionet politike Kurti-Borrell në Bruksel?

Aktuale

Si ndodhën tensionet politike Kurti-Borrell në Bruksel?

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 12:03
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, mbrëmë patën tensione në konferencën e përbashkët pas takimit Këshillit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Kurti tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk favorizon krijimin e kësaj trupe.

“Unë jam demokrat dhe besoj se kapitujt e rinj të dialogut Kosovë–Serbi nuk duhet të bëhet që të kënaqin, shpëtojnë lëkurën apo shpëtojnë fytyrën e ndonjë politikani. Dialogu duhet t’u ndihmojë dhe t’u shërbejë njerëzve. Kam frikë se asociacioni më parë është në shërbim të Beogradit sesa të serbëve të thjeshtë e të varfër në Kosovë, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i Republikës sonë,” theksoi Kurti.

Nga ana e tij, Borrell thotë se themelimi i AKS-së është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

“Unë jam demokrat po ashtu. Nuk jam këtu që t’i shërbej ndonjë politikani nga asnjëra palë. Unë nuk pajtohem me ju në faktin që Gjykata Kushtetuese, që shmang pengesat, e bën të pamundur zbatimin e kësaj ujdie. Ajo është arritur nga qeveritë e të dyja vendeve, në mirëbesim, sipas normave. Më fal kryeministër, por ne do të vazhdojmë t’ju kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E di që ka ujdi tjera të pazbatuara,” shtoi diplomati spanjoll.

Qëndrimet ishin të kundërta edhe për rezultatin final të dialogut.

Kurti pret që finalja të jetë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Përderisa Borrell kërkon pajtim ligjërisht të obligueshëm.

E sa për takimin në kuadër të dialogut mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që mendohet të mbahet deri në fund të vitit, Borrell tha se kanë sinjale që palët “nuk janë të gatshme për takim, që do të sillte rezultate”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat