Demush Shasha tregon cilat janë dy lajmet nga mbledhja e djeshme në Bruksel, ja çfarë konfirmoi Kurti

Aktuale

Demush Shasha tregon cilat janë dy lajmet nga mbledhja e djeshme në Bruksel, ja çfarë konfirmoi Kurti

Nga: G.B Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 13:32
Demush Shasha

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka reaguar për mbledhjen e djeshme të Këshillit Stabilizim Asocimi.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë dy lajme nga kjo mbledhje, e para që kryeministri Kurti konfirmoi se Kosova do të aplikojë vitin tjetër për anëtarësim në BE – akti i cili shpie drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, përcjell Bota sot.

Ndërsa, lajmi i dytë sipas tij është hendeku në mes Kosovës dhe BE-së për çështjen e Asociacionit tani më është edhe publik.

Postimi i tij i plotë:

Janë dy lajme nga mbledhja e djeshme e Këshillit Stabilizim Asocimi:

1. Kryeministri Kurti konfirmoi se Kosova do të aplikojë vitin tjetër për anëtarësim në BE – akti i cili shpie drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është njohje e rëndësishme politike dhe ekonomike për vendin. Është një lloj i avancimit nga liga e dytë të vendeve të Ballkanit, në ligën e parë. Kosova dhe Bosnja mbesin të vetmet vendet në rajon pa statusin e vendit kandidat. Sa do jetë i suksesshëm aplikimi i Kosovës mbetet të shihet. Bosnja ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2016 dhe përkundër pranimit të aplikacionit nga ana e BE-së, Bosnja ende, pesë vite më vonë, nuk ka arritur të përmbush kriteret e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sidoqoftë, tentativa e Qeverisë për të dalë nga status-quoja në procesin e integrimit është e mirëseardhur.

2. Hendeku në mes Kosovës dhe BE-së për çështjen e Asociacionit tani më është edhe publik. Përfaqësuesi i Lartë Borrell publikisht shprehi mospajtim me Kryeministrin Kurti sa i përket obligimit të Kosovës për ngritjen e Asociacionit. Në të njëjtën vij me BE-në është edhe SHBA. Pra, deri në, dhe me përfundimin e zgjedhjeve në Serbi në prill 2022, presioni ndërkombëtar mbi Kryeministrin Kurti do të rritet për të marr vendime të vështira në kuadër të dialogut. Është e qartë se i vije fundi atij narracioni “dialogu është prioritet i katërt”, “duhet të bëhet dialog me Serbët lokal”, “CEFTA duhet të zëvendësohet me SEFTA”, etj. Tani më është e qartë se asnjë nga këto qëndrimet nuk kanë mbështetjen e BE-së apo SHBA-ve. Siç duket Kryeministri Kurti është në udhëkryq. Me një anë ai mund të zgjedh rrugën e lehtë dhe të bëhet “i favorizuari i ndërkombëtarëve”, duke thënë PO kërkesave të tyre. Apo ai mund të zgjedh rrugën e vështirë dhe të qëndroj besnik bindjeve të tij dhe aleancës që ka bërë me qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat