Vdes veterani i Koshares dhe zyrtari i LDK-së në Gjermani

Aktuale

Vdes veterani i Koshares dhe zyrtari i LDK-së në Gjermani

Nga: A.SH Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 14:14
Isuf Qetaj

Ka vdekur ish-luftëtari i Koshares, Isuf Qetaj.

Ai ishte edhe anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Gjermani.

Për këtë ka njoftuar kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, përcjell “Bota sot”.

LAJM MORTOR

“Njoftojmë gjithë bashkatdhetarët në Gjermani e Mërgatë se sot u nda nga ne veprimtari, anëtari i kryesisë së LDK-së Dega në Gjermani, ish-luftëtari i Koshares - ISUF DEMË QETAJ, familjes Qetaj, shokëve, veprimtarëve, istogasve ju shprehi ngushëllimet e thella nga zemra! LDK-së dhe Mërgatës humbi një aktivist të devotshëm.

Shpirti i tij pushoftë në parajsë!

Kryesia e Degës, nëndegët, anëtarësia e LDK-së në Gjermani. 08.12.2021”

Pas vdekjes së tij kanë reaguar komandantë të luftës në Koshare, bashkëluftëtarë e miq.

Ish-komandanti i Brigadës 138 në Koshare, Rrustem Berisha ka shprehur ngushëllime për vdekjen e bashkëluftëtarit të tij, Isuf Qetaj.

“Vlerat tua do t’i kujtojmë me krenari”, ka thënë ai.

"Me pikëllim të madh dhe të rëndë e mora lajmin për vdekjen e bashkëluftëtarit tonë Isuf Qetaj.

Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, farefisin dhe bashkëluftëtarët e Koshares.

Vlerat tua do t’i kujtojmë me krenari.

Shpirti yt pushoftë në paqe Isuf!”, ka shkruar Berisha.

Po ashtu Besnik Kada, veteran i Koshares, mik i Isufi Qetajt ka shprehur dhimbjen për të, duke thënë se tash do të pushojë i qetë në paqen e pasosun në Dardaninë që aq shumë e deshe.

“Lamtumirë Hero Isuf Qetaj!

Na këpute shpirtin dhe na mërzite shumë Trim i Koshares! Pusho i qetë në paqen e pasosun në Dardaninë që aq shumë e deshe.”

Pas këtij lajmi të hidhur ka reaguar edhe ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi i cili ka thënë ky është një lajm i rëndë.

Ai ka ngritur lartë figurën e tij duke thënë se ishte luftëtar trim dhe aktivist i palodhshëm i LDK-së.

“Pusho i qetë o trimi i Koshares, e aktivisti i palodhshëm i LDK-së, Isuf Qetaj. I rëndë lajmi për vdekjen tënde. Zoti e bekoftë shpirtin tënd fisnik. Ngushëllime familjes Qetaj!”

Edhe bashkëluftëtari i tij, Xhafer Shabani, ka shprehur ngushëllime duke thënë se ky lajm i trishtoi të gjithë ata që e patën bashkëluftëtar, mik e shok.

“Lajmi i hidhur për vdekjen tënde, o Isuf Qetaj, o trimi i Brigadës 138 Agim Ramadani, Legjenda e Togës së Mortajave 82 mm-she, Breshëri 1, na trishtoi të gjithë neve që të patëm bashkëluftëtar, mik e shok. Në emrin tim personal dhe në emrin e të gjithë bashkëluftëtarëve të Togës së Mortajave 82 mm -she Breshëri 1, familje së madhe Qetaj, të gjithë bashkëluftëtarëve të Brigadës 138 dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për ty, ngushëllimet më të sinqerta. Qofsh banorë i përhershëm në Kopshtin e Parajsës”, shkruan ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat