Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj tregon si u dërguan pakot me dokumente në zyrat e veteranëve

Aktuale

Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj tregon si u dërguan pakot me dokumente në zyrat e veteranëve

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 11:14
Asistentja teknike e OVL UÇK-së, Aida Miftari

(E plotësuar 16:47) -Metush Kryeziu në Hagë: Do të doja të isha i burgosur në vend të Hysniut e Nasimit

Para Dhomave të Specializuara në Hagë ka dëshmuar anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Metush Kryeziu i cili ka thënë se vendimi lidhur me dokumentet që ishin sjellë aty ishte marrë në mënyrë unanime nga kryesia dhe se Hysni Gucati e Nasim Haradinaj vetëm e kanë zbatuar atë.

Para trupit gjykues, Kryeziu ka thënë se OVL-UÇK ka qenë gjithmonë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Kryeziu: Gucati e Haradinaj vetëm e kanë zbatuar vendimin e kryesisë

Vendimi që të bëheshin publik dokumentet e sjella ishte vendim kolektiv të cilin e mori kryesia, të 23 anëtarët me shumicë votash, me sa më kujtohet vendimi nëse duhej të publikoheshin dokumente të tilla ishte unanim. Hysniu, Nasimi dhe Fatoni vetëm sa e kanë zbatuar vendimin e kryesisë. OVL ka qenë gjithmonë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe mendonim që këto dokumente që ishin sjellë ishin të lidhura me serbët, DHSK konsideron secilin veteran shqiptar si terrorist”, ka thënë Kryeziu në deklaratën e tij me shkrim.

Kryeziu ka shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e OVL-UÇK-së.

Kryeziu: Do të doja të isha i burgosur në vend të Hysniut e Nasimit

“Do të doja që unë të isha i burgosur në Hagë në vend të Hysniut dhe Nasimit, Hysniu është i plagosur në këmbë dhe vuan nga diabeti kronik, sa përket Nasimit nuk njoh ndonjë familje tjetër në Kosovë që ka vuajtur më shumë se familja e Nasimit”, ka thënë Kryeziu.

Për dallim nga dy dëshmitarë paraprakë, për Kryeziun nuk ka pasur pyetje nga palët, veçse mbrojtja e ka lexuar deklaratën e tij me shkrim, të cilën e ka pranuar turpi gjykues si provë materiale, përjashtuar paragrafit 19 dhe 20, të cilët i ka kundërshtuar prokuroria.

Sipas deklaratës së Kryeziut, më 17 shtator 2020 ai ka qenë në zyrat qendrore të OVL-UÇK në Prishtinë kur aty kishin arritur hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai ka thënë se prezenca e tij lidhej me punët e tij të zakonshme në organizatë.

Kryeziu ka thënë se nuk ka folur me asnjëri nga ZPS duke shtuar që të njëjtit kanë biseduar me Gucatin e Haradinajn.

Ai ka thënë se dokumentet atë ditë i janë dorëzuar ZPS-së dhe hetuesit kanë dalë nga objekti pasi që kanë marrë paketat.

Me deklaratën e Kryeziut, trupi gjykues ka përfunduar dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes për sot. Procesi gjyqësor vazhdon nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. 

Marashi në Hagë: Gjykata Speciale është kundër vullnetit tonë

Anëtari i Këshillit Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Pren Marashi, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Në deklaratën e tij Marashi ka folur për datën 8 shtator 2020 kur, sipas tij, hetues të ZPS kishin shkuar në OVL-UÇK. Ai ka thënë se është irrituar nga sjellja e ZPS-së dhe ka kritikuar mënyrën se si janë sjellë në organizatë.

Marashi ka thënë se ishin dy hetues të ZPS-së dhe dy përkthyes dhe sipas tij njëri me maskë nuk pranonte të ulej duke thënë se është aty për të ofruar siguri.

Marashi: Zyrtarët e ZPS-së i kanë tejkaluar kompetencat e tyre

“Kanë hyrë në zyrat e OVL-së i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe mënyrën e sjelljes së tyre si zyrtarë, e ka caktuar një ultimatum duke na thënë mua dhe Fatonit (Klinaku) që ishim në kafene duke na thënë i keni dy minuta që të vini në zyre. Dhe kjo normal që na ka irrituar dhe ju kemi drejtuar se ‘a e dini që ku jeni’. Nuk përputhej sjellja me një zyrtar i cili ka ardhur në mënyrë të mirësjellshme që të kërkojë një dokument ose një shërbim por erdhi në formë urdhri pa treguar asnjë dokument, ishte vet i dyti dhe dy përkthyes i kishte me veti”, ka thënë ai.

Marashi është pyetur nga prokurorja Valeria Bolici se cili është numri i anëtarëve në OVL-UÇK por ai e ka kundërshtuar këtë pyetje.

Marashi: ZPS i ka bastisur zyrat e OVL-UÇK dhe e di cili është numri i anëtarëve në organizatë

“Për shkak se ju i keni bastisur zyrat, keni konfiskuar një numër të madh të materialeve nga zyrat e OVL-së pa ndonjë procedurë apo pa ndonjë procesverbal ju me siguri e dini sa është numri i përafërt e unë nuk dua të spekuloj”, ka thënë ai.

Marashi ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me kundërshtimin e Gjykatës Speciale.

Marashi: Gjykata Speciale është kundër vullnetit tonë

“Nuk kemi çka me fsheh, është diçka kundër vullnetit tonë dhe qëndrojmë prapa saj, dhe besoni një mendim të tillë pjesa dërrmuese e luftëtarëve të UÇK-së e kanë... Kur them pjesa dërrmuese e ish-ushtarëve të UÇK-së, këtu përfshihet kryetari, nënkryetari dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së. Publikimi i dosjeve, ju lutem më lejoni ta përfundoj, publikimi i këtyre dosjeve, ardhja e tyre në organizatën e veteranëve është çështja që duhet ta brengosë edhe mua, edhe Hysniun edhe të gjithë çka jemi ushtarë të UÇK-së, sepse e dimë nga rrjedhin. Anashkalimi i burimit të këtyre është për t’u diskutuar, është për t’u dënuar e jo të bëhet gjahu ndaj ushtarëve të UÇK-së, personalisht duhet të kërkohet përgjegjësi nga këto institucione e jo organizata e veteranëve”, ka thënë Marashi.

Gjatë dëshmisë së tij, Marashi ka thënë se e përkrah Nasim Haradinajn. Trupi gjykues e ka pranuar deklaratën e tij me shkrim si provë materiale përveç katër paragrafëve të cilët i ka kundërshtuar prokuroria.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

 Ballazhi: Gucati dhe Haradinaj janë pengje të ZPS-së

Gazetarja Elmedina Ballazhi sot ishte në pozitën e dëshmitares në seancën gjyqësore të rastit ndaj ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucati, dhe ish-nënkryetarit Nasim Haradinaj.

Ajo para të pranishmëve ka thënë se mendon që Gucati dhe Haradinaj po mbahen peng nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, sipas saj ata nuk janë të akuzuar.

“Unë jam mbështetëse e detyrës sime si gazetare jam mbështetëse e vlerave të luftës, sepse kam qenë një fëmijë i vogël dhe kam kaluar në këmbë kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar në fshatin Bllacë. Sepse jam nga Hani Elezit”.

“Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn nuk i quaj të akuzuar, sepse mbahen padrejtësisht këtu. E mendoj për të vetmen arsye se rrjedhja e dokumenteve ka ndodhur vetëm nga zyra e ZPS-së sepse gjykata është në Holandë nuk është në Kosovë pse e lejuat rrjedhjen e këtyre dosjeve mendoj që këta po mbahen peng dhe jo të akuzuar”, ka thënë Ballazhi.

Në ditëlindjen e saj gazetares Elmedina Ballazhi i bie të dëshmojë në rastin Gucati-Haradinaj

Gazetarja Elmedina Ballazhi sot është në pozitën e dëshmitares në seancën gjyqësore të rastit ndaj ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucati, dhe ish-nënkryetarit Nasim Haradinaj.

Ballazhi ka bërë të ditur se sot ka ditëlindjen e saj dhe është dëshmitare në rastin e Gucatit dhe Haradinajt.

Asaj, ditëlindja iu urua nga të pranishmit në seancë.

Ballazhi është gazetarja e dytë që raporton para Speciales në rastin Gucati-Haradinaj. Para saj kishte raportuar gazetari Halil Berisha.

***

Taibe Miftari, asistente teknike dhe recepsioniste në zyrën kryesore të Organizuarës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka rrëfyer tre rastet kur në OVL-UÇK një person i panjohur ka dërguar dokumente dhe ka thënë se e gjithë kjo i ka shkaktuar traumë për çka ende i bartë pasojat. Ajo është dëshmitarja e mbrojtjes në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Në ditën e parë të paraqitjes së saj para Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja e ka lexuar deklaratën e saj me shkrim të cilën trupi gjykues e ka pranuar si provë materiale.

Në deklaratën e saj me shkrim, të cilën ne ka lexuar mbrojtja, Taibe Miftari ka thënë se dokumentet në OVL-UÇK në tre rastet janë dorëzuar nga tre persona të ndryshëm dhe se të njëjtat ajo nuk i ka lexuar.

Ajo ka thënë se më 7 shtator rreth orës 10:00 ndodhej në zyrën e saj në OVL-UÇK kur një person i panjohur ishte shfaqur në korridor. Sipas saj, i njëjti mbante maskë anti-Covid, kapele bejsbolli, syzë të diellit dhe doreza andaj ishte e pamundur të dallonte ndonjë tipar identifikues.

Miftari(Lexohet nga mbrojtja): Isha e brengosur se në paketë mund të kishte bombë

“E lëshoi paketën në një tavolinë të vogël drejt tavolinës sime, ishte një paketë nga kartoni e cila ishte goxha e madhe, isha e ulur në tavolinën time kur e lëshoi paketën dhe tha ‘jepja atij që flet në televizor’. E pyeta kush ishte, por nuk tha asgjë dhe u largua. U ngrita nga karrigia ime dhe e pyeta disa herë kush ishte por ai vazhdoi të ecte, foli në shqip dhe nuk kishte asgjë të pazakontë apo të çuditshme lidhur me mënyrën se si ai foli, nuk i kam kushtuar vëmendje njeriut që po largohej dhe nuk kam bërë ndonjë përpjekje për të ndjekur pas, isha e brengosur që në paketë mund të kishte bombë dhe isha e frikësuar që do të eksplodonte”, ka thënë Miftari në deklaratën e saj me shkrim.

Pas kësaj, ajo ka thënë se ka shkuar në zyrën e kryetarit të OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe i ka njoftuar ata.

Miftari ka thënë se një prej anëtarëve të kryesisë së lartë që ishte në zyrë me Gucatin dhe të tjerët e ka marrë paketën dhe e kanë dërguar në zyrën e Gucatit. Sipas saj, ajo nuk ka parë asgjë nga dokumentet që ishin sjellë.

Miftari: Ende kam pasoja nga tronditja në OVL-UÇK

“Isha vërtetë e frikësuar dhe stresuar në atë kohë meqë asgjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë, isha e shtangur në të vërtetë sepse mendova që në paketë kishte bombë dhe për këtë arsye nuk kam dashur ta hap atë. Prej ndodhjes kam përjetuar pasojat e kësaj tronditjeje, duke qenë kështu ju shmangem situatave kur mund të mbetëm vet në zyrat e OVL-së. Nuk kam qenë e përfshirë fare në konferencën për shtyp dhe mund të them që dokumentet i kam parë vetëm nga distanca dhe nuk më kanë lejuar t’i shoh ato”, ka thënë ajo në deklaratën me shkrim.

Tutje, në deklaratën e saj me shkrim, Miftari ka thënë se të nesërmen më 8 shtator 2020 përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë vizituar zyrat e OVL-UÇK-së dhe kanë biseduar me Faton Klinakun meqë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin me pushime.

Ndërsa më 16 shtator ka thënë se ka arritur dërgesë tjetër sipas saj rreth orës 15:00.

Në dërgesën e dyta ajo ka thënë se kanë qenë tre paketa prej të cilave njëra ishte më e madhe.

Miftari: Personi që i solli paketat herën e dytë ishte i ndryshëm nga i pari

“Njeriu që i solli ato paketa ishte ndryshe nga ai që i kishte sjellë dokumentet herën e parë më 7 shtator 2020. Ky njëri kishte kapelë të bejsbollit, syze të diellit, doreza, bluzë me kapuq dhe rroba me ngjyrë të kaltër të mbylltë ose kaltër të thellë, ai ishte më i gjatë se njeriu i parë që kishte sjellë dokumentet, gjatësia e tij ishte e vetmja gjë që dallonte atë nga njeriu i parë që kishte sjellë dërgesën”, ka thënë Miftari.

Ajo ka thënë se në të gjitha rastet dokumentet janë marrë nga Gucati e Haradinaj dhe ajo nuk është lejuar t’i shoh ato.

Në deklaratën e saj me shkrim, Miftari ka treguar që më 17 shtator hetuesit e ZPS-së përsëri kanë vizituar zyrat e organizatës dhe kanë biseduar me Gucatin.

Ndërsa më 22 shtator, sipas saj, rreth orës 10:00 ka arritur dërgesa e tretë në OVL-UÇK. Miftari ka thënë se përsëri ishte një tjetër pëson që i kishte dërguar ato.

Miftari: Herën e tretë pash një njëri duke dalë nga ashensori dhe mbante grumbuj të dokumenteve

“Pash një njëri duke dalë nga ashensori, ai ishte i maskuar dhe mbante syze të diellit, doreza dhe një kapele të bejsbollit. Njeriu i vuri duart në bel, kur e pash duke e bërë atë isha e ulur pranë tavolinës sime dhe e lëviza karrigen, që është karrige e zyrës me rrota, sepse nuk e dija çfarë kishte në brez. Nëse kishte armë ai mund të më vriste, isha e frikësuar dhe lëviza në të djathtë në rast se do të kishte armë. Njeriu kishte grumbuj të dokumenteve në trup të futura në këmishën e tij, ai po e ngrinte këmishën lartë për t’i nxjerrë letrat e atëherë mendova që ai ishte duke nxjerrë një armë, ai pastaj i nxori letrat dhe i lëshoi në dysheme, në këtë moment unë u çova dhe shkova tek dera e zyrës sime i thash ‘kush je ti’, atëherë ai bërtiti me zë të lartë ‘mos më pengo, mos më pengo’. Pasi e tha këtë ai shkoi poshtë”, ka thënë Miftari në deklaratën e saj me shkrim.

Ajo ka thënë se i njëjti ka folur në gjuhën shqipe.

Deklarata me shkrim e Taibe Miftarit ka vazhduar me ditën e bastisjes në organizatë që ishte 25 shtatori i vitit 2020.

Miftari: Incidenti i bastisjes ishte shumë stresues

“Krejt incidenti ishte shumë stresues dhe më ka shkaktuar shumë ankth dhe nuk kam mundur të fle mirë atë natë. Në asnjë moment kurrë nuk më kanë kërkuar të bëj kopje ose të shpërndajë kopje të një dokumenti që ishte sjellë, vetëm më kanë kërkuar t’i bartë ato prej një zyre në tjetrën por nuk i kam lexuar asnjërën prej tyre dhe nuk e di se çka përmbanin ato, në këto rrethana, unë ende shkoj në punë por meqë i kam parë personat e maskuar duke hyrë në zyrat e OVL-së brengosem kur shoh njerëzit në publik duke mbajtur maska meqë ato barten aktualisht për shkak të pandemisë COVID-19. Prirem t’u shmangëm njerëzve të maskuar e tërë kjo më ka shkaktuar traumë dhe ishte mjaft frikësuese”, ka thënë Miftari.

Deklarata me shkrim e Taibe Miftarit është pranuar si provë materiale nga trupi gjykues me përjashtim të paragrafit 35 dhe 40 që është kundërshtuar me kërkesën e ZPS-së.

Taibe Miftari është dëshmitare e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe publikimi i kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës

***

Asistentja teknike e OVL UÇK-së: Ishte stresues procesi i bastisjes nga Specialja në zyret tona

Asistentja teknike e OVL UÇK-së, Aida Miftari, sot është paraqitur si dëshmitare para Gjykatës Speciale të Hagës në seancën e radhës së ish-kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit, dhe ish-nënkryetarit, Nasim Haradinaj.

Ajo gjatë dëshmisë së saj ka thënë se bastisja në zyret e OVL UÇK-së nga pjesëtar të Speciales i kishte shkaktuar stres dhe ankth.

“Më 25 shtator 2020 erdhi ZPS-ja në zyret e OVL UÇK-së për bastisje. Një koleg më tha se një zyrtar i ZPS-së i kishte thënë se kisha pesë minuta kohë për t’u larguar nga zyrja dhe t’i largoj gjërat e mia”.

“Krejt incidenti ishte shumë stresues më ka shkaktuar shumë ankth dhe nuk kam mundur të fle mirë atë natë”,ka thënë Miftari.

Ajo ka thënë se krejt ngjarja, prej kur personat e maskuar i kishin dërguar dokumente në zyre, e ka traumatizuar atë

***

Asistentja teknike e OVL UÇK-së, Aida Miftari, sot është si dëshmitare para Gjykatës Speciale të Hagës në seancën e radhës së ish-kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit, dhe ish-nënkryetarit, Nasim Haradinaj.

Ajo para trupit gjykues në dëshminë e saj ka folur për momentet kur në zyrat e OVL UÇK-së ishin dërguar disa pako për të cilat thuhej se ishin dokumente të Speciales.

Miftari tregoi se pakoja me dokumente për herë të parë ishte dërguar më shtatë shtator rreth orës 10:00 të mëngjesit në zyrën e saj.

Ajo tha se e kishte parë një njeri të panjohur në korridor të cilit nuk mundi t’ia dallonte fytyrën, dhe ai e kishte lënë pakon duke i thënë që “Jepja atij që del në televizor.

“Isha e ulur pranë tavolinës sime në zyrë dhe e pash duke ardhur në korridor atë person. Kur hyri në  zyrat tona në dorë e pati një paketë. Hyri në zyrën time e lëshoi paketën mbi një tavolinë të vogël,  dhe tha jepja atij që flet në televizor. U ngrita nga karrigja ime dhe e pyeta se kush ishte, por ai eci. Nuk kam bërë ndonjë përpjekje për ta ndjekur isha e frikësuar se mos kishte ndonjë bombë dhe mund të shpërthente”.

“Pastaj, shkova në zyrën e kryetarit Hysni Gucatit, aty ishte edhe Nasim Haradinaj, Faton Klinaku dhe Çel Gashi. Aty u drejtova të gjithëve dhe u tregova. Atë më pyetën se kush ishte unë ju thash një person që i kishte rrobat me ngjyrë të mbylltë, ishte e pamundur t’i shihja tiparet e fytyrës kishte maskë mjekësore, mbante kapelë besjbolli dhe syze”.

“Më pas ata të katër erdhën në zyrën time dhe i shikuan kamerat e organizatës. Ata e morën paketën nga zyra, dhe nuk e di se kush e ka hapur pakon, ata e vazhduan punën në zyrën e Gucatit. Isha e frikësuar në atë kohë sepse nuk më kishte ndodhur një gjë e tillë më parë, dokumentet i kam parë vetëm nga distanca dhe nuk më është lejuar t’i shoh ato”, ka thënë Miftari.

***

Sot ka filluar seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit dhe ndaj ish-nënkryetarit Nasim Haradinaj.

Seanca ka filluar me dëshmitaren e rastit që është Aida Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat