​BE del me konkluzione: Procesi i zgjerimit mbetet politika kyçe

Aktuale

​BE del me konkluzione: Procesi i zgjerimit mbetet politika kyçe

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Ministrat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian sot kanë diskutuar për procesin e zgjerimit dhe të Stabilizim Asociimit.

Në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, ministrat përsëritën përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit, që sipas tyre, mbetet politika kyçe e BE-së.

Por, gjatë diskutimit nuk është arritur pajtimi i të gjitha shteteve anëtare për miratimin e konkluzioneve, pasi disa shtete kanë pasur vërejtje. Prandaj, më vonë gjatë së martës, ministrat do t’i kthehen edhe një herë kësaj teme, për të parë nëse do të ketë pajtim për konkluzionet.

Sipas burimeve diplomatike, Bullgaria ka vazhduar të kërkojë që në dokumente të BE-së të futen edhe kërkesat e saja për problemet bilaterale që ka me Maqedoninë Veriore. Greqia dhe Qiproja kanë pasur vërejtje për pjesën e tekstit që flet për Turqinë, ndërkaq Kroacia ka pasur vërejte për pjesën e tekstit që i kushtohet reformës zgjedhore në Bosnjë e Hercegovinë.

Presidenca sllovene e BE-së insiston që deri në fund të këtij viti të hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndonëse një mundësi e tillë duket pak e arritshme.

Nëse shtetet e BE-së nuk arrijnë pajtim për versionin e ri të tekstit, që mund të dalë gjatë ditës, atëherë konkluzionet do të publikohen si “konkluzione të Presidencës sllovene të BE-së”. Nëse ndodh kështu, atëherë konkluzionet do të jenë më shumë një porosi politike sesa një dokument i përbashkët i Këshillit të BE-së.

Ndryshe, në draftin e konkluzioneve thuhet se procesi i zgjerimit të bllokut evropian “është një investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.

“Këshilli nënvizon se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane, janë një zgjedhje e vendosur strategjike, thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në BE”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kërkohet që ato të përshtatin qëndrimet e tyre të politikës së jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Po ashtu, kërkohet që edhe politikat e tyre për ruajtjen e mjedisit të jenë në përputhje me strategjinë e BE-së. Kjo kërkohet që të bëhet përmes “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe të jetë pjesë përbërëse e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli po ashtu thekson se sundimi i ligjit është element kyç nga i cili do të varet edhe dinamika e përparimit të vendeve të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane.

Në pjesën që i kushtohet Kosovës, në dokument thuhet se BE-ja mirëpret konfirmimin e Qeverisë së re të Kosovës për përkushtimin ndaj rrugëtimit evropian dhe reformat e lidhura me këtë i sheh si një zgjidhje strategjike.

Në dokumentin e konkluzioneve kërkohet që Kosova të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të dëshmojë rezultate në luftë kundër korrupsionit dhe po ashtu të zbatojë reforma në përputhje me standardet evropiane.

Sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga të dyja vendet kërkohet që të angazhohen me vullnet të mirë në këtë proces, në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

“Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet e hapura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajon. Kjo është kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

“Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet po ashtu të shmangin veprimet që dëmtojnë stabilitetin dhe retorikën, e cila nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat