Amerika po kërkon arrestimin e grupit kriminal serb në veri, Radojçiq, Veselinoviç - Pse po hesht prokuroria?!

Aktuale

Amerika po kërkon arrestimin e grupit kriminal serb në veri, Radojçiq, Veselinoviç - Pse po hesht prokuroria?!

Nga: Idriz Morina Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 13:28
Milan Radojçiq i ekspozuar si mafioz tipik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kërkuan Serbisë hapur që të veprojë ndaj individëve dhe kompanive, që janë futur në listën e zezë të saj, për shkak se janë pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar.

Mesazhi iu dha qartë gjatë vizitës treditore në Serbi nga data 13 deri më 15 dhjetor, nga ushtruesi i detyrës së Ndihmësit të Sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern.

Kërkesa publike për hetime, arrestime dhe zbardhje

“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, kjo deklaratë e tij është përcjellë nga ambasada e SHBA-ve në Serbi, duke e cituar z.Ahern.

Ky mesazh nuk duhet të lexohet vetëm si një inkurajim dhe detyrim për hir të stabilitetit dhe paqes që të veprojë drejtësia në Serbi.

Ky mesazh është i mjaftueshëm, që institucionet e drejtësisë në Kosovë të bashkëveprojnë dhe të realizojnë qëllimin e spastrimit të veriut nga grupet kriminale ndërkombëtare.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së, më 8 dhjetor, e publikoi listën e këtij grupi duke quajtur “Krimi i organizuar ndërkombëtar me bazë në veri të Kosovës”!

Anëtarë të këtij grupi rezultojnë të jenë së paku 12 veta me 24 biznese, që operojnë në katër shtete, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bullgari.

Grupi kriminal në përbërje: Zvonko Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviç, Milan Radojçiq, Marko Rosiç, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviç, Milan Mihajloviç, Miljan Radisavljeviç, Milojko Radisavleviç, Radovan Radiç, Sinisha Nedelkoviç dhe Radule Steviç, përveç kryerjes së krimeve ekonomike, dyshohet edhe për krime të tjera, disa prej të cilëve morën pjesë në organizimin dhe vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Veselinoviçi, Millan Radojçiqi, Zhelko Bojiçi dhe Marko Rosiçi të gjithë përmendën në aktakuzën për vrasjen e Ivanoviçit.

Ivanoviçi ka qenë një nga ndërmarrësit në krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës, po ashtu ka marrë pjesë në vitin 2000 në spastrimin e dytë të veriut të Mitrovicës, dhe që nga pas lufta udhëheqës i “Rojave të urës”, një organizatë paramilitare serbe, por e legjitimuar nga UNMIK-u.

Edhe Zvonko Veselinoviç ka qenë udhëheqës i “Rojave të urës”. Si duket për besnikërinë e treguar ndaj Beogradit, ai është shpërblyer me përkrahje të biznesit dhe me fuqizim në të gjitha aspektet.

Por, viteve të fundit, para vrasjes së tij, ai dhe mbështetës të tij, silleshin me lojalitet ndaj shtetit të Kosovës, dhe nuk ishin radikalë në sjellje si më parë. Ai kishte ndikim te serbët në veri dhe tek serbët në brendi të Kosovës, dhe Lista serbe, nuk do të mund t’i fitonte të gjitha vendet në Kuvend, pa eliminimin e tij.

Sipas të gjitha gjasave ai u vra me urdhër të Beogradit, për shkak të lojalitetit që po e dëshmonte ndaj Kosovës. Goditja ndaj tij u bë, për t’i shërbyer idesë dhe qëllimit, se çdo serb që nuk i bindet Beogradit, por Prishtinës, do të mund të ekzekutohet. Vrasja e tij kishte për qëllim edhe tronditjen psikologjike të serbëve në Kosovë.

Institucionet e Kosovës nuk ndërmorën hapat e duhur, për zbardhjen e rastit dhe të motiveve duke e lënë të lirë, Millan Radojçiqin dhe madje e nxorën në fillim të këtij viti nga lista e të kërkuarve për arrestim.

Dokumenti amerikan Zvonko Veselinoviçin e përshkruan si “një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës”.

Ky grup ka krijuar një rrjet njerëzish nëpërmjet ryshfetit dhe detyrimeve të tjera të ndërsjella, me marrëveshje sy më sy, “me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe”, por edhe me politikanë.

Një nga takimet më kryesore ishte ai i vitit 2018 i Ramush Haradinajt me Radojçiqin në zyrën e Kryeministrit.

Patriotizmi i rrejshëm, dueti Thaçi-Vuçiq

Sipas hulumtimeve të ‘Ballkan insight”, ka ekzistuar një ndërveprim edhe biznesor, ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, përpara se këta të merrnin pozitat më të larta të shtetit, njëri president në Kosovë (H.Thaçi), dhe tjetri në Serbi. Lidhjet mbaheshin nëpërmjet njerëzve të tyre, të Vuçiqit si Zvonko Veselinoviçit. Ish-kryeministri i Serbisë, tani president, është prej vitesh përkrahës i familjes Veselinoviq. “Ai e ka mbështetur Veselinoviqin, me arsyetimin se ai është patriot dhe nuk duhet të ndiqet penalisht nga Serbia. Ai ndërhyri në emër të vëllait të Zvonkos, Zharkos, duke ofruar garanci shtetërore për misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, dhe ata e lejuan që Zharko të lirohej nga burgu dhe u vu në arrest shtëpiak, ndërsa priste gjykimin”, shkruan Ballkan Insajt.

Hashim Thaçi të paktën në dy raste ka përdorur dy fjalime zyrtare për të kritikuar Zvonko Veselinoviqin, duke iu referuar atij për “mentalitetin e dhunshëm”, por jo vetëm që nuk është ndërmarrë asgjë ndaj tij, por për më tepër, ai fshehtas apo në mënyrë indirekte ka bashkëpunuar me bizneset e Zvonkos nëpërmjet njerëzve të tij besnik.

Zvonko Veselinoviç pranon se ka punuar me Arena Invest për transportin e materialit ndërtimor për autostradën Prishtinë-Tiranë.

Kështu sipas Ballkan Insajt, për Thaçin vepronin persona të ndryshëm nga biznesi, dikush prej tyre do të bëhej diplomat.

Fadil Demiri, i njohur për lidhjet e tij me Thaçin, i cili zotëronte një varg kompanish në Kosovë, duke përfshirë aksione në “Arena Invest” dhe në Shqipëri, atje punon me një firmë shtetërore serbe në diga.

Akan Ismaili, i cili ishte themelues i kompanisë së dytë të telefonisë mobile në Kosovë, IPKO, ai zotëron ose zotëronte aksione në “Arena Invest” përmes një firme tjetër, “Fundway”.

“Bujar Musa është një tjetër anëtar themelues i IPKO-s, drejtor i së cilës mbetet. Ai është mik dhe qiradhënës i ministrit të Jashtëm Hashim Thaçi. Ai gjithashtu zotëron aksione përmes firmës Fundway”. Këto të dhëna ekzistojnë prej kohësh, përkatësisht në periudhën kur Hashim Thaçi, hyri në koalicion me LDK-në, së cilës ia dha postin e Kryeministrit, ndërsa vet po përpiqej të zgjidhej president.

“Arena Invest është themeluar në vitin 2009 në qytetin verior të Kosovës, në Leposaviq. Në vitin 2010, ajo pagoi 111,000 euro për një gurore aty pranë, afër kufirit me Serbinë, e cila prodhon Bazalt, një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e rrugëve. Është e vetmja gurore e këtij lloji në rajon”, shkruante B. Insajt.

Aktualisht nuk ka të dhëna të përditësuara për kompaninë “Arena Invest”.

Hetimet dhe arrestimet?!

Qeveria e Kosovës duket se ende se ka mendjen tek nxitja e arrestimeve dhe as bllokimi i atyre bizneseve që veprojnë në vend, nga 24 sa i ka kjo ndërmarrje kriminale në rajon.

Si duket institucionet dhe Qeveria po e presin listën e re të zezë të SHBA-ve, në mënyrë që ta spastrojnë krimin e organizuar në veri, duke krijuar një mbështetje më të madhe në opinion, pasi të dalin emrat e biznesmenëve dhe të dyshuarve të tjerë, që kanë bashkëvepruar me grupin serbë ndërkombëtar të krimit të organizuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat