Kurti: Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes

Aktuale

Kurti: Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 10:21
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar 19:44) - Fjala e kryeministrit Kurti në mbledhjen e 50-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit Qeveritar,

Mirë se ju gjej në mbledhjen e 50-të, që është mbledhja e rregullt e parafundit e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Para 9 muajve, pikërisht me 23 mars të këtij viti, e morëm detyrën si qeveri e re pas zgjedhjeve historike të 14 shkurtit.

Ajo që gjetëm ishte një situatë e rënduar me pandeminë dhe një ekonomi e stagnuar që nuk jepte shpresë për zhvillim.

Gjetëm zero vaksina, zero kontrata për vaksina dhe zero negociata për kontrata e pas 9 muajve kemi mbushur premtimin për vaksinim të mbi 60% të popullsisë së vaksinueshme brenda vitit sipas parashikimeve të atëhershme. Sot kemi 1.65 milionë doza të administruara, ku 48.6% të popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar me të paktën një dozë, ndërkaq  43.2% me dy doza, si dhe kemi filluar dhënien e dozës përforcuese, e dozës së tretë.

Pra edhe pse e filluam të fundit dhe e gjetëm më së keqi, sot Kosova është prijëse në rajon me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë, krejt kjo falë punës së mirë të Qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe mjekëve e infermiereve, stafit mbështetës e vullnetarëve tanë, të cilëve u jemi falënderues e mirënjohjes përjetësisht.

Sot kemi gjithashtu situatë relativisht të qetë me COVID-19, e cila kur krahasohet me gjendjen në shtetet në rajon e me shtete tjera, vie në pah kontrasti me menaxhimin e saj.

Nga mesatarja javore prej 773 raste ditore sa i kishim në 23 mars, pra para 9 muajve, sot kemi një mesatare javore prej 9 rasteve ditore të reja në ditë dhe me 322 raste aktive nga 12.808 sa kishim në 23 mars. Po ashtu numri i vdekjeve është më i ulët me një mesatare javore prej 1 e nga njëherë 0 vdekje si rezultat i COVID-19. Por, çdo humbje jete në betejën me COVID-19 është humbje e madhe për bashkë-familjarët dhe të gjithë ne. Në emër të qeverisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë jetët e humbura nga kjo sëmundje gjatë këtij vit, duke uruar që njerëzimi të mposhtë këtë pandemi sa më parë e duke punuar që efektet e saj te ne të jenë sa më të pakta.

Reagimi i shpejtë, adekuat, i balansuar dhe me kohë ndaj situatës në vend dhe duke e përcjell me vëmendje situatën në vendet tjera na ka mundësuar që të mbajmë hapur ekonominë dhe aktivitete të tjera të cilat më tej e mbajnë gjallë jetën kulturore e sportive, por edhe ndihmojnë në largimin e pasojave dhe ankthit të shkaktuar nga pandemia e gjatë e ndjenja e izolimit.

Tash kur e gjithë bota po kalon në një valë të re të COVID-19 me variantin e ri Omikron, ne duhet të jemi vigjilentë duke shtuar masat dhe kujdesin, por edhe duke u vaksinuar me të tri dozat për të siguruar se imuniteti jonë është i bollshëm për të parandaluar simptomat e rënda ose vdekjen.

Mërgata jonë tashmë ka filluar rrugëtimin e tyre për atdhe dhe ne i urojmë mirëseardhje të përzemërt. Ata janë bekim për vendin dhe ringjallje për ekonominë, por në këtë krizë të pandemisë ne pamë gjatë verës se me qarkullim masiv rritet probabiliteti që reagimi ndaj pandemisë të dalë nga kontrolli. Organizimet familjare dhe tubimet e ndryshme shumëfishohen, prandaj edhe kësaj here do të kemi kontroll të shtuar sepse na duhet kujdes i shtuar. Këto kontrolle e masa do të jenë në shërbim të ruajtjes së shëndetit publik.

Përkundër pandemisë dhe pasojave të saj, ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për qytetarët tanë.

Në qeveri kemi punuar pa u ndalur duke mbajtur 50 mbledhje që kanë sjellë 434 vendime, prej tyre 106 projektligje – numri më i madh ndonjëherë i projektligjeve të miratuara në qeveri brenda vitit.

Si kurrë më parë, ekonomia jonë është kthyer drejt zhvillimit.

- Para gjashtë dite kaluam në Kuvend buxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, që përbënë buxhetin më të madh ndonjëherë me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar dhe 8.5% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij mesviti.

-  Në tre mujorin e dytë të këtij viti kemi shënuar një rritje ekonomike prej 16.3%. Pak minuta më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket rritjes ekonomike. Me këto të dhëna,  sërish po tregohet që ekonomia vendore po përformon mjaft mire, duke shënuar një rritje ekonomike prej 14.53% në tremujorin e tretë të këtij viti, kurse rritje ekonomike prej 12.1% në 9 mujorin e parë të vitit 2021. Vitin 2021, sipas projeksioneve të BQK-së, presim ta mbyllim me rritje ekonomike prej 9.9%, që përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë.

- Eksportet kosovare deri në muajin tetor të vitit 2021 janë në vlerë të 614 milionë euro dhe janë për mbi 60% më shumë se në vitin 2020 ( kur ishin 382.4 milionë euro) apo 91.2% më shumë se në vitin 2019 (kur ishin 321.2 milionë euro) dhe janë eksportet më të larta që nga shpallja e pavarësisë.

-   Investimet e huaja direkte, në nëntë (9) muajt e parë të viti janë në 388.9 milionë euro, që përbëjnë 80% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. Po ashtu, viti 2021 është për 52.9% me më shumë investime se viti 2020 (254.3 milionë euro apo 79.7% më i lartë se viti 2019).

-  Kemi regjistruar mbi 10,000 vende të reja të punës.

-   Është iniciuar Fondi Sovran, përmes grupit punues që po e bën koncept dokumentin përkatës.

-   Kemi operacionalizuar 23 nga 26 masat, apo 88% të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga e cila deri më tani kanë përfituar gati 445 mijë qytetarë.

-    Me pakon e ringjalljes ekonomike kemi mbështetur familjet, punëtorët, bizneset, kulturën e sportin, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, mërgatën, mjekët e infermierët, si dhe nënat lehona dhe fëmijët.

- Zgjedhjet demokratike sollën legjitimitet e stabilitet institucional dhe shpresë për jetë më të mirë. Kjo rezultoi me rritje të shpenzimeve nga qytetarët dhe me pagesa të taksave. Si rezultat të hyrat nga ATK janë në vlerë të 552.5 milionë euro, një rritje prej 125.8 milionë euro apo 29.5% me shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Të hyrat nga Dogana janë në vlerë të 1,238.8 milionë euro, që paraqet një rritje prej afro 32 % apo 300 milionë euro më shumë.

-    Janë emetuar me sukses Bono të Diasporës me dy maturitete (ato 3 vjeçare me 1.2% interes dhe 5 vjeçare me 2.2% interes). Vlera e financimit nga këto Bono ka arritur vlerën 10.43 milionë euro të cilat i dedikohen kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese të vendit.

Në drejtësi

-  Është avancuar korniza ligjore për luftimin e korrupsionit duke iniciuar një sër ligjesh sikurse ai  për Deklarimin e pasurisë së Zyrtarëve Publik, për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Në luftimin e korrupsionit

-  Janë zhvilluar 509 operacione policore, 893 bastisje dhe janë goditur 42 grupe kriminale.

- Janë sekuestruar rreth 894 kg drogë dhe rreth 7 milionë euro nga veprimtaritë kriminale.        

-  Është luftuar kontrabanda dhe krimi i organizuar në tërë territorin e Republikës që ka rezultuar me arrestime dhe konfiskime. Janë iniciuar në total  1111 raste, prej tyre ku janë hetuar 1,780 persona të dyshuar, janë arrestuar 1,130 prej tyre dhe janë ushtruar 799 kallëzime penale.

-  Është ndalur keqpërdorimi i 43 milionë eurove në shpronësime për segmentin Klinë-Kijevë-Zahaq, projekti i autostradës Prishtinë-Pejë, dhe rasti është dërguar në Prokurorinë Speciale.

-  Doganat kanë luftuar korrupsionin në kufi duke mos lejuar futjen e mallrave të kontrabanduara që edhe pasurojnë kriminelët, grupet e individët e lidhur me ta, por edhe dëmtojnë buxhetin duke i ikur tatimit si dhe dëmtojnë bizneset duke prishur konkurrencën.

-   Kemi ndërmarrë reforma në administratë që hedhin hapat për një administratë profesionale me njerëz kompetent përmes rekrutimit të niveleve të larta nëpër institucione publike që përfshinë, Sekretarë të Përgjithshëm të Ministrive, Anëtarë Bordi dhe Drejtorë Ekzekutiv të Agjencive publike.

-  Kemi larguar detyrimin për pagesën prej 100 euro për homologimin e automjeteve, duke kursyer miliona euro nga zhvatja që i bëhej qytetarëve. 

-  Është rihapur terminali doganor i “Trepçës”, që shënon hapin e parë drejt heqjes së monopolit kalimit të të gjitha terminaleve doganore në prona publike.

-  E punët i kemi bërë në dritën e diellit e para qytetarëve. Nga 441 kërkesa nga qytetarët dhe mediat për qasje në dokumente publike, janë përgjigjur në 406 sosh apo 92% dhe kemi mbajtur mbi 120 konferenca për media, që i bije përafërsisht nga një konferencë çdo të dytën ditë.

Në politikën e jashtme

-  Kemi filluar de-partizimin dhe reformimin duke krijuar sistem të meritokracisë që hapë rrugën për diplomatë të karrierës, por edhe profesionistë të cilët njëmend njohin politikën e jashtme dhe përfaqësojnë denjësisht Republikën.

-  Në këtë drejtim kemi emëruar ambasadorë të rinj ku është bërë e mundur që nga të gjithë shefat e misioneve, ¾ të jenë  diplomatë karriere, dhe vetëm ¼ të emëruar sipas çelësit politik.

-   Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së kemi themeluar Strukturat Koordinuese Ndërinstitucionale për Procesin e Integrimit Evropian; është rishikuar dhe miratuar Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021- 2025, është rishikuar dhe miratuar Plani i Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane ERA II dhe kemi nisur një sërë reformash që ishin pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për shumë vite, por që nuk ishin zbatuar. Po ashtu, këtë vit, në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE, ne bëmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në fushën e mbrojtjes

-   Kemi zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes nënshkrimit të Marrëveshjeve të Mirëkuptimit me Ministritë e Mbrojtjes së: Mbretërisë së Bashkuar, Kroacisë, Letonisë. Poashtu kemi nënshkruar Marrëveshje të Statusit të Forcave (SOFA) me: Kuvajtin dhe Maqedoninë e Veriut.

- Kemi ndarë buxhet shtesë prej (mbi 32 milionë) që nga fillimi i mandatit dhe për vitin 2022 kemi ndarë 100 milionë euro për FSK-në që është buxheti më i lartë që është ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes, 67% më i lartë sesa buxheti i vitit të kaluar.

-  Kemi rritur kapacitetet mbrojtëse me 55 autoblinda (ASV), blerje të pajisjeve ushtarake; rekrutimin e 400 rekrutëve të rinj dhe jemi në proces të rekrutimit edhe të 840 rekruteve të ri, që në total i bie që Kosovës i shtohen 1,240 ushtarë të rinj.

-  Kemi marrë pjesë në ndërmarrjen më të madhe ushtarake të NATO-s Defender Europe 21, në mesin e 27 shteteve, ku ne madje ishim në mesin e 16 shteteve nikoqire me gjithsej 330 ushtarë tanë pjesëmarrës.

- Kemi dërguar dhe përmbyllur suksesshëm misionin e parë të bashkë-zbarkimit të FSK-së në Kuvajt bashkë me ushtrinë Amerikane si dhe për vitin që vjen planifikojmë bashkë-zbarkime të reja.

Ministria e Punëve të Brendshme

-  Ka punuar në rritjen e transparencës dhe integritetit në rekrutimin e pozitave të nivelit të lartë drejtues të nëpunësve civilë.

-  Këshilli Shtetëror për Pranim, pas një trajnimi të ofruar nga përfaqësuesit e Ambasadës Britanike, ka filluar punën intensive për rekrutimin e pozitave të nivelit të lartë drejtues të nëpunësve civilë. Ky proces është duke u monitoruar ngushtë nga përfaqësuesit e Ambasadës Britanike.

-  Pas kërkesës zyrtare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe NATO-s për strehim të përkohshëm të shtetasve afganë Qeveria e Kosovës ka nxjerr dy vendime për  mbrojtje të përkohshme për qytetarët afganë dhe familjarët e tyre që kanë punuar në Qeverinë Amerikane dhe/apo kanë qenë kontraktorë të NATO-s. Me këtë rast, Republika e Kosovës ka realizuar me sukses operacionin për strehimin e 1341 qytetarëve të evakuuar, ndërsa tani më mbi 1000  prej tyre e kanë lëshuar Kosovën.

-      Në shtator ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë i cili është ende në fuqi dhe në vazhdimësi do të identifikohen fusha të tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për zbatuar atë me sukses.

Ministria e Ekonomisë

-     Ka filluar hartimin e strategjisë së energjisë 2022-2031

-   Si pasojë e krizës energjetike globale është themeluar Task Forca për Masat në Rast të Emergjencave Energjetike.

-  Janë përfunduar auditimet dhe dizajnet për 74 projekte të efiçiencës së energjisë në 25 komuna të Kosovës.

Janë emëruar Bordet e Përkohshme të Drejtorëve në:

1.      KRU Bifurkacioni sh.a Ferizaj;

2.      KRU Hidroregjioni jugor sh.a Prizren;

3.      KRU Prishtina Sh..A.;

4.      KRU.Gjakova Sh.A.;

5.      KRU. Mitrovica Sh.A.;

6.      NP.KEK Sh.A.;

7.      NP Posta E Kosovës Sh.A.;

8.      NP.Infrakos Sh.A.;

9.      NP Telekomi Sh.A.;

10.  NP Trepça

-  Është shkarkuar Bordi i rregullt dhe është emëruar Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve në  KRU Hidrodrini sh.a, Pejë.

-          Është bërë plotësim-ndryshimi i Vendimit nr.12/17 i datës 25.06.2021 për emërimin e Bordit të Drejtorëve të NH Ibër Lepenc SH.A.

Në fushën e arsimit

-  Për herë të parë kemi bërë edukimin FALAS në të gjitha nivelet në sektorin publik.

-  2,153 mësimdhënës janë pajisur me licencë të karrierës.

-   Kemi filluar investimet në çerdhe në funksionalizimin e shkollave me hapësira funksioale. 

- Kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

-  Janë themeluar edhe 5 Qendra të Karrierës duke dërguar numrin gjithsej në 15.

-  Për arsimin e lartë kemi ndarë 1,799 bursa për studentë elitar që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në vlerë prej 700 € (vlera totale e ndarë nga MAShTI është 1,259,300 €). Gjithashtu, MAShTI ka ofruar përkrahje për bursat STEM në shumë prej 1,000,000 € (gjithsej 812 përfitues) si dhe është themeluar Këshilli Kombëtar i Shkencës.

-  Kemi nënshkruar marrëveshje me Komisionin Evropian për statusin e asociuar të Kosovës në programin HORIZON.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit

Kemi pasur një vit të jashtëzakonshëm me arritje të sportistëve e artistëve tanë që kanë lartësuar shtetin dhe na kanë bërë krenar të gjithëve. Një kujtim ky për përkrahjen në rritje e të vazhdueshme të qeverisë sonë për vitet në vijim.

-    Këtë vit kemi themeluar Institucionin e Operës së Kosovës

-   E për herë të parë kemi themeluar Komisionin Shtetëror për Rini

-   Kemi dyfishuar fondin për Trashëgiminë kulturore në rrezik duke filluar ndërhyrjet emergjente në 30 asete që janë të rrezikuara.

- Pas shumë vite të premtimeve, në javën që vjen do të fillojnë ndërhyrjet në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

- Kemi mbështetur ndërtimin e renovimin e palestrave sportive, dhe kemi subvencionuar me mbi 5.5 milionë euro artin dhe kulturën

Në infrastrukturë

- Kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.

- Është bërë rehabilitimi i rrugëve regjionale që lidhen me Brezovicën dhe zgjerimi i Pistës në Aeroportin e Prishtinës, pastaj

- Është iniciuar projekti ideor për Rrugën Prizren – Tetovë.

- Është bërë Hartimi i Strategjisë (2021-2030) dhe Planit të Veprimit (2021-2023) për menaxhimin e integruar të mbeturinave në Kosovë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

- Janë realizuar ne kuadër te Programit për Pagesa Direkte - Subvencione për vitin 2021 në vlerë prej rreth 21 milionë EUR

- Janë luftuar keqpërdorimet duke marrë masa konkrete sikurse: Themelimi i Task Forcës për Verifikimin e Lëndëve të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike 2020.
Dhe organet e rendit dhe ligjit kanë arrestuar 23 zyrtarë për keqpërdorime në Ministri.

- Kemi ndarë mbi 70 milionë euro për fermerët, çka shënon përkrahjen më të madhe ndonjëherë brenda një viti fiskal.

- Janë miratuar në qeveri 22 ligje që rregullojnë politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural, vendosjen e kritereve për mbështetje financiare,  vendosjen e standardeve të cilësisë, mbështetjen institucionale dhe forcimin e masave të kontrollit administrativ në zbatim të masave të politikave bujqësore.

Në industri, ndërmarrësi dhe tregti

- Janë miratuar një sërë projektligjesh e ligjesh për inspektime, për metale të çmuara, për tregti me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme, për tregti të jashtme, për konkurrencë, turizëm, për Sekretet Tregtare, për Patenta, për Marka Tregtare etj.

- Në mbrojtje të prodhimit vendor e të konsumatorëve janë marrë masa mbrojtëse antidamping.

- Në bashkëpunim me projektin CETEP, janë dhënë 9 grante për certifikim të produkteve me standardet relevante. Po ashtu janë ndarë 500,000 EUR për të mbështetur bizneset për blerjen e makinerive të prodhimit, 2 mil. EUR për mbështetjen e bizneseve në ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe 1,150,000 EUR për përkrahje të projekteve Inovative.

- Gjithashtu gjatë këtij viti përmes projektit digjitalizimi I NVM janë përkrahur 50 biznese, derisa përmes granteve për blerjen e makinerive prodhuese janë shpallur listat preliminare me 32 biznese.

Kemi mbështetur gratë. Janë përkrahur 273 biznese të vogla në pronësi të grave dhe 3 OJQ  të specializuara në ofrimin e shërbimeve për këshillim dhe trajtim të dhunuesve me qëllim të parandalimit.

Kemi mbështetur personat me aftësi të kufizuara

-          Është funksionalizuar Grupi Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuara.

-          Janë trajnuar ekipet vlerësuese pedagogjike për përdorimin e instrumentit për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara (gjithsej 150 anëtarë të trajnuar).

-          Janë përzgjedhur 8 organizata përfituese të granteve të cilët do t'i përkrahin nxënësit me aftësi të kufizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje psiko-sociale. Vitin 2022 e kemi shpallur vitin e personave me aftësi të kufizuara.

Po përfundon një vit i sfidueshëm për të gjithë ne. Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh. E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektor kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu. Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë, për të investuar në edukimin e fëmijëve tanë dhe për të hapur një epokë të re të qeverisjes ku dija, puna e fitimi me djersë vlerësohen, ku secili jep maksimumin e saj e të tij për të arritur suksesin që meritojmë.

Le të frymëzohemi nga Majlinda, Distria e Nora e nga Toni. Por edhe nga suksesi i kinemasë tonë me filmat sikurse “Zgjoi” e “Shok”...

Nëse kemi përkushtimin dhe dedikimin e nevojshëm, nëse punojmë me dije e integritet e me qëllimet më të mira për vendin s’ka sukses që nuk e arrijmë e trofe që nuk e fitojmë.

Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çfarë dimë që të dalim më sa më pak humbje e dëme prej saj.

Ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne  që sot shënojnë nëntë muaj në qeveri duhet të shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet të turbullojë zërin tonë të arsyes. 

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Një vit i ri e një dekadë e re shtrihet para nesh. Le të shtyjmë vetën përpara duke u bërë shembull për fëmijët tanë. Qeveria që kemi zgjedhur nuk heq dorë nga suksesi. Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar.

E ardhmja jonë është e ndritshme e rrugëtimi ynë është i përbashkët.

Ju faleminderit.

 ​

Kriza energjetike do të vazhdojë së paku deri në fund të janarit 2022

Kriza energjetike në vend do të vazhdojë së paku deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur drejtori menaxhues i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili theksoi se nga data 20 janar 2022, mund të kthehet në funksion blloku “B2” i Kosovës B, për prodhimin e energjisë elektrike.

Krasniqi në një konferencë të përbashkët me ministren e Ekonomisë, ka thënë se KEK-u ka tri njësitë e “Kosovës A” në operim, ndërkaq te “Kosova B”, është në operim vetëm njëri bllok për shkak të avarisë.

Krasniqi: Presim që diku nga data 20 janar ‘B2” të kthehet në operim

“Tani për tani kur ne po flasim janë tri njësi të Kosovës A, të gjitha në operim pa probleme dhe sasia që ato prodhojnë është 390 MËh. Në TC Kosova B, vetëm Blloku ‘B1” është në operim dhe ai prodhon 260 MGWH energji elektrike. Te blloku “B2” e kemi avarinë e cila ende vazhdon që nga data 14. Jemi në proces dhe kemi marrë të gjitha masat që ta kthejmë sa më shpejt në operim. Mirëpo, prishja është e natyrës serioze. Ekziston një vlerësim preliminar, që ne presim që diku nga data 20 janar ‘B2” të kthehet në operim”, theksoi ai.

Derisa, ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ia lë fajin situatës në Evropë për krizën energjetike.

Ministrja Rizvanolli theksoi se përkeqësimi i situatës energjetike në Evropë dhe rritja e çmimit të bursës ndërkombëtare, ka sjellë probleme edhe në Kosovë.

Derisa pranon se situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar.

Rizvanolli: Situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar

“Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit nga ana e KEK-ut për shkak të rënies së Bllokut ‘B2’, I cili ende nuk është aktivizuar. Pra, ky është një faktor. Bursat ndërkombëtare dhe çmimet në bursat ndërkombëtare janë faktori I dytë. Këto janë duke shënuar çmime rekorde pasi që temperaturat janë ulur dukshëm dhe është rritur kërkesa si rrjedhojë e kësaj. Nga ana tjetër oferta për prodhimin e energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur posaçërisht ai i gazit, mirëpo edhe në disa vende të tjera. Kjo shpërputhje bën që çdo javë regjistrohen çmime rekorde të reja të energjisë elektrike. Situata në Evropë është përkeqësuar edhe më tej, dhe si rezultat i kësaj, edhe situata energjetike në vendin tonë është përkeqësuar”, theksoi ajo.

Rizvanolli ka thënë po ashtu se konsumi i energjisë në dy ditët e fundit është rritur për 14 përqind, që sipas saj, kjo po ndikon negativisht në situatën energjetike.

Rizvanolli: Konsumi i energjisë në dy ditët e fundit është rritur për 14 përqind

“Për dallim nga viti i kaluar, ne jemi duke konsumuar dukshëm më shumë. Më datën 21 dhjetor, pardje, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 14 për qind, vetëm në krahasim me dy ditë më parë, më datën 19 dhjetor. Kështu nga të gjitha aspektet jemi duke u përballur me faktor që po ndikojnë negativisht në situatën energjetike”, theksoi ajo.

Ministrja Rizvanolli ka veçuar se një faktor tjetër që po ndikon në krizë energjetike në Kosovë, është edhe fakti se Serbia po bllokon linjat energjetike dhe se kjo po krijon ngarkesa në sistemin e energjisë edhe në vendet tjera të rajonit, si Maqedoni të Veriut e Shqipëri.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu theksoi se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje enorme derisa siç ka thënë, diferenca mes importit dhe prodhimit vendor është shumë e lartë.

Derisa bëri të ditur se në 15 ditët e fundit kanë pasur shumë devijime në sistem, të cilat një kohë të gjatë KOSTT-i ka arritur t’i menaxhojë.

Kjo është arritur të tejkalohet kohët e fundit, por sipas tij, devijimi ka shkuar deri në 500 megavat. 

***

​​Murati: Kthimi i dividentës që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend

Ministri i Financave, Punës dhe Transferove, Hekuran Murati, tha se kthimi i 20 milionë euro në ndërmarrjen publike KOSTT, është bërë në mënyrë që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend.

Ministri tha se 20 milionë euro që janë ndarë për KEK-un, janë për subvencionim të importit, të cilin KEK do ta menaxhojë.

Murati: Të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend

“Shënon një hap të radhës pas atij për ndarjen e 20 milionë eurove për ndërmarrjen publike KEK, kësaj radhe po bëjmë kthimin e po aq një shume të ngjashme, pra 20 milionë euro në ndërmarrjen publike KOSTT në mënyrë që kësisoj të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend, marrë parasysh që për shkak të rritjes së importit po edhe rritjes enorme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për import, sektori energjetik po përjeton një krizë sa i përket likuiditetit të mjeteve”, tha ai.

Ministri Murati tha se i tërë sektori energjetik po kalon nëpër një krizë likuiditeti, megjithatë tha se 20 milionë euro të ndara për KEK-un janë ndarë për subvencionim të importit të cilin KEK-u do ta menaxhojë.

Kurati: I tërë sektori po kalon nëpër një krizë likuiditeti

“I tërë sektori po kalon nëpër një krizë likuiditeti, si KEK-u, ashtu edhe KOSTT, ka edhe borxhe të papaguara ndërmjet anëtarëve të sektorit. Pra, ndaj KOSTT, anëtarët e tjerë të sektorit të energjisë elektrike kanë obligime diku rreth 15 milionë euro, pra ka edhe obligime tjera të cilat e kanë përkeqësuar situatën dhe ka qenë e domosdoshme që të ndërhyhet dhe meqenëse kemi pasur likuiditetin e nevojshëm në kohën kur është kërkuar dividenta, pra nuk ka qenë të parapara këto situata, kemi vendosur që ta kthejmë. Sa i përket KEK po ashtu edhe nga KEK-u, kemi pasur një dividentë 10 milionë euro, ende nuk kemi ndonjë kërkesë të tillë në ndonjë situatë për t’u shqetësuar te KEK-u, meqenëse gjendja e likuiditetit fillimisht ka qenë paksa më e mirë. Megjithatë, 20 milionëshi që është ndarë nuk është ndarë si subvencion për KEK-un por është 20 milionë i ndarë për subvencionim të importit, të cilin KEK do ta menaxhojë”, tha ai.

Ai u pyet edhe rreth çmimit të duhanit, duke qenë se sot në qeveri është miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për akcizën e produkteve të duhanit.

Murati: Prej 1 janarit të rritet dhe është e paraparë që të rritet çdo vit 2 euro

“Çmimi aktualisht është 49 euro, mirëpo sipas kalendarit pritet që prej 1 janarit të rritet dhe është e paraparë që të rritet çdo vit 2 euro”, tha ai.

Ministri i Financave tha se si qeveri dhe si MF, kanë synim që vitin e ardhshëm ta nisin me sa më pak obligime financiare, për çka tha se po bëjnë çdogjë që të gjitha obligimet t’i adresojnë gjatë këtij viti.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se në mbledhjen e qeverisë sot kanë aprovuar strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028, për të cilën tha se për herë të parë aprovohet një strategji të tillë.

Peci: Kemi miratuar strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028

“Qeveria e Kosovës sot për herë të parë në historinë e ekzistencës së institucioneve aprovon strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028. Gjithashtu kemi aprovuar edhe strategjinë për pyje për vitin 2022-2030. Të dy këto dokumente strategjike janë shumë të rëndësishme për objektivat që i kemi si qeveri dhe unë si ministër...Në mesin e vendimeve të shumta ne do të kemi sot 2.5 milionë euro shtesë në kuadër të realizimit të programit të pagesave direkte të vitit 2021”, tha ai.

Sa i përket një përplasje që ka pasur me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, ministri Peci u pyet se a është telefonuar nga prokuroria, për çka ai tha se i qëndron çdo deklarate që ka dhënë.

Peci: Qëndroj mbrapa çdo deklarate që jap

“Unë nuk kam folur as që ka kaluar koha e as që është koha, unë kam dhënë deklaratën atë që është që mundeni me e konifmru dhe qëndroj mbrapa çdo deklarate që jap”, tha ai. 

***

Miratohet Projektligji për policinë ushtarake të FSK-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për policinë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj do ta ndihmojë policinë e FSK-së që të ketë autorizime për ta kryer misionin e saj.

“Policia ushtarake vepron brenda dhe jashtë kazermave të saj, andaj pjesëtarëve të uniformuar, punonjësve civil të mistrisë së mbrojtjes dhe FSK-së, ky projektligj u mundëson që të kenë autorizimet e nevojshme ligjore në mbështetje të misionit të vet”, tha ai.

Gjatë paraqitjes së këtij Projektligji, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë në mbledhjen e qeverisë se ky projektligj përcakton misionin, organizimin, autorizimin dhe detyrën e policisë ushtarake në FSK.

“Ky projektligj përcakton misionin, organizimin, autorizimin dhe detyrën e policisë ushtarake në FSK. Është hera e parë qe misioni dhe statusi i policisë së FSK-së rregullohet me ligj të veçantë, duke marrë parasysh faktin që synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit të policisë ushtarake është një hap drejtë këtij synimi”, tha Mehaj.

***

Qeveria ndan 4.1 milionë euro për librat e shkollave fillore

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të masës 4.2, që ka të bëjë me mbështetjen për arsimin, do t’i ndajë 4.1 milionë euro për mbulimin e obligimeve për sa u përket librave për shkollat fillore.

Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e mbajtur këtë të enjte.

“Ndarja tjetër ka ta të bëjë për MASHT-in me shumë 4.1 milionë euro.

Në kuadër të masës 4.2 (mbështetja për arsimin), që ka të bëjë me mbulimin e obligimeve për sa u përket librave për shkollën fillore”, ka thënë Murati.

Kurti: Ata që na fajësojnë për dështimin e tyre, ta shohin veten në pasqyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ndonëse vendi ndodhet në një krizë të vështirë energjetike po bëjnë gjithë çfarë munden e krejt çka dinë që të dalin me sa më pak humbje e dëme prej saj.

Kurti në adresimin e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, foli për punën e qeverisë për nëntë muaj, për çka tha se ata që kërkojnë llogari për dështimet e tyre për dekada nga një qeveri që po shënon nëntë muaj duhet ta shohin vetëm në pasqyrë.

Kurti: Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike po bëjmë gjithë çfarë mundemi e krejt çka dimë që të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj. Ndërkaq ata që për dështimet e tyre për dekada kërkojnë llogari nga ne që sot shënojmë 9 muaj në qeveri duhet më parë ta shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se Kosova sot është prijëse me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë, e që sipas tij kjo është falë punës së mirë të qeverisë dhe të IKSHPK-së, mjekëve e infermierëve.

Kurti: Sot Kosova është prijëse me shkallën e vaksinimit

“Sot Kosova është prijëse me shkallën e vaksinimit dhe shembull i reagimit ndaj pandemisë. Krejt kjo falë punës së mirë të qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së dhe mjekëve, infermierëve, stafit mbështetës e vullnetarëve tanë të cilëve ju jemi falënderues e mirënjohës përjetësisht. Sot kemi gjithashtu situatë relativisht të qetë me COVID-19,e cila kur krahasohet me gjendjen në shtetet e rajoni e me shtetet tjera vije në pah kontrasti me menaxhimin e saj. Nga mesatarja javore prej 773 raste ditore sa ai kishim në mars, sot kemi një mesatare javore prej 9 raste ditore të reja në ditë dhe me 322 raste aktive nga 12 mijë e 808 sa kishim me 23 mars. Po ashtu, numri i vdekjeve është më i ulët me një mesatare javore prej 1 e nganjëherë edhe zero vdekje si rezultat i COVID-19”, tha ai.

Kurti tha se kur e gjithë bota po kalon një valë të re të COVID-19 duhet të jenë të kujdesshëm duke shtuar masat dhe kujdesin, por edhe duke u vaksinuar.

Përkundër pandemisë dhe pasojave të saj, Kurti u shpreh se ky ka qenë vit i suksesshëm për qytetarët. Ai tha se në qeveri kanë punuar pa u ndalur duke mbajtur 50 mbledhje që kanë sjell 433 vendime, prej tyre 106 projektligje,

Kurti: Si kurrë më parë ekonomia jonë është kthyer drejtë zhvillimit

“Si kurrë më parë ekonomia jonë është kthyer drejt zhvillimit. Para gjashtë dite kaluam në Kuvend buxhetin 2022 në vlerë 2 miliardë e 748 milionë euro, që përbën buxhetin më të madh ndonjëherë me rritje 12 për qind krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar dhe 8.5 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij mes viti. Në tremujorin e dytë të këtij viti kemi shënuar rritje ekonomike prej 16.3 për qind. Pak minuta më parë ASK ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket rritjes ekonomike, me këto të dhëna sërish po tregohet që ekonomia vendore po performon mjaft mirë duke shënuar rritje 14.53 për qind. Vitin 2021 sipas projeksioneve të BQK-së presim ta mbyllim me rritje ekonomike 9.9 për qind, që përbën rritjen më të madhe ekonomike që pas shpalljes së pavarësisë. Eksportet kosovare deri në tetor 2021 janë në vlerë 614 milionë euro dhe janë për mbi 60 për qind më shumë sesa 2020”, tha Kurti.

Ai tha se investimet e huaja direkte në nëntë muajt e parë të këtij viti janë 388.9 milionë euro që përbën 80 për qind ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme.

Kurti u shpreh se kanë regjistruar mbi 10 mijë vende të reja të punës, ndërsa tha se kanë operacionalizuar 23 nga 26 masat apo 88 për qind të ringjalljes ekonomike nga e cila deri më tani kanë përfituar gati 445 mijë qytetarë.

I pari i Qeverisë tha se të hyrat nga ATK janë në vlerë të 552.5 milionë euro, një rritje prej 125.8 milionë euro apo 29.5 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Të hyrat nga Dogana tha se janë në vlerë 1 miliard e 238.8 milionë euro që paraqet një rritje prej rreth 32 për qind apo 300 milionë euro më shumë.

Kurti foli edhe për punën që është bërë në sistemin e drejtësisë, ku tha se është avancuar korniza ligjore për luftimin e korrupsionit duke iniciuar një sërë ligjesh sikurse ai për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe koncept dokumenti për zhvillimin e vettingut në sistemin e drejtësisë. Në luftimin e korrupsionit, tha se janë zhvilluar 509 operacione policore, 893 bastisje dhe janë goditur 42 grupe kriminale.

Në politikën e jashtme, Kurti tha se kanë filluar departizimin dhe reformimin duke krijuar sistem të meritokracisë që hap rrugën për diplomat të karrierës. Në këtë drejtim ai tha se kanë emëruar ambasadorët e ri, ku nga 3/4 e shefave të misioneve të jenë diplomat të karrierës, ndërsa vetëm 1/4 sipas çelësit politik.

Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së, Kurti tha se kanë themeluar strukturat koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian, derisa shtoi se vitin e ardhshëm Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti: Vitin që vjen Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian

“Në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE ne bëmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Në fushën e mbrojtjes Kurti tha se kanë zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, derisa përmendi që për vitin 2022 kanë ndarë 100 milionë euro buxhet për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kurti tha se në shtator ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë, i cili është ende në fuqi dhe tha se në vazhdimësi do të identifikojnë fushat e tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për ta zbatuar atë me sukses.

Kurti ka përmendur edhe vendime të tjera që janë ndërmarrë nga qeveria në fushën e arsimit, kulturës, sportit dhe bujqësisë.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po përfundon një vit përplot sfida, por që nuk do të heqin dorë nga ndryshimi që tashmë kanë filluar.

Kurti ka thënë se ai nuk harron arsyen e rrugëtimit të tij.

“Po përfundon një vit i sfidushëm, pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh e derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektor, kujtojmë se për shumë qytetarë që me dekada janë harruar nga politika jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj, nuk harrojmë arsyen përse jemi këtu, nuk harrojmë arsyen e rrugëtimit, për të hapur një dekade të re të qeverisjes. Nëse punojmë me dije e me qëllime të mira nuk ka sukses që nuk e arrijmë”, ka pohuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti ka thënë se ndodhën në një krizë energjetike, por që po bëjnë të gjitha që të dalin më sa më pak humbje.

“Ata që për dështimet e tyre kërkojnë llogari nga ne, duhet ta shohin vetën në pasqyre”, deklaroi ai.

Kurti: Vitin që vjen Kosova do të bëj aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrat po mbajnë mbledhjen e fundvitit, ku Kurti po cek sukseset e qeverisë në të gjitha dikasteret.

Sa i përket Ministrisë së Jashtme, Kurti tha se kanë filluar departizimin dhe reformimin, duke hapë rrugën për diplomatë të karrierës, te cilët sipas tij, përfaqësojnë denjësisht Republikën.

“Këtë vit në përputhje me reformat e brendshme në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE, ne bëjmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Kurti. 

LIVE: Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Nis mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Kurti mbledh ministrat

Ministrat e Qeverisë Kurti do të mblidhen sot.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës parashihet të fillojë në ora 15:00.

Në njoftimin zyrtar të Qeverisë nuk është theksuar tema për të cilën thirret kjo mbledhje.

Duhet përkujtuar që së fundi pati zhvillime të njëpasnjëshme në vend, e situata mjaftë shqetësuese është ajo e furnizimit me energji-elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat