Haxhiu kërkon masa ndaj Radojçiqit e Veselinoviqit, Policia e Kosovës nuk i arreston

Aktuale

Haxhiu kërkon masa ndaj Radojçiqit e Veselinoviqit, Policia e Kosovës nuk i arreston

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 20:31
Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

Nuk janë bërë ende 10 ditë prej kur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar masa ndaj Milan Radojçiqit e Zvonko Veselinoviqit. Megjithatë, Policia e Kosovës nuk po i arreston ata, pasi që sipas drejtorit Samedin Mehmeti nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë.

Qeveria e Kosovës i ka mirëpritur sanksionet ndaj grupit të Veselinoviqit, por nuk po ia del t’i arrestojë ata.

Ani pse ajo që udhëheq institucionin numër një të drejtësisë, Albulena Haxhiu, u habit pse më herët Kosova nuk ka vendosur masa të tyre, një gjë të tillë nuk po e bën as Qeveria që drejtohet nga shefi i saj, Albin Kurti.

“Konsideroj se jo vetëm pas këtyre sanksioneve, por edhe paraprakisht është dashur të ketë veprime të institucioneve qoftë të sigurisë, qoftë të drejtësisë, në raport me këta persona. E sidomos tani pas sanksionimit, unë nuk kam informacione në qoftë se institucionet janë duke e adresuar këtë. Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar që për njërin prej tyre, në muajin shkurt të këtij viti, është tërhequr urdhërarresti, madje kam qenë e habitur me deklaratën e ish-prokurorit të kësaj lënde ku thotë se ‘ka pasur edhe profile të larta që kanë ardhur në derën time’, duke iu referuar politikanëve shqiptarë për të bërë presion tek ai për ta tërhequr këtë urdhërarrest”, u shpreh ajo disa ditë më parë.

Megjithatë, deklaratat e Haxhiut nuk kanë kryer punë dhe as nuk kanë pasur efekt për ministrinë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i saj, Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, thotë se fakti se ata janë vendosur në listën e zezë të SHBA-së nuk nënkupton se ka bazë ligjore për të kryer aksion ndaj tyre.

“Nëse prokuroria kërkon nga ne, ne do të veprojmë. Nëse ne hasim në informacione që ndërlidhen me krim, ne prapë do të veprojmë, por vetëm pse ata janë në listë të zezë, ne nuk e kemi atë mundësi të veprojmë për shkak se nuk kemi bazë ligjore. Por, nëse prokuroria vlerëson që ato veprime paraqesin vepër penale, ne absolutisht jemi në dispozicion që të veprojmë dhe do të veprojmë ndaj çdonjërit që ka nevojë”, deklaroi të premten Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat