"Të hetohen pohimet e Nazim Bllacës “mbi vrasjet e tij të kryera me urdhër të SHIK-ut”

Aktuale

"Të hetohen pohimet e Nazim Bllacës “mbi vrasjet e tij të kryera me urdhër të SHIK-ut”

Nga: H.O. Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 21:43
Nazim Bllaca

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja- Haki Demolli në një intervistë për ‘Bota sot’ ka folur për veprimtarinë e SHIK-ut në Kosovë. Ai është pyetur pse nuk është hetuar veprimtaria e kësaj organizate dhe a mund të bëhet tani kjo.

Profesor Demolli thotë se, duhet të hetohet kjo organizatë për të gjitha të bëmat, madje se ‘sa janë të vërteta pohimet e Nazim Bllacës “mbi vrasjet e tij të kryera me urdhër të SHIK-ut”, e të tjera.

“Bota sot”: Pse nuk është hetuar veprimtaria e SHIK-ut në Kosovë, dhe a mund të bëhet tani kjo?

Haki Demolli: Jam i mendimit se zbulimi i të vërtetës jo vetëm për veprimtarinë e SHIK-ut si organizatë e shërbimit inteligjent, por edhe për veprimtarinë e çdo individi të vetëm, është tejet i rëndësishëm. Aq më parë kur bëhet fjalë për një organizatë lidhur me aktivitetin e të cilës ka pasur shumë akuza dhe kundërakuza, për një organizatë për të cilën opinioni kosovar ende nuk ka një informatë apo përgjigje të saktë, pra thjesht nuk është në dijeni se sa anëtarë i ka pasur, a janë paguar dhe si kanë vepruar ata (kanë qenë vullnetar apo me pagesë), a ka pasur burim të financimit, kush dhe si i kanë siguruar financat për veprimtarinë e tyre, a i kanë raportuar ndonjë organi mbikëqyrës, cila ka qenë shuma totale e shpenzuar gjatë gjithë ekzistimit të tij, cilat kanë qenë aktivitetet (aksionet) e tij, kush ka qenë në shënjestër të aktivitetit të tij, a ka ndonjë raport pune mbi aktivitetet e tij, a ka ndonjë dokument që tregon për vendimmarrjen (kush ka vendosur dhe kush i ka zbatuar vendimet) apo a ka arkiv eventual në të cilën ruhet dokumentacioni lidhur me aktivitetet konkrete te tij, sa janë të vërteta pohimet e Nazim Bllacës “mbi vrasjet e tij të kryera me urdhër të SHIK-ut” (citat), sa është e vërtetë (citoj Nazimin) “kryerja e 17 rasteve, përfshirë këtu vrasje, plagosje, tentim-vrasje, kërcënime, rrahje brutale”, sa janë të vërteta pohimet e Bllacës lidhur me personat e apostrofuar si anëtarë të SHIK-ut dhe strukturën e veprimit të tyre në treshe, e shumë e shumë çështje dhe pyetje të tjera lidhur me SHIK-un. Të gjitha këto dilema dhe pikëpyetje lidhur me veprimtarinë e SHIK-ut, në sytë e shoqërisë kosovare atë e kanë shndërruar në një organizatë të mistershme. Jam i mendimit se velloja e misterit të tij do të mund të largohet njëherë e përgjithmonë, vetëm pasi që institucionet kompetente të zhvillojnë një hetim të paanshëm, objektiv dhe profesional, i cili qëllim të vetëm do ta kishte zbardhjen e të së vërtetës të argumentuar me prova materiale dhe personale të akterëve të përfshirë dhe prekur në çfarëdo forme me veprimtarinë e SHIK-ut. Andaj sa më parë që zhvillohet një hetim i tillë, përmes të cilit do të zbardhet e kaluara e mistershme e SHIK-ut dhe do të ndriçohet e vërteta për të, aq më mirë do të jetë për vetë veprimtarët e SHIK-ut si dhe për shoqërinë kosovare në tërësi. Populli ynë thotë “më mirë vonë se hiq”, por unë do të shtoja se kur është në pyetje një organizatë e “mistershme” siç është SHIK-u, hetimi (në çfarëdo kohe) për zbardhjen e së vërtetës lidhur me veprimtarinë e tij, jo vetëm që nuk është i vonshëm por është një obligim historik dhe nacional i institucioneve, shtetit dhe shoqërisë kosovare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat