Gjendja emergjente, kryekuvendari Konjufca vendos tri masa në parlament

Aktuale

Gjendja emergjente, kryekuvendari Konjufca vendos tri masa në parlament

Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 14:38
Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka bërë thirrje stafit të kuvendit që të vendosë tri masa për kursimin e rrymës, si pasojë e gjendjes emergjente energjetike të shpallur të premten.

Konjufca ka “obliguar” administratën e pushtetit legjislativ të “ketë kujdes të shtuar” në përdorimin e dritave në zyrat e kuvendit, tregon një komunikim mes kabinetit të Konjufcës dhe administratës së kuvendit.

Komunikimi i kryeparlamentarit Konjufca mbi vendosjen e masave drejtuar Administratës së Kuvendit të Kosovës është realizuar të shtunën.

“Si pasojë e gjendjes emergjente të energjisë, ju bëjmë thirrje të vendosim disa masa edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës si në vijim: 1.Të mos harrohen, apo të ketë kujdes të shtuar me dritat ne zyret tona, dhe koridoret e objektit të Kuvendit”, thuhet në e-mailin e kryeparlamentarit.

Masa e parë dhe e tretë, siç përshkruhet në komunikim, ndërlidhet me përdorimin e dritave në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të kuvendit.

Pika e dytë, ndërkaq, përmban thirrjen e kryekuvendarit kundrejt deputetëve dhe stafit administrativ të kuvendit për ndalimin e pajisjeve teknologjike pas përfundimit të orarit të punës.

“Të fiken kompjuteret dhe printeret pas përfundimit të orarit, dhe paisjet tjera të cilat mund te shpenzojnë energji (tv, klima për ngrohje etj). Të ketë kujdes të shtuar pas orarit me dritat në garazha, koridore dhe zyret e Kuvendit te Kosovës”, theksohet në dy pikat e tjera të e-mailit.

Sipas komunikimit zyrtar, Konjufca i ka kërkuar kuvendit që masat e përshkruara në korrespodencën mes tyre të hyjnë në fuqi sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat