Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Balinda Balluku, ka konfirmuar se për datën 31 dhjetor e 1 janar, Shqipëria do t’i japë Kosovës 7680 MWh energji elektrike, e cila do t’i kthehet shteti shqiptar gjatë muajve të verës.
Ministrja Balluku deklaroi se pas porosisë së kryeministrit Rama janë angazhuar të gjithë burimet njerëzore në ministrinë që drejton, së bashku me specialistët e KESH për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë të festave.
Balluku: Në total do të japim 7680 MWh
“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e KEK-ut kemi arritur që të sigurojmë 3600 MWh për datën 31 dhjetor dhe 4080MWh për datën 1 janar. Në total 7680 MWh të cilat do të jepen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i rikthehen Republikë së Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet tona hidrike fillojnë e bëhen të vështira. Pra, kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji në Republikën e Kosovës do të kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës, nga muaji qershor deri në shtator”, deklaroi Balluku.
Balluk vijoi duke thënë se ka qenë në kontakt edhe me ministrin e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila gjatë gjithë ditës ka qenë në seancë parlamentare duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me situatën me energjinë.
Ministrja shqiptare u shpreh e është detyre që të ndihmohen vëllezërit nga Kosova në mënyrë që të ketë energji në këto ditë festash.
Balluku: Detyrë që të ndihmojmë vëllezërit nga Kosova
"Është kënaqësi për ne dhe është detyrë mbi të gjitha që t’i ofrojmë vëllezërve tanë në Kosovë mundësinë për të pasur në mënyrë të pandërprerë shërbim energjetik gjatë dy ditëve të rëndësishme te Vitit të Ri për shqiptarët që është data 31 dhe 1 janar. Me porosi të veçantë nga kryeministri, kjo detyrë është marrë shumë serizoisht nga ne dhe ne angazhohemi që përveç ndihmës që t'i japim Kosovës do të ofrojmë shërbim pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë”, përfundoi Balluku.
Prej datës 22 dhjetor Kosova është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit dhe avarive në gjeneratorët ne Termocentralet Kosova A dhe Kosova B.