​Sveçla viziton Policinë dhe Zjarrfikësit: Festoni me zemër dhe jo me armë

Aktuale

​Sveçla viziton Policinë dhe Zjarrfikësit: Festoni me zemër dhe jo me armë

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 16:05
Foto nga vendi i ngjarjes

Në prag të vitit të ri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë vizituar sot Policinë e Kosovës dhe Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, me ç’rast ka kërkuar nga qytetarët që të festojnë me zemër dhe jo me armë.

Sveçla përmes një njoftimi në Facebook ka kërkuar po ashtu për kujdes maksimal në natën e sotme, duke i ftuar ata që të festojnë me dashuri e ngrohtësi me ata që i kanë pranë.

“Apeloj për kujdes maksimal në natën e sotme të ndërrimit të motmotit. Festoni me zemër, me dashuri e ngrohtësi me ata që i keni pranë dhe jo me armë që të rrezikoni jetën e tyre”, ka apeluar ai.

Ministri i Punëve të Brendshme nuk ka lënë pa kërkuar kujdes të shtuar edhe përball pandemisë.

“Zyrtarët policorë dhe Zjarrfikësit sonte do të jenë në detyrë për sigurinë e të gjithë qytetarëve edhe pse do të jetë festë. Gjej rastin të falënderoj të gjithë zyrtarët policor, zjarrfikësit, zyrtarët e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për punën dhe angazhimin e tyre përgjatë gjithë këtij viti. Bashkë do të vazhdojmë punën edhe më intensivisht por më i rëndësishmi mbetet shëndeti juaj dhe i gjithë qytetarëve tanë. Ne po përballemi me variant të ri të virusit COVID-19 andaj ju lutem për kujdes ndaj vetes, të afërmve tuaj dhe qytetarëve tanë. Uroj për një vit të shëndetshëm, të suksesshëm e prosperues për të gjithë ju”, ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat