Si e shkallmuan ‘Shtetin paralel’! / Shtabi i vrasjeve dhe eliminimi i atdhetarëve

Aktuale

Si e shkallmuan ‘Shtetin paralel’! / Shtabi i vrasjeve dhe eliminimi i atdhetarëve

Nga: Idriz Morina Më: 12 janar 2022 Në ora: 18:22
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj

Vrasja e pakursyer e shokëve. Tregime interesante. Aq shumë të zhytin në mendime, sa vështirë ta gjesh pastaj rrugën e kthimit në normalitet.

Nuk besonin në asgjë legale, madje as në të dukshmen. Ishin kthyer si në hije, dhe i besonin vetëm hijeve.

Rugova, Presidenca e tij, dhe ‘Shteti paralel’ që të gjithë ne jetonim me të dhe për të, në kuptimin, që do të vinte dita ta jetonim realisht... Ishin po ata njerëzit e ‘hijeve’, që na prishnin përjetimin normal të këtij realiteti.

Dje ishte 23 vjetori i vrasjes së Enver Malokut, bashkëpunëtorit të presidentit Rugova, dhe drejtorit të institucionit paralel “QIK”-ut.

Me 4 janar ishte 19 vjetori i vrasjes së kolonelit Tahir Zemaj, që shërbeu në luftë dhe në fitoren e Betejës së Loxhes nën urdhërat e Institucioneve të “Shtetit paralel”, të Ministrisë së Mbrojtjes.

Njerëzit e “hijeve’

Akuzat ishin të thjeshta, si nga njerëzit e hijeve’ dhe pastaj nga njerëz të mediave si Baton Haxhiu, të cilët para luftës e quanin, ‘republika imagjinare e Rugovës’, republika që ekziston vetëm në shtëpinë e tij, në aq metra katrorë sa ka ajo’, kjo e thënë nga Baton Haxhiu e të tjera.

Të tjerët thoshin ‘përrallat e Rugovës’, ato më askush nuk i ha!

Deri këtu kur i kujtojmë gjërat, mund të duket si një përplasje e thjeshtë në dialog, pavarësisht se paraqet skajshmëritë e tij.

E keqja, do të vie më pas, dhe nga e cila ende nuk po mund të lirohemi.

Atë që e kishte koduar dhe kodifikuar si atdhetarizëm Rugova dhe LDK-ja e asaj kohe me ‘institucionet paralele’ apo me ‘Shtetin paralel’ si thoshin edhe diplomatë të huaj, dhe madje edhe gazetarë të shquar perëndimor, që e njihnin këtë realitet, këta po mundoheshin ta përmbysnin, jo për t’na ndriçuar shpirtrat dhe fatin tonë, por për ta rrënuar, që s’e kishin fatin të ishin vetë në krye të asaj lëvizje dhe atij procesi.

Edhe deri këtu kërkesat e tilla mund të arsyetohen disi, sepse bota e ka njohur dhe e njeh edhe sot, egocentrizmin njerëzor, të politikanëve, intelektualëve, gazetarëve e të tjerëve.

Nuk do të kalojë shumë kohë dhe përpjekjet e tyre për të qenë në krye të lëvizjeve do të merrnin formë. Ata do të mundohen të krijojnë lëvizjen paralele të armatosur, që sot, gati 23 vjet pas luftës, nuk na gjejnë dot komunikatën apo vendimin zyrtar të dokumentuar se kur është formuar UÇK-ja.

Nuk është përpjekja jonë për ta zbardhur as këtë çështje. Por, për ta parë fytyrën e vërtetë të atyre, që para dy dekadave, e bënin të pamundurën, çdo sulm dhe akuzë retorike, dhe më vonë edhe me armë, për ta “rrëzuar ‘Shtetin paralel’”, dhe për ta marrë udhëheqjen e shoqërisë tonë shqiptare, përkatësisht për ta vënë nën kontroll fatin tonë.

Donin ta eliminonin dhe diskreditonin përfundimisht, për ta shuar si ekzistencë

Kur, sado pak u fuqizuan, duke pasur disa qindra veta nën armë, do të fillojnë të ashpërsojnë diskursin dhe narracionin për ‘Shtetin paralel’, madje këtë të fundit duke e shtrembëruar, në mënyrë që ta eliminonin dhe diskreditonin përfundimisht, për ta shuar si ekzistencë.

Duke e sulmuar ‘Shtetin paralel’, ata kishin krijuar fuqi. Fuqia buronte nga ftesa për negocim. Por, negocimi nuk ishte plotë, sepse ‘ekzistonte shteti paralel’. Duke ekzistuar ‘shteti paralel’, ata nuk kishin kontroll mbi fatin e shqiptarëve. Atëherë nuk mbeteshin shumë rrugë për ta realizuar qëllimin në vetvete.

Qëllimi kryesor po dëshmohej, dhe tashmë është dëshmuar se ishte autoriteti i plotfuqishëm brenda kombit shqiptarë në Kosovë, dhe nëpërmjet tij negocimi i vetëm, i pakontrolluar.

Në negociata ofertat dhe premtimet, shpesh në katër sy, ishin shumë joshëse, para, pushtet, publicitet, dhe kryesisht famë.

Zbrazja e armëve ndaj kundërshtarëve

Këta njerëz që askush nuk i njihte, veç grupimi që gjithnjë e më shumë po luante bast me fatin e atdheut, të futur në ingranazhe nga më të ndryshmet, dhe duke ndjerë mungesën e besimit të masës, duke i munguar turma dhe popullariteti dhe fama që ta jep ajo, vendosin të zbrazin armët ndaj kundërshtarëve.

Tashmë ‘gjuha’ e kishte legjitimuar ‘hakmarrjen’ dhe krimin ndaj ‘shtetit paralel’!

U hartua, u publikua dhe u afishua lista për vrasjen e bartësve të shtetit paralel: 1. Ibrahim Rugova, 2.Fehmi Agani... lista vazhdonte të rritej, dhe askush nuk e dinë nëse i ka kaluar mijëra e mijëra emra.

Filluan atentatet të parat me disa dështime, si ndaj Enver Malokut në korrik të vitit 1998, plagosja e rëndë e Sabri Hamitit... kishin nisur ekzekutimet e të gjithë atyre që mund t’i arrinin, në luftë dhe pas saj: u vra ministri Ahmet Krasniqi, Sadri Ramqaj, Enver Maloku, ushtaraku Rashit Mustafa “Karadaku”, Haki Imeri, Agim Qela, Mirush Dakaj, ushtaraku Ekrem Rexha – Drini, Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Bekim Kastratit gazetar i “Bota sot” e Besim Dajakut truproje i presidentit Rugova, Ukë Bytyçi, koloneli Tahir Zemaj me Enis dhe Hasan Zemaj, Kosovë e Albert Zeqiraj, Sebehate Tolaj, e Isuf Haklaj, Bardhyl Ajeti gazetar në "Bota sot" -2005 etj.etj.

Ekzekutimi i gazetarit Ali Uka, i Ilir Konushecit, Behajdin Hallaqit së bashku me Shaban R. Shalën etj., është shembull i luftës edhe brenda llojit, pra, që të gjithëpushtetshmit nuk njohin kufi, as vetë njerëzit e vet, nëpërmjet të cilëve ishin ngritur.

Thjesht kushdo, që mund të kishte ndikim dhe nuk i bindej Shtabit dhe njerëzve të fuqishëm që ata i përkrahnin, do të futeshin në listën për ekzekutim. Aq sa mendohet se numri i tyre ishte mbi një mijë.

Rugova kurrë nuk iu kundërvu. Kurrë nuk kërkoi hakmarrje.

Në zgripc të humbjes së madhe dhe të pashmangshme të Serbisë dhe Millosheviçit, ata po e arrinin "fitoren e madhe", shkallmimin e ‘shtetit paralel’, të cilin Serbia s’e shkatërroi dot.

Pas luftës, Republika e ‘Shtetit paralel’ ra, pasi Qeveria e Përkohshme refuzoi t’i pranonte dy institucionet kyçe, Kuvendin e Republikës dhe Presidentin, deri në zgjedhjet e reja. Bashkë me to ra edhe Qeveria e Përkohshme në krye me Hashim Thaçin.

Por, përkundër shkallmimit dhe goditjes, simbolika e ekzistencës së “Shtetit paralel” mbijetoi, ai ishte Ibrahim Rugova.

Kush e donte ma shumë se Serbia, luftën dhe shkatërrimin e ‘shtetit paralel’. Ajo nuk ishte një ngrehinë e thjeshtë dhe 500 metra katrorë të rezidencës së Presidentit Rugova, sepse po të kishte qenë e tillë, o Millosheviçi o askush do ta kishte rrënuar!

Rugova kurrë nuk iu kundërvu. Kurrë nuk kërkoi hakmarrje. “Le të na vrasin, sado që të na vrasin, do të jenë më pak, nëse vrasim edhe ne!” Boll kemi derdhur gjakë nga vrasjet prej të tjerëve dhe për të tjerët, është mesazhi tjetër i ditur botërisht nga shqiptarët!

Sot, në Hagë sigurisht e kërkojnë në qiell Rugovën s’i askë tjetër, t’ua jap pafajësinë, ashtu si nuk i përndiqte, as për shpifje, as për akuza të rrejshme, as për krime!

E dinte se një ditë do ta paguajnë çmimin, për të cilin kanë bërë aq shumë!

Siç dëshmuan gjetjet e hetimeve pas luftës nga KFOR-i dhe institucione të tjera, ata e kishin krijuar brenda SHIK-ut, skuadrën e vrasjeve!

Skuadra e vrasjeve kryente llogari për tri grupet, të Dukagjinit, të Drenicës dhe të Llapit!

Disa nga anëtarët e kësaj skuadre u eliminuan në mënyrë të organizuar po nga i njëjti grup!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat