Çmenduria serbe ndalet! / Serbia dhe Vuçiqi tërhiqen si qyqarë!

Aktuale

Çmenduria serbe ndalet! / Serbia dhe Vuçiqi tërhiqen si qyqarë!

Nga: Idriz Morina Më: 16 janar 2022 Në ora: 10:03
Presidenti i Serbisë Vuçiqi bashkë me Vulinin, dështoi në flagrancë me kërcënime

Intrigat serbe po marrin fund. Po ashtu edhe gënjeshtrat diplomatike të saja tek shtetet që ende se kanë njohur Kosovën.

Referndumi serb antikushtetues në Kosovë u ndalua të mbahet, dhe Serbia u tërhoq, si qyqare, atëherë kur shumë zhurmues pro serb mendonin se do t’i dilnin flakët Kosovës nga ‘kundërpërgjigja’ e ashpër serbe!

Por, asgjë nuk ndodhi, Kosova dhe shqiptarët u gdhinë në një ditë më normale thuaja se kurdo, që nga pas lufta.

Edhe vetëmashtrimi serb po merr fund, për shtetasit e saj në Serbi dhe për serbët e Kosovës, se Serbia ka sovranitet mbi krahinën e dikurshme autonome të ish-Jugosllavisë komuniste. Kosova i dëshmoi të gjithëve se është shtet vërtetë sovran dhe i pacenueshëm!

1. Intrigat serbe po marrin fund, pasi u ndeshën me kundërreagimin shembullor të institucioneve të Kosovës, të cilat nuk e njohin robërinë, shantazhin, dhe naivitetin e varësisë nga forcat e jashtme.

Serbia duke u munduar që të shantazhojë bashkësinë ndërkombëtare perëndimore, veçmas BE-në, me kërcënime se nëse nuk lejohej referendum kushtetues për Serbinë brenda Kosovës, ajo do të vepronte pakompromis kundër Kosovës, si thuhet ranë në ujë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi pat paralajëmruar për pasoja nga veprime të paimagjinueshme të Serbisë, për Kosovën dhe Quintin. “Pasojat do të jenë shumë më të rënda dhe më të gjera sesa shqiptarët dhe QUINT-i e imagjinojnë për momentin”, pat deklaruar Vuçiq.

Vendosmëria e institucioneve të Kosovës, duhet t’i ketë bindur tashmë edhe bashkësinë ndërkombëtare se Serbia jeton thjesht nëpërmjet intrigës dhe shantazhit, rrenës dhe mashtrimit, ndërsa s’ka guxim të vërtetë, kur e dinë që kundërpërgjigjet janë serioze dhe me vendosmëri të lartë.

Ata tërhiqen si qyqarë! Ashtu bëri Vuçiqi!

2. Miqtë tanë si SHBA-të tashmë mund të ndihen të lehtësuara, por edhe krenare se kanë ndihmuar të ngritet një shtet i vërtetë sovran, dhe që kërkon pa përjashtim ta shtrijë ligjin dhe sovranitetin në tërësinë e tij, mu ashtu siç ka kërkuar SHBA-ja në vazhdimësi, që nga pavarësimi i vendit, me pak luhatje vetëm në fund të presidencës Tramp. Po ashtu kjo ndodhi ashtu si është zotuar vetë ambasadori amerikan Xhefri Hovenier, para Senatit amerikan, për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Bashkimi Europian duhet ta kuptojë se është në rrjedhë të gabuar me qasjen e tij dhe mbase edhe duke bashkëpunuar pandershëm me Serbinë dhe në favor të saj, qoftë nën trysninë ruse apo çfarëdo.

Bashkimi Europian duhet ta kuptojë se Kosova nuk është më “mish për top” për të zgjidhur “krizat e saj të lindjes”.

As shqiptarët nuk mund të përdoren më ‘mish për top’ për të realizuar qëllime të shoqërive sekrete, me motive të orientalizmit të shekullit të 19-të dhe fillimisht të shekullit të 20-të.

Europa duhet ta ndjejë përgjegjësinë e saj historike, për më shumë se një shekull të shkatërrimit të shqiptarëve, territorialisht, demografikisht dhe etnikisht.

Kongresi fatal i Berlinit, paraprakisht marrëveshjet sekrete për mosnjohjen e etnisë shqiptare në Ballkan, Konferenca e Londrës, e Parisit, e Jaltës etj., marrëveshje që shqiptarët i sollën në buzë të ekzistencës nga populli më i madh në Ballkan, në thuaja më të voglin, nga populli me shtrirjen më të madhe në thuaja më të voglën, përveç Malit të Zi. Dhe për habinë e të gjithëve, shtetet rreth shqiptarëve u ngritën pikërisht mbi gjakun shqiptarë, popullatën kryesisht ortodokse shqiptare.

3. Diplomacia serbe mori goditjen nga më të rëndat, që nga pas lufta nga Kosova. Nuk ka më lojëra trenash.

E ndalnin trenin, por jo adminsitrimin serb të veriut!

E ndalnin trenin, por jo ata që e bartnin sovranitetin e Kosovës në Serbi!

E ndalnin trenin, por e hiqnin kufirin për kontrabanduesit serb, sipas vullnetit të Serbisë, në mënyrë që të përfitonin sado pak grupet kriminale, që kishin shtrirje në institucione dhe ishin vetë pushteti në Kosovë.

“Treni” ndalet duke e ndalur veprimtarinë e hapur të institucioneve serbe në të gjitha komunat me shumicë serbe, e veçmas në veri!

“Treni” ndalet kur ndalet trendi i veprimtarive antikushtetuese të Serbisë në Kosovë, siç u ndal referendumi!

“Treni” ndalet dhe madje shkatërrohet e bëhet hi, duke ia burgosur Serbisë strukturat paramilitare dhe ilegale në Kosovë, si Zvonko Veselinoviç, Milan Radojçiq e çdo kriminel serb i lidhur me ta, dhe strukturë tjetër kriminale që ta krijojë ajo!
Diplomacia serbe dhe Presidenti i Serbisë Vuçiqi dështuan në flagrancë. Kërcënimet e saj ishin blof!

4. Por, ajo që duhet ta dinë institucionet është se Serbia është tërhequr vetëm përkohësisht, me shpresë se Rusia do të godasë dhe madje do të mund të shkallmojë një pjesë të armëve jokonvencionale dhe pjesërisht ato kovencionale të NATO-s dhe Perëndimit, në luftën për sovranitetin e pjesshëm të Ukrainës.

Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhe, dhe që Rusia diktatoriale e Putinit të shkallmohet, dhe të tërhiqet si qyqare, pas invadimit të Krimesë, Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat