​Osmani: Skënderbeu krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve

Aktuale

​Osmani: Skënderbeu krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve

Më: 17 janar 2022 Në ora: 10:18
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ka thënë se ai krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve, por edhe me popujt e qytetërimit perëndimor.

“Sot kujtojmë kryestrategun dhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili me përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së atdheut, mbrojtjes së vlerave kulturore e etnike të popullit të tij, por edhe me aleancat e fuqishme me popujt evropianë, e krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve, por edhe me popujt e qytetërimit perëndimor. Të përkulemi, Skënderbe”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ndërroi jetë më 17 janar 1468 në Lezhë. Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë u lind në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur u lind Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Krishterimit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15-të dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe mbrojtës i krishterimit.

Arriti të ndalonte për 25 vjet me radhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Evropës së Krishterë. Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysmëperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë. Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat