Dje kundër ‘Shtetit paralel’, sot kundër Shtetit sovran!

Aktuale

Dje kundër ‘Shtetit paralel’, sot kundër Shtetit sovran!

Nga: Idriz Morina Më: 17 janar 2022 Në ora: 15:08
Hashim Thaçi si duket nga Haga po e komandon PDK-në

Partia Demokratike e Kosovës definitivisht vuan nga nënshtrimi i grupeve të interesit me prirje të fuqishme kriminale dhe me ndikime negative në historinë e Kosovës.

Refuzimi i Grupit Parlamentar të PDK-së, që ta miratojë Rezolutën për ndalimin e votimit me qendra votimi në Kosovë të referendumit për ndryshime kushtetuese në Serbi, është shokues. Natyrisht që shokimi do të ishte valid dhe shqetësuese nëse do të kishim të bënim me një parti normale.

Dy ish kryetarë të saj, që nga themelimi, e deri në arrestimin e tyre, ndodhen në burg në Hagë, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, dhe që pritet të përgjigjen kryesisht për krimin politik, ndaj shqiptarëve. Disa nga vrasjet dominuese të kërkimit hetimor në Hagë janë vrasja e ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, vrasja e dy bashkëpunëtorëve, publicistëve të presidentit Rugova, e të dhjetëra rasteve të tjera deri në fund të vitit 2000, sipas fushëveprimit kohor të mandatit të speciales.

Bojkoti

Edhe vendimi për refuzim, përkatësisht për bojkotim të seancës ku u vendos për ndalimin e votimit në Kosovë nga serbët me shtetësi të dyfishtë, mendohet se ka ardhur drejtpërdrejtë nga Haga, ish-krerët e PDK-së.

Kësaj i jep kuptim fakti, se fillimisht në një deklaratë për shtyp kryetari aktual i PDK-së Memli Krasniqi, doli kundër mbajtjes së atij referendumi, por të nesërmen, Abelard Tahiri shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, e paraqiti vendimin në emër të këtij grupi, që është më i madhi opozitar, se do ta refuzonin pjesëmarrjen në seancë.

Ky refuzim në kushte normale, ndoshta edhe nuk do të ishte keqkuptuar, sa e imponojnë rrethanat aktuale. Kosova vazhdon të ketë trysni ndërkombëtare për të bërë lëshime ndaj Serbisë, e cila po luan edhe me perëndimin duke e shantazhuar se do t’i bashkohet një aleance me Rusinë, dhe herë të tjera të forcimit të marrëdhënieve me Kinën.

Por, t’i bëjmë një vështrim sjelljes së krerëve të PDK-së, të cilët, janë edhe në këto rrethana drejtues të saj.

Dhuna sistematike ndaj udhëheqësve

Hashim Thaçi dhe “grupi ndërmarrja kriminale” sipas gjykatës speciale dyshohet se kanë kryer dhunë ndaj të gjithë atyre që i kishin apo i konsideronin kundërshtarë politik.

Por, dhuna sistematike bëhej ndaj udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Madje, as nuk e mendonin apo se konsideronin mundësinë për një puq, sepse për ta institucionet e Republikës së Kosovës, si duket nuk kishin kuptim.

Por, institucionet e Kosovës ishin vazhdimësi e institucioneve që gjatë regjimit komunist të Jugosllavisë, kishin autonomi të plotë, përveç të drejtës së shkëputjes.

Image
Ibrahim Rugova pas zgjedhjes president i Republikës me 1992

Pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë, në mënyrë antikushtetuese nga regjimi i Beogradit, Kuvendi autonom i Kosovës e Shpalli Kosovën Republikë me 2 korrik 1990, duke e barazuar me statusin politik të gjashtë republikave të tjera. Në shtator të atij viti, me 7 shtator në Kaçanik, e miratoi edhe Kushtetutën, dokumentin më të lartë të Republikës. Me këtë Kushtetutë Kosova e gëzonte të drejtën e shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Kjo i hapi rrugë mbajtjes së referendumit me 26 shtator të vitit 1991, me të cilin rreth 98% e popullsisë i tha po ndarjes së Kosovës nga Jugosllavia, dhe e kompletoi sovranitetin juridik.

Në bazë të këtyre akteve juridike u mbajtën edhe zgjedhjet e para me 24 maj 1992 të shqiptarëve, ku morën pjesë partitë politike ekzistuese, LDK, PSHDK, Partia Parlamentare, Partia Fshatare, Partia Liberale etj., dhe njëkohësisht u mbajt edhe votimi për President të Kosovës. Parlamenti i ri i Republikës u krijua në bazë të rezultatit zgjedhor, ndërsa president u zgjodh në mënyrë thuaja unanime, Ibrahim Rugova, deri atëherë vetëm kryetar i LDK-së, edhe pse kishte gati tri vjet që po e udhëhiqte rezistencën shqiptare, me lëvizje paqësore. Presidenti e dekretoi Qeverinë e re, pa e ndryshuar thuajse atë paraprake, me kryeministër Bujar Bukoshin. Më 1998 do të mbaheshin në kushte të shpërthimit të dhunës dhe luftimeve në Kosovë, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, me përjashtim të komunave ku nuk kishte kushte, si Drenasi etj.

Të gjitha këto institucione nuk u krijuan dhe nuk u mbajtën rastësisht, as lehtësisht. Shqiptarët qenë sfiduar me të gjithë dhunën e mundshme policore të regjimit të Beogradit, por nuk u dorëzuan, duke mbajtur organizimin e atij që quhet “Shteti paralel”, si arsimin, shëndetësinë, organizimin politik, dhe që nuk i kishte ndalur as përpjekjet për organizim ushtarak, që kulmoi me konsolidimin e Ministrisë së Mbrojtjes me emërimin e kolonelit Ahmet Krasniqit.

Klani që përfaqësonte Hashim Thaçi në luftë, nuk e njihte ekzistencën e shtetit të Kosovës

Por, klani që përfaqësonte Hashim Thaçi në luftë, nuk e njihte ekzistencën e shtetit të Kosovës. Nuk e njihte asnjë institucion të saj, përveç kur merrnin financime të majme nga Qeveria e Republikës.

Ky refuzim ishte aq kategorik, sa ata filluan të krijonin regjistra të gjatë për vrasjen e njerëzve që i udhëhiqnin dhe i mbështesnin institucionet e Republikës. Në krye të listës për ekzekutim ishte Ibrahim Rugova. Ekzekutimet të nxitura nga kjo lloj urrejtje kanë vazhduar së paku deri në vitin 2005.

Pra, kemi të bëjmë me një mendësi të dyshimtë, të njerëzve që kurrë nuk kanë kërkuar falje për luftën e gabuar që ua kanë bërë institucioneve të Kosovës, për vrasjet politike, për atentatet ndaj presidentit Rugova, që nuk u ndalën deri në vdekjen e tij.

Përgjegjës për trazirat e marsit

Pra, këta që e luftuan “Shtetin paralel”, që për të ardhur në pushtet i bënë trazirat e marsit 2004, me të cilat e sollën pakon Ahtisari, për shkak të djegieve, disa vrasjeve, edhe pse serbët vranë më shumë shqiptarë, e dëmtuan rëndë imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve, dhe Serbia e ndihmuar nga shtetet miqësore me të, arritën që serbët t’i paraqesin si viktima, dhe ne shqiptarët si agresorë, duke e shfrytëzuar aktin e djegies së disa kishave, që nuk dihet me saktësi, se kush e nxiti djegien e tyre.

I njëjti klan ishte vendimtar, që edhe me pakon e Ahtisarit, t’i falet tokë Maqedonisë. Ndërsa, vite më vonë Malit të Zi me demarkacionin antihistorik e antishqiptar.

Po Hashim Thaçi u vu në krye të përpjekjeve së bashku me Vuçiqin, ta ndanin Kosovën!

Po ky klan me grupimet e tij e shkatërruan ekonominë, e shpopulluan Kosovën, më shumë se një milion banorë më pak i kemi, se që duhej të kishte Kosova e pasluftës, e shkatërruan arsimin, shëndetësinë...

Ajo pra, që ndodhi të shtunën, bojkotimi i Kuvendit dhe refuzimi i një rezolute sovraniste, është vazhdimësi e dhunës sistematike ndaj shtetit dhe shtetarëve të saj!

Kjo përpjekje antishtetërore, nuk pati kurajo të dëgjonte edhe vetë eksponentët e saj me ndikim, si Dr.Arsim Bajrami, i cili përveç se argumentoi se referendumi serb është kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, dhe gabimet e qasjes së BE-së ndaj Kosovës, ai bëri thirrje për unitet nacional. “Uniteti institucional, partiak dhe i lidershipit të Kosovës në këto ditë, kur po kujtojmë viktimat e gjenocidit të Serbisë është përgjigjja më e mirë ndaj këtij provokimi”, ka shkruar ndër të tjera Bajrami.

Por, zëri intelektual dhe racional, nuk ka pasur vend asnjëherë kur “klani” nuk ka qenë në pushtet.

Çfarë projekti tjetër keni në vazhdim kundër interesave të shqiptarëve?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat