Këtë doni ta bëni ju me ne, të na përdorni “mish për top”, për ta ndalur Rusinë!

Aktuale

Këtë doni ta bëni ju me ne, të na përdorni “mish për top”, për ta ndalur Rusinë!

Nga: Idriz Morina Më: 17 janar 2022 Në ora: 21:20
Forcat ruse në kufirin me Ukrainën, të gatshme për inazion nëse nuk i ndal Amerika

Ja si e përshkruante Skënderbeun Ferdinand (Ferdo) Maksimilijan pl. Shishiç (1869 - 1940), një nga themeluesit e historiografisë moderne kroate, citat që e risjellim sipas publikimit të profesor Jahja Drançollit: "Ajo vlerë që është midis poetëve si Shekspiri, të oratorëve si Fox, të komandantëve si Napoléoni, ky është Skënderbeu në mesin e trimave, trim i vërtetë"; “Kur Europa dridhej, skifteri arbëror nuk dinte se ç’është humbja, çfarë është robëria, as çfarë ishte frika”!

Mohimi i heroit Europian

A e kuptoni tani z.Stano se kush ishim dhe trashëgimtarë të kujt jemi ne shqiptarët.

A e kuptoni ju z.Stano tani, se ne nuk do ta kishim ditur se në cilën minare do të ishe ngjitur t’i tani, në cilën xhami do të kishe vrapuar të shkoje, apo çfarë forme të xhihadit do të preferoje, po të mos ishte ky Skënderbeu, sovranisti i Arbërisë (Shqipërisë, jo londineze, që ju e keni ngrirë, prerë, shkallmuar), sovranisti i Europës!

A e kuptoni se nuk ishte as Karagjorgjeviçi, as Millosheviçi, as nuk është Vuçiqi, ai që ju shpëtoi ju. Nuk ishte asnjë hero sllavë, por i vetmi hero europian në plotëkuptimin e fjalës, që nuk humbi kurrë, as kur luftoi me Lindjen, as me Perëndimin (me Venedikun apo përkrahë Mbretit Napolitan, Alfonsin I dhe Ferranten I)!

Nuk ishte njeri gjigand, prej nga rrjedh populli gegë shqiptarë i Kosovës, i Shqipërisë veriore, i Malit të Zi, i Dalmacisë, i Sanxhakut (të Novi Pazarit) e deri tek kufijtë e sipërm të Sanxhakut të Nishit, e i Maqedonisë, veriore e jugore, Çamërisë, e Atikës.

Ai rridhte nga kombi heroik, që i kanë kënduar që nga Homeri. Ishte pasardhës i Lekës së Madh, në emër të të cilit e mbiemëruan Iskender (trajta turke për Aleksandrin e madh) dhe të strategut të jashtëzakonshëm Pirros, pushtuesit të Romës, të cilët i kishte idhuj, dhe shëmbëlltyra. Luftoi për identitetin e shqiptarëve, që ju po mundoheni ta mohoni sot!

Do ta duan vërtetë edhe ata që sot po e urrejnë

Z.Stano, njerëz si ti, dhe zëri i të cilëve je në Bruksel, nuk na dobësojnë ne, përkundrazi, ju na ndihmoni ta duam edhe më shumë tokën shqiptare, Kosovën, madje ta duan vërtetë edhe ata që sot po e urrejnë duke besuar se ju keni krijuar shtetin ideal.

Po të mos kishit nevojë për ne, ju sot, si flisni në det do të na kishin hedhur serbët. Por, tash ju duhemi, si në kohën e Skënderbeut, edhe pse një hero të atillë aspak se kemi, të na përdorni “mish për top”, për ta ndalur Rusinë, kësaj perandorie ortodokse, më shkatërrimtare që e ka njohur njerëzimi.

Këtë doni ta bëni ju me ne, qoftë duke na përdorur në luftë të drejtpërdrejt për mburojë, qoftë duke e copëtuar Kosovën, ashtu siç na keni copëtuar me 1878, me 1912/13, 1919 e në 1945 në Jaltë!

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, edhe të hënën ka treguar se Bashkimi Europian ‘po vuan’ për shkak se Serbia është ankuar, dhe madje ka kërcënuar BE-në, se nëse Kosova nuk e lejon referendumin, do të ndërmarrë “veprime të paimagjinueshme”.

Z.Stani ju duhet ta dini fillimisht se “veprimet e paimagjinueshme” serbe janë gënjeshtra dhe fantazi serbe. Të vetmet gjëra që ata dinë t’i bëjnë në gati 200 vjet, kur ju europianët dhe Rusia i përkrahni, janë: që të mbysin foshnjat në djep, t’i djegin të gjallë pleq e plaka, dhe të dhunojnë e pastaj t’i vrasin femrat dhe gratë e reja!

Asnjë gjë nuk i ka sjellur Serbia civilizimit europian prej se kanë zbarkuar në Iliri, në Dardani, tokat e të parëve tanë. Por, ndëshkimin e frikshëm të dhunës barbare, që as në parahistori nuk është dëgjuar një urrejtje njerëzore kaq e thellë.

Nëse ju dini çfarë vlerash monumentale i ka sjellë Serbia qytetërimit europian na thuani! Por, pasardhësit tuaj, ende pa kaluar edhe një shekull, mbase edhe pa u përmbyllur ky shekull, do të habiten dhe tronditen me brutalitetin, paaftësinë, mungesën e humanizmit, dhe mbi të gjitha të shkeljes së vlerave europiane të proklamuara nga ju, ndaj shqiptarëve në dy shekuj!

1999 ishte e vetmja herë që shqiptarët u shpëtuan, por edhe kësaj here ndihma nuk erdhi nga Europa, por nga SHBA-të, pastaj nga Gjermania, Zvicra, Austria, Britania... Për shumë shtete të tjera europiane, ne vështirë se do të mund të ishim kthyer në Kosovë! Ndoshta kurrë ata që u dëbuan, ndërsa ne që mbetëm këtu, vështirë se do të kishim mbijetuar! Edhe kjo është e vërtetë. Por, para se të ndodhte kjo, Serbia i ka ngrënë tri Kosova me territor dhe me banorë! Greqia, dy-tri Shqipëri, Maqedonia dy Kosova, dhe Mali i Zi po aq sa është apo një Kosovë! (Numëroni ju pastaj se sa Kosova paskan qenë)!

Po ashtu ju duhet ta dini, se sikurse u krijua Kosova shtet me ndihmën ndërkombëtare, bile edhe në një mënyrë më tutoriale, por dhe mashtruese është krijuar Greqia (sepse lufta e vërtetë ishte bërë nga shqiptarët, që pas çlirimit duhej të bashkëqeverisnin me grekët, por u tradhtuan me këshillimin europian)! Në mënyrë të ngjashme u krijua Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria.

Pra, Pavarësia e Kosovës është vetëm tregimi i fundit, në krijimin e shteteve ballkanike! Pra, nuk keni bërë asgjë më shumë se sa keni bërë për fqinjët tanë, por vetëm më pak dhe shumë, shumë më keq!

Rrënjët e kulturës perëndimore

Unë që po ju shkruaj këto radhë nuk kam përfituar kulturë nga asnjë qytetërim tjetër, jam rritur me ninullat e këtij dheu, madhështinë e Lekës Madh e Skënderbeut, por me letërsinë europiane, filozofinë europiane, psikologjinë europiane, kulturën europiane... Pra, kjo mendësi e imja për pamjen e juaj në kundërshtim me vlerat e mirëfillta europiane, buron nga kultura europiane, e pa abuzuar!

Z.Stano, sipas sjelljes suaj, atyre deklarimeve që i ke shfaqur në opinion, ti ose duhet ta kryesh detyrën me nderë ose të japësh dorëheqje. Nuk është detyra e një zëdhënësi që ka etikë të dalë dhe ta sulmojë një shtet, një komb, në emër të gënjeshtrave serbe dhe qëndrimeve antieuropiane, dhe në kundërshtim të plotë me kulturën perëndimore.

Nuk mundeni dhe nuk duhet t’i kërkoni një shteti ta shkelë Kushtetutën e vet, aq më tepër që kjo të bëhet për interesa të një shteti që ka kryer gjenocid, etnocid, kulturocid... për gati dy shekuj, vetëm sepse ky shtet i deformuar, që shkelë çdo parim europian dhe parimet ndërkombëtare, që si i vetgënjyer dëshiron ta besojnë të gjithë gënjeshtrën e tij, se Kosova nuk është shtet.

Pra, zoti Stano, nëse keni etikë minimale, ju nuk mund të gënjeni që Kosova nuk është shtet, sikurse po bën Serbia. Ju po e shihni Kosovën si një vend nën kontrollin ndërkombëtar.

Pavarësia e Mbikëqyrur e Kosovës ka përfunduar në fund të vitit 2012 me vendim të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, anëtare të të cilit ishin vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-ja.

Me 10 shtatori, Grupi Drejtues Ndërkombëtar, në deklaratën e tij thotë: “Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, Plani Gjithëpërfshirës i Statusit të Kosovës, nuk ekziston më, si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”.

Pra, z.Stano, ne nuk jemi në fazën e pavarësisë së Mbikëqyrur kur vendimet mund t’i merrte Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (atëherë Peter Faith, që për rreth 4.5 vjet ishte në atë detyrë), në cilësinë thuaja të një sovrani.

Lexojeni me vëmendje, se kur është marrë vendimi për heqje të Pavarësisë së Mbikëqyrur, thuheshin dy gjëra në mënyrë eksplicite: Plani Gjithëpërfshirës i Statusit të Kosovës, nuk ekziston më, si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit.

Pra, as nuk jemi në fazën e dominimit të dokumentit të Ahtisarit, dhe as në fazën e kontrollit mbi shtetin e Kosovës nga një autoritet ndërkombëtar.

Por, jemi siç theksohet në fazën e vetme, dhe sovrane të Kosovës, ku Kushtetuta është baza e vetme juridike.

Prandaj, është detyra juaj, që këtë dokument t’ia kujtoni shefave tuaj, dhe ju me etikën e duhur profesionale, duhet të jepni dorëheqje, dhe t’ju kërkoni falje shqiptarëve, për shkak të detyrimit që kishit për të gënjyer dhe mashtruar opinionin publik dhe diplomacinë, në emër të praktikave të çoroditura nga njerëz të çoroditur, që sot po zvarriten burgjeve të Europës! Ju ata i keni burgosur, jo ne! Sigurisht kur me vonesë e kuptuat se sa të çoroditur ishin!

Pra, ato dokumente është detyra juaj, që t’ia dërgoni në tavolinë z.Borel, Lajçak dhe të gjithë të tjerëve, që gjykojnë në kundërshtim me hapat juridik dhe politik që janë ndjekur ndaj Kosovës dhe që ajo sot duhet t’i ndjek.

Ndërmjetësimin e OSBE/ODHIR, nuk e parasheh asnjë dokument i Kosovës, fiks asnjë, as në veri e as në jug.

Prandaj, deklarimi juaj z, Stano: “Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë. Të gjithë serbëve te Kosovës me të drejtë vote, duhej t’ju ishte krijuar mundësia për të votuar përmes operacionit të mbledhjes së kutive të votimit të lehtësuar nga OSBE/ODHIR. Ne shprehim keqardhje që operacioni i mbledhjes së kutive të votimit nuk ndodhi. Këto operacione kanë ndodhur në të shkuarën dhe kjo është një praktikë që është vendosur dhe zhvilluar për një periudhë afatgjatë. Kjo ka ndodhur në 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020. Ndaj, kjo është vërtet për të ardhur keq. Për ta bërë këtë operacion të mundshëm duhej aprovimi i të dy palëve”, është i çoroditur.

Ne jemi lodhur nga çoroditja dhe të çoroditurit, duam të shohim reflektimin e vlerave europiane në raport me Kosovën, të vërteta dhe vlerat universale, nëse nuk i keni përvetësuar ‘vlerat serbe’ si model!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat