I akuzuari për terrorizëm pranon fajësinë që luftoi për ISIS-in, thotë se është penduar

Aktuale

I akuzuari për terrorizëm pranon fajësinë që luftoi për ISIS-in, thotë se është penduar

Më: 18 janar 2022 Në ora: 12:31
Pamje nga seanca

I akuzuari për terrorizëm, Fidan Demolli ka pranuar fajësinë dhe shprehet i penduar që luftoi për ISIS-in.

Ai këtë pranim të fajësisë e ka bërë të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi të njëjtit iu lexua aktakuza nga ana e prokurorit special Afrim Shefkiu.

Demolli ka thënë se deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ashtu siç ishte deklaruar edhe në polici dhe prokurori.

Mbrojtësi i tij, avokati Jeton Partuzi ka thënë se i akuzuari Demolli ishte konsultuar mjaftueshëm me të për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, prandaj i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të aprovoj këtë pranim të fajësisë.

Aprovimin e pranimit të fajësisë e ka pranuar edhe prokurori special Afrim Shefkiu, i cili ka deklaruar se ky pranim i fajësisë është i plotë dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Në këtë mënyrë, kryetarja trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri e ka aprovuar këtë pranim të fajësisë.

Lidhur për rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese të cilat do të merren parasysh gjatë matjes dhe shqiptimit të dënimit, prokurori Shefkiu si rrethanë lehtësuese ka përmendur pranimin e fajësisë së të akuzuarit, gjendjen familjare dhe pendimin për kryerjen e veprës penale.

Ndërsa si rrethana renduese prokurori Shefkiu ka përmendur peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, mënyrën e kryerjes së veprës penale, si dhe kronologjinë e udhëtimit për të përfunduar si luftëtar i huaj terrorist.

Ndërsa mbrojtësi i Demolli, avokati Jeton Partuzi ka kërkuar nga gjykata që si rrethana lehtësuese të merr pranimin e fajësisë, bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë në të gjitha fazat e procedurës, gjendja e dobët ekonomike, e cila sipas avokatit ka ndikuar që ai për një jetë më të mirë të shkojë në Siri, pasi i janë premtuar rroga të mira dhe shtesa për fëmijë.

Avokati Partuzi si rrethanë tjetër ka përmendur edhe pendesën e thellë të të akuzuarit, faktin që është baba i gjashtë fëmijëve, gjendjen jo të mirë shëndetësore, qëndrimin e tij në paraburgim në Siri i cili sipas avokatit është maltretuar.

Ai po ashtu ka kërkuar nga gjykata që në dënimin e tij të shqiptuar t’i llogaritet edhe koha e kaluar në burg në Siri dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë.

“Jam penduar për veprimet e mija, nuk e kam gjendjen e mirë shëndetësore, premtoj që më asnjëherë nuk do të përsëris vepër penale”, ka thënë në fund i akuzuari Demolli.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 20 janar 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur me 15 dhjetor 2021, i akuzuari Fidan Demolli në gusht 2014, me qëllim që ti bashkëngjitët organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me personin Ardian Hyseni, nga Prishtinë përmes vend kalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç thuhet në aktakuzë, më pas përmes Bullgarisë kishin arritur në Turqi-Stamboll e pastaj në Gazientep dhe pas kontaktit me Burim Demolli kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS, ishte pajisur me pushkë automatike AK47, dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri me 17 korrik 2021, me c’rast është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Demolli po ngarkohet me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nga nenin 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat