​LDK: Paaftësia e Qeverisë Kurti po ndikon në shtrenjtimin e energjisë elektrike për 42 për qind

Aktuale

​LDK: Paaftësia e Qeverisë Kurti po ndikon në shtrenjtimin e energjisë elektrike për 42 për qind

Më: 18 janar 2022 Në ora: 15:21
Besian Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë Kurti për paaftësi dhe mos veprime për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike për 42 për qind.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për medie të martën, tha se mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizmit të ekzekutivit do të vështirësojnë jetën e qytetarëve. 

Mustafa: Mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizmit të qeverisë do të vështirësojë jetën e qytetarëve 

“Mungesa e përgjegjësisë, profesionalizmit, njohurisë dhe vullnetit për punë pro aktive e qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind. Pavarësisht tentimeve për të manipuluar me kalkulime që kinse rezultojnë në mos rritje të çmimeve, çmimet e faturës elektrike do të ngritën drastikisht. Këto i vështirësojnë jetën qytetarit krahas rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazë që ka përjetuar gjatë muajve të fundit”, tha ai. 

Mustafa i cili është edhe deputet i LDK-së, tha se Qeveria Kurti s’ka dhënë asnjë shenjë për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike. 

Mustafa: Qeveria deri sot nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ide për të zgjidhur problemin e energjisë 

“Qeveria deri sot nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ide për të zgjidhur këtë problem në rrafshin afatgjatë. Kur krejt qeveritë e botës janë mobilizuar që të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe ekonomitë e tyre, mos veprimet e Qeverisë së Kosovës rezultojnë në shtrenjtimin e energjisë për 42 për qind për qytetarët. Mos veprimet e qeverisë për të gjetur zgjidhje po dëmtojnë familjet dhe bizneset kosovare. LDK angazhohet në vazhdimësi që të rriten kapacitet prodhuese në Kosovë, të zvogëlohet vartësia nga importi i energjisë dhe që fatura e energjisë të jetë sa më përballueshme për secilin familje dhe prodhues në Kosovë”, shtoi Mustafa. 

Deputeti opozitar e kritikoi ekzekutivin edhe për mjetet e shpenzuara në energji elektrike, pa investuar asgjë në rritjen e kapaciteteve prodhuese. 

Mustafa: Paaftësia e qeverisë për të menaxhuar furnizimin me energji elektrike deri tani i ka kushtuar 115 milionë euro 

“Paaftësia e qeverisë për të menaxhuar furnizimin me energji elektrike deri tani i ka kushtuar qytetarit të Kosovës, 20 milionë euro të ndara për KOSST-in, 20 milionë euro të tjera për importin e energjisë dhe 75 milionë euro të tjera për subvencionimin të çmimit të energjisë. Pra gjithsej 115 milionë euro deri tash pa investuar një cent të vetëm në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë. 115 milionë euro të shpenzuara deri tash dhe në anën tjetër Qeveria refuzoi 200 milionë dollarë grand nga MCC e ShBA-ve për termocentralin me gazë që do të shërbente për prodhimin më të lartë të energjisë dhe çmime më të ulura për tregun vendor”, deklaroi ai. 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë ka propozuar rikthimin e bllok tarifave në faturat e energjisë elektrike. Shqetësim për një vendim të tillë shprehu edhe partia tjetër opozitare, PDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat