Kusari për mospagesën e rrymës në veri: Shpejt do të zgjidhet

Aktuale

Kusari për mospagesën e rrymës në veri: Shpejt do të zgjidhet

Më: 18 janar 2022 Në ora: 22:16
Mimoza Kusari-Lila,

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse Kosova nuk i paguan faturat e rrymës për katër komunat veriore, Serbia është e gatshme të fillojë të ofrojë energji për veriun.

Për këtë, ajo po thotë se Kosova ka paguar që të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Megjithatë, Kusari-Lila tha se kësaj pabarazie do t’i vijë fundi shumë shpejt.

“Jam shumë e bindur që viti 2022 do të shënojë një kthesë pozitive dhe tepër të rëndësishme në raport me kthimin e stabilitetit të energjisë elektrike në veri, që nënkupton licencimin e kompanisë dhe fillimin e mbledhjes së faturave”.

Ajo, në Rubikon, tha se rrjedha e situatës politike bëri që të zgjatet zotimi nga gjashtë në tetë muaj për kthim të stabilitetit në veri.

“Nuk është problem teknik apo i kompetencës. Por, është hera e parë që jemi aq afër arritjes së një zgjidhjeje, e cila e përfundon sagën 22-vjeçare të rrethanave, në të cilat në veri s’ka pasur pagesë të rrymës elektrike, duke shtuar këtu faktin se nuk ka pasur pagesë as të ujit të pijes dhe as pagesë të tatimit të pronës”.

Kusari-Lila tha se nuk është zgjidhje e lehtë kjo dhe se merr kohë.

“S’po kërkojmë luks, por është bazike që qytetarët në veri t’i kryejnë obligimet e veta që i kanë. Është mosbarazim dhe një shenjë e vazhdueshme e jostabilitetit që është në krejt Kosovën. Nëse lëshohet licenca, shkon tre deri në katër muaj në përgatitje teknike, në regjistrimin e konsumatorëve e të tjera”.

Shefja e GP të Vetëvendosjes tha se kjo është një prej sukseseve më të mëdha në raport me integrimin e veriut.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat