‘Afera Pronto’/ Vjen reagimi i ashpër: Kjo është dëshmi se prokurorët po i shërbejnë këtyre grupeve!

Aktuale

‘Afera Pronto’/ Vjen reagimi i ashpër: Kjo është dëshmi se prokurorët po i shërbejnë këtyre grupeve!

Nga: A.M. Më: 22 janar 2022 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Ditë më parë, Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ilhami Gashi, që akuzohej në rastin e njohur si “Pronto”.

Kësisoj rasti Pronto përfundoi pa asnjë të akuzuar.

Ndaj këtij vendimi të Supremes ka reaguar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), i cili e ka vlëruar si një dështim të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.

“Epilogu i këtij rasti është tregues i qartë i një sistemi të kapur, të manipuluar, me mungesë pavarësie dhe paanësie i cili punon në drejtim të amnistimit të të gjitha figurave të larta shtetërore, personave me lidhje të ngushta politike dhe shtrirje të gjerë të ndikimit, ndikim ky që nuk e përjashton as sistemin e drejtësisë. Për më tepër, ky rast do të mbetet në histori si dëshmi e antivlerave ekzistuese në sistem. Rastet si ky ulin vlerën dhe nderin e ushtrimit të profesionit të prokurorit dhe gjyqtarit në vend. Për më tepër, trajtimi i rasteve në mënyrë të tillë skandaloze dëmton rëndë imazhin dhe angazhimin e Kosovës karshi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një premtim dhe detyrim ky i vendit për të shënuar progres të mëtutjeshëm në rrugën e intergrimit euro-atlantik”, thuhet ndër të tjera në reagimin e GLPS-së, përcjell “Bota sot”.

Reagimi i plotë

Epilogu i rastit Pronto, dëshmi e dështimit të planifikuar nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është thellësisht i zhgënjyer me epilogun e rastit të njohur si “Afera Pronto”. Dje, kur edhe është bërë publik vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të dënuarit të vetëm të këtij rasti, sistemi i drejtësisë, e më konkretisht sistemi prokurorial edhe një herë është goditur rëndë në pavarësinë, paanësinë dhe në vlerat mbi bazën e të cilave është themeluar dhe do duhej të funksiononte.

Është shqetësues fakti se si ky rast është dëshmi konkrete e dështimit të planifikuar të sistemit prokurorial dhe gjyqësor për të dënuar krimin në vend, e aq më shumë në raste të tilla ku përfshihen profile të larta politike të vendit. Përkundrazi, përfundimi i këtij rasti dëshmon se si sistemi mbështet dhe amniston ata, dhe qëndron i heshtur dhe i dobët ndaj krimit dhe korrupsionit në nivele të larta dhe jo vetëm. Ky rast është reflektim i mungesës së vullnetit, aftësisë dhe përgjegjësisë në detyrë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët përmes pozitës së tyre i shërbejnë grupeve të ngushta të interesit dhe jo të mirës së përgjithshme për të cilën janë të zotuar.

Epilogu i këtij rasti është tregues i qartë i një sistemi të kapur, të manipuluar, me mungesë pavarësie dhe paanësie i cili punon në drejtim të amnistimit të të gjitha figurave të larta shtetërore, personave me lidhje të ngushta politike dhe shtrirje të gjerë të ndikimit, ndikim ky që nuk e përjashton as sistemin e drejtësisë. Për më tepër, ky rast do të mbetet në histori si dëshmi e antivlerave ekzistuese në sistem. Rastet si ky ulin vlerën dhe nderin e ushtrimit të profesionit të prokurorit dhe gjyqtarit në vend. Për më tepër, trajtimi i rasteve në mënyrë të tillë skandaloze dëmton rëndë imazhin dhe angazhimin e Kosovës karshi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një premtim dhe detyrim ky i vendit për të shënuar progres të mëtutjeshëm në rrugën e intergrimit euro-atlantik.

GLPS i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor në Kosovë që të angazhohen me seriozitet të plotë në reformimin e rrënjësishëm të sistemit të drejtësisë në mënyrë që rastet e ngashme sikurse ky të trajtohen drejtë dhe me kujdes të shtuar dhe që sistemi të mos funksionojë në asnjë mënyrë mbi premisat e drejtësisë selektive. Secili nga institucionet e lartëpërmendura ka detyrim moral dhe kompetencë shtetërore të luftojë për vendin dhe qytetarët tanë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat