​Gastronomët kundërshtojnë masat e reja, kërkojnë takim urgjent me ministrin e Shëndetësisë

Aktuale

​Gastronomët kundërshtojnë masat e reja, kërkojnë takim urgjent me ministrin e Shëndetësisë

Më: 22 janar 2022 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës po kërkon takim urgjent me Ministrinë e Shëndetësisë, pas vendosjes së masave të reja të cilat kanë hyrë në fuqi sot. Përfaqësues të kësaj shoqate deklarojnë se institucionet në vend po tentojnë të thellojnë krizën ekonomike në vend. Ata thonë se gjatë javës së ardhshme do të takohen për të vendosur se si do të veprojnë pas këtij vendimi. 

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë për KosovaPress, se tash e disa herë Ministria e Shëndetësisë po vendos për masa të reja pa u konsultuar me këtë sektor. 

Vranica: Jemi të shqetësuar për tendencën e përkeqësimit të gjendjes ekonomike 

“Jemi të shqetësuar jashtëzakonisht shumë qysh po ka kaq shumë tendencë me u thellu më tepër gjendja e përkeqësuar ekonomike. Prej fundit të vitit të kaluar ne kemi pasur sinjale që do të ketë gjendje të rëndë ekonomike, kriza, në këtë gjendje në të cilën jemi dhe me variantin me të cilin po ballafaqohemi mendoj që nuk janë adekuate këto politika të vendosura. Në gjendjen ekonomike në të cilën jemi ne e dimë që ka rritje të inflacionit, ka rritje të çmimeve në furnizim dhe nuk është vazhduar me lehtësira me politika fiskale që lehtësojnë afarizmin e bizneseve në kohë krizash”, shprehet ai.

Sipas tij, vendet në botë përkundër numrit të madh të rasteve me COVID-19, nuk po marrin masa të tilla. Vranica kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ftohen në takim për të diskutuar në lidhje me këto masa. 

Vranica: Kërkojmë nga MSh urgjent takim me gastronomët 

“Nuk jemi mbledhur akoma, sepse i kemi disa grupe dhe organe brenda shoqatës të cilat vendosin dhe marrim propozime, pastaj marrim vendim. Do të mbledhemi si shoqatë gjatë javës së ardhshme dhe kërkesa e parë dhe e domosdoshme është që të ftohet në takim atë që e prek, ashtu siç bëri me drejtoritë e shkollave për shkak të reagimit të Ministrisë së Arsimit dhe të trajtojë edhe institucionet private, këtë rast organizatat që trajtojnë këto biznese... U bëjmë thirrje që të takohemi urgjent ministrit të Shëndetësisë, kemi kërkuar takim edhe pse është dashur që të ftojnë drejtpërdrejt ata, por nuk është parë e arsyeshme”, deklaron ai.

Më tej, ai thekson se masat që kanë hyrë në fuqi sot kanë dëmtuar bizneset, meqë përgatitjet për furnizim i kanë bërë për tërë javën. 

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës të premten ka vendosur për masat e reja. Nga sot gastronomia do të punojë deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohet vetën deri në orën 20:30. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat