Shqipëria dhe Kosova zotohen për bashkëpunim në Siguri dhe Mbrojtje

Aktuale

Shqipëria dhe Kosova zotohen për bashkëpunim në Siguri dhe Mbrojtje

Më: 26 janar 2022 Në ora: 12:26
Foto nga takimi

Komisioni për Siguri i Kuvendit të Shqipërisë është duke qëndruar në ditën e dytë të vizitës në Kosovë ku ka pasur takim me anëtarët e Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës. Në këtë takim, është rënë dakord për bashkëpunim të frytshëm, ndërsa të adresohen edhe problemet e mundshme të qytetarëve kosovarë me Policinë Shqiptare.

Kryetari i Komisionit për Siguri të Shqipërisë, Nasip Naço u shpreh se kanë përfituar nga eksperiencat e njëri-tjetrit pasi në të dy vendet është nevojë që të rritet siguria.

Naço premtoi se problemet eventuale që mund të kenë qytetarët kosovarë me Policinë Shqiptare, apo ata të Shqipërisë me Policinë e Kosovës, të adresohen menjëherë tek instancat e duhura si dhe me pjesëmarrjen edhe të anëtarëve të Komisionit të Sigurisë së Kosovës.

Naço: Do të ketë takime për problemet eventuale

“Nëse do të kemi probleme në pikën e kalimit kufitar të Morinës do të bëjmë takime të përbashkëta të dy komisioneve tona me drejtues më të lartë të policisë si dhe ne kemi rënë dakord që nëse do të ketë qytetarë të Kosovës që do të kenë probleme në ditët që vijnë me Policinë Shqiptare të thërrasim në interpelancë drejtorin e përgjimit të policisë ku të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë (të Kosovës) duke bërë pyetje dhe duke marrë shqetësimet qytetarëve të Kosovës dhe duke evidentuar që në të ardhmen bashkëpunimi të jetë real dhe i frytshëm”, tha Naço.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, u shpreh pas takimit me deputetët shqiptarë se janë zotuar që të ketë bashkëpunim i vërtetë dhe jo si në të kaluarën që nuk është bërë asnjë punë.

Berisha: Duam të intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

“Jemi duke u koordinuar në mënyrë që të intensifikojmë bashkëpunimin dhe ky bashkëpunim të jetë real, të jetë i vërtetë, jo sikurse jemi mësuar të shohim ‘jemi vëllezër, duhemi fortë’ e mos të bëjmë asgjë, por do të bëjmë një listë të punëve që kemi për t'i bërë bashkë por realitet dhe do t'i bëjmë me të vërtetë”, tha Berisha.

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë së Shqipërisë gjatë vizitës në Kosovës kanë takuar edhe anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe kanë pasur vizita në institucionet e tjera të sigurisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat