PDK e LDK lëshojnë sallën e kuvendit

Aktuale

PDK e LDK lëshojnë sallën e kuvendit

Më: 26 janar 2022 Në ora: 14:56
Kuvendi

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar sallën e kuvendit pasi nuk u votua rezoluta e propozuar nga partitë opozitare që ndalon shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kuvendi pati kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendim që bllok-tarifat e propozuara nga ZRRE të votohen kundër përmes rezolutës së propozuar nga ta, por sipas tij, ishte grupi parlamentar i VV-së ajo që nuk e mundësoi një gjë të tillë.

“Përfaqësuesit e qytetarëve që janë në këtë kuvend do të duhej të kenë qëndrim për këtë çështje dhe ne si parti opozitare e deklaruam votën tonë, ndërsa mazhoranca abstenoi nga votimi që është e papranuar sepse këtu shihet që kemi një koordinim të mirë të këtij grupi parlamentar me kryeministrin Kurti dhe ZRRE-n”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ai tha se kjo është arsyeja se pse grupi parlamentar i PDK-së nuk do të vazhdoj të qëndrojë në seancën e sotme, sepse sipas tij, nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarët sesa hedhja poshtë e këtyre tarifave.

“Hyrja në fuqi e këtyre tarifave, për qytetarët është dëm i madh. Gjithë kjo situatë që është krijuar si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve, naftës e  tash edhe të energjisë elektrike, besoni se po e bëjnë jetën të papërballueshme për qytetarët e Kosovës”.

“Prandaj, ne si grup parlamentar nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë sepse shihet qartë se ju jeni së bashku me ZRRE-n keni koordinim të ngushtë edhe me Kurtin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, prandaj ju vazhdoni me rëndu jetën e qytetarëve e ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade”, ka thënë Tahiri.

Përveç PDK-së, sallën e Kuvendit të Kosovës e lëshoi edhe LDK-ja.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, tha se grupi parlamentar i VV-së tregoi se është pro shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike, e që sipas tij, në një formë duhet të ndalet.

“Andaj edhe pjesëmarrja jonë nuk tregon qoftë edhe në cilësinë e mbarëvajtjes se punë së kuvendit sepse s’ka temë më të madh sesa tema e energjisë dhe pandemisë, për ju nuk janë interes ndërsa ne do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratik që parandalojnë varfërinë e popullit nga papërgjegjësia e kësaj qeverie populiste”, ka thënë Zemaj

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat