Lajçak e Escobar në Kosovë/ Çka synojnë amerikanët, pse s’ka marrëveshje me Serbinë?

Aktuale

Lajçak e Escobar në Kosovë/ Çka synojnë amerikanët, pse s’ka marrëveshje me Serbinë?

Më: 26 janar 2022 Në ora: 20:00
Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar

Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, do të vizitojnë të hënën Kosovën.

E pjesëmarrja e këtij të fundit po shihet si pozitive, dhe përpjekje për të rifilluar dialogun me Serbinë.

Kështu thotë ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu.

“Është e qartë se është një përpjekje për të rifilluar dialogun i cili siç po dëshmohet tashmë ka ngecur për një kohë të gjatë, ana pozitive e kësaj është se tani z. Lajçak e shoqëron emisari amerikan Escobar, që do të thotë amerikanët po marrin një rol shumë më proaktiv në procesin e dialogut, dhe së dyti është tashmë e qartë edhe BE-ja kërkon mënyrë të drejtpërdrejtë që të shoh rezultate, pasi që ka gati më shumë se një dekadë që po vazhdon ky proces pa dhënë aktual me të vërtetë një rezultat të pritur në dialogun për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Presioni i Bashkimit Evropian (BE) për të dy palët është shtuar ditëve të fundit, në mënyrë që të arrihet një rezultat.

Për këtë, sipas Spahiut, Serbia nuk treguar interesim që të ketë marrëveshje finale.

“Duhet të ketë një marrëveshje finale në qoftë se ka vullnet nga të dy palët, por deri më tash Serbia nuk ka treguar në asnjë moment një vullnet të mirë apo një interesim që të ketë një marrëveshje finale por insiston vetëm në implementimin të ashtuquajturit  asociacion pa ofruar në të vërtetë asgjë ndaj Kosovës”, tha ai.

Ai thotë se Republika e Kosovës ka bërë mjaftueshëm kompromise.

Sipas tij, qeveria duhet të dialogojë në mënyrë serioze duke mos bërë kompromise që kushtojnë.

“Mendoj se Kosova tashmë nuk duhet të përdorë togfjalësh, kompromise të dhimbshme sepse Kosova ka bërë kompromise mjaftë, dhe tani Kosova në interesin e Kosovës është që të shoh në tavolinë një marrëveshje për normalizim që ka për brenda edhe njohjen ndërsjellë midis dy vendeve”, tha ai.

Bashkimin e forcave të SHBA-së me BE-në për t’u përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, njohësi i këtij  procesi Visar Ymeri e konsideron lajm të mirë.

Rifillimi i dialogut, sipas tij,  mund të jetë në muajin prill, ku edhe do të përfundojnë zgjedhjet e Serbisë.

“Tash nuk mendoj se do të ketë kushedi çfarë intensiteti në dialog derisa të përfundojnë zgjedhjet në Serbi të cilat tash siç po shihet gjasat janë realisht që të mbahen në fillim të prillit, momentin që do të përfundojnë zgjedhjet mendoj se do të ketë intensifikim të punës së dialogut”, tha ai.

Ymeri thotë se përfundimi i dialogut do t’i ndihmonte Kosovës ndërkombëtarisht.

Mirëpo, sipas tij, Qeveria aktuale nuk ka shpreh interesim, dhe se pozicionimi i kryeministrit Kurti e bën marrëveshjen të pamundshme.

“Deri tash kryeministri Kurti nuk ka shpreh interesim për çfarëdo kompromisi dhe mendoj që një pozicionim i tillë i zotit Kurtit e bën marrëveshjen e pamundshme. Nëse Kosova nuk është e gatshme që të pranojë çfarëdo kompromisi atëherë një marrëveshje të tillë nuk mund të ketë unë do të shpresoja shumë që të jetë në dobi të Kosovës të bëhet ashtu siç po thotë kryeministri Kurti, por duhet të kemi parasysh që në këtë rast vullneti ynë politik dhe mundësitë e ralitetit politikë nuk përkojnë njëra me tjetrën”, tha ai.

Takimi i fundit në nivel të lartë në dialogun Koosvë-Serbi ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Bruksel  ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat