​Pacolli: Sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë

Aktuale

​Pacolli: Sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë

Më: 26 janar 2022 Në ora: 21:31
Behgjet Pacolli

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ka deklaruar se Kosovës i nevojiten më shumë investime në sektorin e prodhimtarisë të energjisë elektrike dhe se është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se politikat adekuate ndaj investitorëve ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë, por edhe në diversifikim.

“Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE. Një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë ( rastësisht e njoh rastin - janë investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgw kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE.

Vetëm me prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe me mbrojtjen e duhur të investitorëve dhe rregullat ligjore moderne është e vetmja rrugë për të zhvilluar ekonominë tonë, për të rritur investimet e huaja dhe për të prodhuar më shumë energji dhe ngritjen e kapaciteteve të reja. Tani si po shkon, pengesat burokratike dhe problemet energjetike po i largojnë investitorët aktualë dhe potencialë nga Kosova”, ka shkruar Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat