Osmani e uron Kadarenë për ditëlindje: Kosova i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij

Aktuale

Osmani e uron Kadarenë për ditëlindje: Kosova i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij

Më: 28 janar 2022 Në ora: 14:13
Vjosa Osmani

Sot, 86 vjet më parë, u lind poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me këtë rast e ka uruar Kadarenë me rastin e ditëlindjes së tij, duke thënë që “Kosova i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij”.

“Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë. I tillë është shkrimtari ynë Ismail Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve”.

“Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë”.

Tutje Osmani ka thënë se bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij.

“Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij. E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër! Paç shëndet”, ka thënë Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat