Hoxhaj tallet me Bislimin, i propozon BE-së ta bëjë kryenegociator për Rusinë e Ukrainën

Aktuale

Hoxhaj tallet me Bislimin, i propozon BE-së ta bëjë kryenegociator për Rusinë e Ukrainën

Më: 28 janar 2022 Në ora: 15:22
Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas intervistës se mbrëmshme të zv.kryeministrit Besnik Bislimi, i cili deklaroi se Kosova po negocion për nënshkrimin e një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Hoxhaj thotë se një deklaratë e tillë e Bislimit vjen pas dy deklarimeve të përfaqësuesve amerikanë, Hovenier dhe Escobar, ku të dy, për dallim nga Bislimi, kërkojnë që të negociohet për njohje reciproke.

“Sekretari i Shtetit Blinken tha në fillim të janarit që politika e SHBA-së është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e Ambasadori amerikan Hovenier e përsëriti pardje dhe i Dërguari i Posaçëm Eskobar dje, por befas, mbrëmë, Besnik Bislimi tha se qeveria ka një qëllim tjetër në dialog: ajo po negocion marrëveshje që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai tutje ka ironizuar edhe me një shembull të një pakti në mes të Gjermanisë së Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik, por që një marrëveshje e tillë s’kishte parandaluar Luftën e Dytë Botërore.

“Dija dhe imagjinata jonë është e varfër për ta kuptuar këtë politikë. Andaj, ja vetem një fakt historik: Pakti i Mossulmit në mesi të Molotov-Ribbentrop, që ishte nënshkruar mes Reichut gjerman të Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, me 23 gusht të vitit 1939 nga ministrat e jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe Vyacheslav Molotov. Por, kjo marrëveshje nuk e parandaloi Luftën e Dytë Botërore, me pasoja katastrofale për njerëzimin”, ka shtuar Hoxhaj.

Në fund, Hoxha me tallje e thotë se nëse BE-ja s’din çfarë të bëjë sa i përket situatës, Rusi-Ukrainë, atëherë duhet ta çojë Besnik Bislimin si kryenegociator.

“Sot, Kosova duhet të presë nga ky proces vetëm njohje të ndërsjellë! Por, nëse BE s’di çfarë të bëjë, do i sygjeroja që ta ofrojnë këtë skenar për deeskalimin e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe z. Bislimi të jetë Kryenegociator! Ose, z. Bislimi duhet t’ia nderrojmë literaturën, se nuk po e di se çka po lexon kështu!

Më e drejtë e duhur është të paraqitet platformë për dialog në Kuvend dhe jo Qeveria të shkojnë kështu pa plane, pa ide, pa afat kohor dhe pa asnjë qëllim!”, ka përfunduar Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat