Avokati Musa flet për vendimin për Haradinajn e Gucatin, tregon deri ku ka shkuar procesi

Aktuale

Avokati Musa flet për vendimin për Haradinajn e Gucatin, tregon deri ku ka shkuar procesi

Më: 28 janar 2022 Në ora: 20:24
Hysni Gucati, Nasim Haradinaj

Skënder Musa, avokat i licencuar nga Gjykata Speciale, foli në lidhje me atë se kur pritet të merret vendimi nga kjo gjykatë, për drejtuesit e OVL- UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Ai tha se ata po akuzohen edhe pse s’kanë pasur qasje në materialet e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale.

“Mbrojtja ka të drejtë që të mos e konsiderojë çështjen të mbyllur, pa pasur provat dhe materialet e mjaftueshme dhe është pothuajse e pamundur që mbrojtja ta përgatisë mbrojtjen e të akuzuarit pa i pasur provat dhe materialet. Që nga fillimi i kësaj çështjeje penale dhe me ngritjen e aktakuzës, ka qenë non sens, sepse akuzohen dy persona që nuk kanë pasur asnjë qasje në materialet e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale”, tha ai.

Musa tha se informacionet kanë rrjedhur nga zyrtarët e Dhomave të Specializuara.

“Të gjitha ato informacione, prova e shkresa që kanë ardhur në Republikën e Kosovës, kanë rrjedhur nga zyrtarët e Dhomave të Specializuara, që në njëfarë forme ata nuk janë duke e gjykuar as hetuar kryerësin e veprës penale, por janë duke i gjykuar viktimat në këtë rast, për shkak se materialet kanë rrjedhur nga zyrtarët e Prokurorisë Speciale dhe në këtë aspekt mbrojtja ka të drejtë t’i ketë të gjitha materialet, të gjitha provat, madje ka të drejtë të drejtojë informatë edhe personat që i kanë nxjerrë këto materiale dhe i kanë dërguar në Republikën e Kosovës, që mund të dyshohet se me qëllim e kanë bërë këtë gjë”, tha ai.

Avokati i licencuar nga Specialja tha se procesi i Haradinajt e Gucatit është në përfundim e sipër.

“Me rastin e përfundimit të dëshmive e dëshmitarëve, pastaj vijnë provat materiale. Procesi është në përfundim e sipër, pastaj jepet mundësia për t’u përgatitur, për ta dhënë mbrojtjen e të akuzuarit dhe në fund mbrojtësit e tyre. Sa u përket afateve kohore, është e pamundur të flitet kur, por procesi është duke shkuar kah fundi. Ne nuk jemi në gjendje ta dimë agjendën e gjykatës, avokatëve e prokurorëve të Gjykatës Speciale”, u shpreh ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat