Familjarët kërkojnë drejtësi për masakrën e Rogovës, Morina: Është shumë e vështirë me jetu pa prind

Aktuale

Familjarët kërkojnë drejtësi për masakrën e Rogovës, Morina: Është shumë e vështirë me jetu pa prind

Më: 29 janar 2022 Në ora: 14:46
Familjarët

Pranë varrezave të dëshmorëve në Rogovë të Hasit, tash e 23 vjet po derdhën shumë lot. Katër burra të familjes Morina u vranë më shumë se dy dekada më parë në këtë fshat. Në mëngjesin e hershëm të 29 janarit, paramilitarët serbë pasi e rrethuan fshatin, në shtëpinë e tyre, masakruan ata dhe me dhjetëra civilë tjerë shqiptarë. Familjarët kërkojnë drejtësi, ndërkaq thirrje u bëjnë institucioneve të vendit që të mos harrojnë gjakun dhe dhimbjen e familjarëve.

Babain e tij, Selmanin, më shumë e kujton nga ato çfarë i treguan familjarët. 25 vjeçari, Meriton Morina, rrëfen për masakrimin e babait të tij, i cili ishte në po këtë moshë që ai është tani. Për KosovaPress, ai thotë se e ka shumë të vështirë të rritet pa prind.

Morina: Është shumë e vështirë me jetu pa prind

"Është shumë e vështirë me jetu pa prind. Me kalimin e viteve, dhimbja bëhet edhe më e madhe, nuk zvogëlohet asnjëherë...I kanë marrë prej oborrit në oborrin e fqinjit edhe i kanë vrarë e masakruar bashkë me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kombin e kuq që veç dihet janë masakruar bashkë", thotë ai.

Meritoni ka një thirrje edhe për institucionet, ku lutet që një ditë të vendoset drejtësi.

Morina: Të punohet më shumë që të zbardhen krimet

"Thirrja është që të punohet sa më shumë që të zbardhen krimet që me u dënu kryerësit. Edhe pse një drejtësi e vonuar nuk është kurrë drejtësi, por se paku të na lehtësojë dhimbjen", shton Morina.

Përveç Selmanit, nënë Zarifes ia masakruan edhe dy djem të tjerë dhe bashkëshortin.

Morina: Mos ta humbim këtë gjak

"Familja jem, baba e tre djem janë masakruar, janë dëmtuar, gjaku i tyre shumë i rënë ka qenë. Dhimbja e tyre shumë e madhe ka qenë. Sot e 23 vjet, qasi dhimbje është për neve, nuk na hiqet[...]Mos ta humbin këtë gjak, le ta qesin në selamet nëse duan të ecin përpara. Edhe burrat që kanë luftuar natë e ditë në shi e borë. E le të dinë që kanë lënë jetima e kemi rrit jetimë dhe kemi vuajtur deri sot. Qeveritarët mos të harrojnë kush ka dhënë dhimta të mëdha e kush u pre", shprehet ajo.

Lule pranë varrit të babait të tij, vendosi edhe djali i dëshmorit, Zyber Shala. Petriti thotë se 23 vjet më parë kur u vra babai i tij, ai ishte jashtë vendit.

Shala: Këta dhanë më të shtrenjtën, jetën

"Ne çdo herë vijmë për kujtime, këta janë dëshmorët që dhanë më të shtrenjtën, jetën[...]Unë nuk kam qenë këtu, kam qenë jashtë[...]shumë e kemi përjetuar keq", tregon Shala.

Në mëngjesin e 29 janarit forcat kriminale serbe në Rogovë në shtëpitë e tyre masakrojnë: Rrustem Morinën me tre djemtë Selmanin, Nysretin dhe Mehmetin, pastaj Ibrahim Kryeziun, Adem, Rifat dhe Zyber Shalën. Në mesin e të masakruarve ka pasur edhe invalidë dhe 16 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat